E premte, 18.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Përtej deklarimeve politike, rishtazi po provokohen ndjenjat më sublime të shqiptarëve, duke filluar me nënçmimin përmes Enciklopedisë, mësimit të maqedonishtes, evidencës pedagogjike, projektin "Shkupi 2014", diskriminim etnik në investime dhe një sërë incidentesh që kanë parashtesë ndëretnike dhe ndërfetare.
Pėrtej frazeologjisė sė bashkėjetesės









Besim ILJAZI

Është më se e qartë se raportet brenda koalicionit qeveritarë janë të ngrira dhe kjo të le të kuptosh për një qetësi para stuhisë. Këtë nuk e mbulon as frazeologjia politike me të cilën eksponentët e dy partive mundohen ta kamuflojnë kohë pas kohe. Kësaj i paraprijnë një sërë projektesh mono-etnike, përmes të cilëve shqiptarëve u bëhet e qartë se fryma e Marrëveshjes së Ohrit dhe multietniciteti i Maqedonisë është një përrallë e venitur.

Këtë së fundmi po e dëshmon edhe mosfunksionimi i Komitetit për marrëdhënie ndëretnike, e që është mekanizëm kontrollues kundër majorizimit.

Përtej deklarimeve politike, rishtazi po provokohen ndjenjat më sublime të shqiptarëve, duke filluar me nënçmimin përmes Enciklopedisë, mësimit të maqedonishtes, evidencës pedagogjike, projektin "Shkupi 2014", diskriminim etnik në investime dhe një sërë incidentesh që kanë parashtesë ndëretnike dhe ndërfetare.

Këto si dhe diskriminimi në projektet tjera ekonomiko-politike të VMRO-së, kanë vënë në sprovë durimin e shqiptarëve. Kjo pakënaqësi e shqiptarëve nuk dihet se sa do të zgjasë, por me siguri edhe shumë, pasi brenda shoqërisë shqiptare ende nuk ekziston një vetëdije dhe mekanizëm i kurajës politike apo qytetare për t'iu kundërvënë të keqes.

Në gjithë këtë, ka edhe një të vërtetë, se shqiptarët në Maqedoni kanë treguar se janë mazohistë. Pasi e gjithë ajo pak krenari e rikthyer pas konfliktit të vitit 2001, me ardhjen e VMRO-së në pushtet, u përmbys.

Përderisa durimi politik i shqiptarëve vazhdon, elita politike maqedonase është duke shkuar përtej. Ngadalë por sigurt, në vetëdijen kolektive të maqedonasve po instalon mekanizma të ekskluzivitetit të shtetit, përkatësisë së të mirave ekonomike dhe kulturore.

Me anë të taksapaguesve edhe shqiptarë, Sheshi i Shkupit po shndërrohet si Fshati i Potomkinit, kurse gjithandej frymon realiteti dëshpërues i shqiptarëve. Ky diskriminim i elitës politike maqedonase, në vazhdimësi është bërë edhe me asistencë politike të shqiptarëve.

Është më se e qartë se Gruevski po implementon filozofi të etnizimit maqedonas të shtetit dhe të gjithçkaje. Ai në diskursin e tij politik flet për histori nacionale maqedonase, për trashëgimi kulturore maqedonase dhe një sërë përvetësimesh tjera që i atribuohen një etnikumi, duke përjashtuar shqiptarët si pjesë konstituive të Maqedonisë dhe duke shkelur mbi parimet themelore të Marrëveshjes së Ohrit.

Madje, që nga ardhja e tij në pushtet në vitin 2006, në mos gabofsha, vetëm në dy tre raste protokollare ka përmendur Marrëveshjen e Ohrit. Në diskursin e VMRO-së ky dokument nuk e ekziston dhe kjo parti që nga fillimi e ka kontestuar atë.

Nga ana tjetër, vetëm BDI thirret në parimet e këtij dokumenti të garantuar ndërkombëtarisht, kurse të gjitha partitë tjera shqiptare kritikojnë për deformime gjatë implementimit. Së këndejmi, jo të rastësishëm janë zërat e fundit për rikonfigurim të ri të marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase, që gjithsesi është pasojë e shpërfilljes së shqiptarëve dhe qëndrimit rigid të Gruevskit për kontestin e emrit, që ia ka mbyllur dyert Maqedonisë ndaj integrimit euro-atlantik.

Se si do ta tejkalojë Gruevski mllefin e akumuluar të shqiptarëve dhe krizës politike brenda shtetit, mbetet të shihet. Nuk ka shumë alternativa. E vetmja që mund t'i shkojë në favor vetëm atij, ashtu siç bëri edhe para dy vitesh, është të shpallë zgjedhje të parakohshme në vjeshtë, pasi vazhdimisht është në fushatë parazgjedhore.

Autori është kryeredaktor i gazetës Koha

Publikuar: 23.04.2010 | 19:50
Lexuar: 599 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime