Kishës së Shën Kollit i janë bërë disa riparime, nga të cilat më kryesorja në vitin 1988 ku u riparuan gunga dhe hajati, por mbeti pa u prekur këmbanorja, ndërsa u bënë dhe kanalizimet dhe rrethimi i plotë i objektit me rëndësi jo vetëm fetare, që krijuan një farë mbrojtje.
Miranda Sadiku
- Quhet "fshati i kishave" Shelcani, rreth 7 kilometra në lindje të Elbasanit i shtrirë në faqe kodrash me disa lagje, larg njëra-tjetrës, që në të shkuarën e largët secila kishte kishën e vet dhe fshati plot 13 të tilla, nga të cilat tani mezi dallohen themelet.
Por qëndron në këmbë edhe pse e dëmtuar nga shekujt që mbart mbi kurriz, kisha kryesore e Shën Kollit në qendër të fshatit. Nga ndërtesa e vjetër kanë mbetur vetëm gunga, por dhe më kryesorja, veshja e brendshme me afreskat e piktorëve të mesjetës Onufri dhe Kostandin Shpataraku janë ende.
- Banorët e zonës, ruajtës të denjë të kishës -
Kishës së Shën Kollit i janë bërë disa riparime, nga të cilat më kryesorja në vitin 1988 ku u riparuan gunga dhe hajati, por mbeti pa u prekur këmbanorja, ndërsa u bënë dhe kanalizimet dhe rrethimi i plotë i objektit me rëndësi jo vetëm fetare, që krijuan një farë mbrojtje.
Prifti i fshatit, Pal Qosja kërkon restaurimin sa më shpejt të veshjeve të brendshme të mureve të plasaritura në shumë vende.
"Një dëmtim i tillë shkatërron në mënyrë të pariparueshme ikonat që vijnë nga shekulli I XVI-të. E megjithatë vizitori gjen në këto ikona të pikturuar nën maskë shenjtorësh, banorë të trevave të Shpatit, ç'ka duket në gjallërinë dhe sytë shprehës të të pikturuarve, me të kuqen karakteristike të Onufrit", thotë ai.
Kjo kishë disa herë në vit dhe sidomos në vigjilje të Pashkës grumbullon qindra besimtarë jo vetëm nga Shelcani, por edhe nga fshatrat përreth që nga Kryezjarthi, Trepshenishti e deri nga fshatrat e thella të Shpatit.
"Ndërtesa e vetë kishës është e vogël për të mbajtur në gjirin e saj ata qindra besimtarë të ardhur, kështu që festa vazhdon edhe jashtë mureve të saj" thotë prifti Pal Qosja.
Sipas tij "Instituti për mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës ka ndalur ndezjen e qirinjve jo vetëm në brendësi, por edhe në hajatin e kishës për të mbrojtur afresket e rralla, veçse ky vendim nuk para gjen zbatim".
Por kjo mban në një rrezik të përhershëm dëmtimin përfundimtar të këtyre veprave të rralla të artit figurativ e kishëtar shqiptar.
Kisha e Shën Kollit, e vetmja që i ka shpëtuar rrënimit të viteve në fshatin që mbrojti ortodoksinë gjatë 500 vjetëve të sundimit otoman, vazhdon të çmohet nga shelcanakët si një perlë e ardhur nga lashtësia, që duhet ruajtur nga çdo dëmtim.
Falë interesimit të fshatarëve, kisha e lashtë vazhdon të qëndrojë në këmbë për t'i shërbyer besimtarëve dhe turistëve të shumtë që vijnë aty çdo vit.
- Kisha e Shelcanit ndërtuar në fund të shekullit të XIV-
Historiani Kreshnik Belegu tregon për ATSH se kisha e Shën Kollit është një-nefshe me hajate të vona të zbuluara sot nga jugu dhe perëndimi. Në anos hyhet nga ana perëndimore, ndërsa dikur ka pasur edhe një portë në anën jugore, e cila sot është murosur. Kisha është me dysheme me pllaka guri të çrregullta, ndërsa është e mbuluar me çati me kapriata pa tavan, restaurim i vitit 1969.
Naosi ndahet nga altarit nga një ikonostas prej muri të pikturuar. Ai ka dyer, një në qendër dhe një në anën veriore. Me përjashtim të murit lindor të kishës, muret e tjera janë të suvatuara, kështu që nuk dalllohet teknika e ndërtimit të tyre.
Është pikërisht muri lindor që dëshmon se kisha e Shën Kollit ka qenë e ndërtuar përpara pushtimit turk. Muri lindor ka në qendër një apsidë rrethore me një dritare të ngushtë dhe të lartë në mes. Dritarja mbulohet nga një hark me tulla radiale rrethuar nga tulla përgjatë harkut. Apsida ka në pjesën e sipërme një dekor tullash të vendosura zigzak, që duhet të jetë e vonë.
"Si absida, edhe gjithë muri lindor janë ndërtuar në klausonazhe me dy tulla vertikale apo që kanë nga dy rreshta tullash horizontale. Data e ndërtimit mendohet t'i takojë fundit të shekullit të XIV, nisur për këtë nga teknika e ndërtimit, me dy madje dhe me tre rradhë tullash horizontale", thotë Belegu.
- Ikonat e Onufrit egzistente në ditët e sotme -
Tek Kisha e Shën Kollit gjenden ikonat e Onufrit ku nën maska shenjtorësh pikturuar, gjenden banorë të trevave të Shpatit, shprehur dukshëm në gjallërinë dhe sytë shprehës të pikturuar me të kuqen karakteristike të Onufrit.
"Ky ikonograf i madh ka nisur të pikturojë në këtë kishë në vitin 1554, por ngjyrat ruhen të freskëta edhe sot. Mjeshtri Onufri është piktor i lindur, afresket e tij të çudisin për përpjestimet e përsosura, plastikën në trajtimin e figurës, elegancën dhe hollësinë e jashtëzakonshme të formës, që vërteton më së miri se i përket shkollës së Kostandiopojës, tradita e së cilës ka qenë e gjallë në Shqipëri edhe shumë vjet pas rënies së Kostandinopojës" pohon Belegu.
Në të gjitha kompozicionet e skenave ungjillore në këtë kishë janë të mrekullueshme detajet e rrobave. Këmbët, fytyra, të gjitha këto janë punuar në mënyrë artistike dhe me saktësi.
"Të gjitha pozat janë të rregullta, shumë plastike dhe të bukura. Një kujdes i veçantë i vihet ritmit shumë të hollë, kompozicionit të afreskut që tregon shijen e zhvilluar artistike dhe talentin e piktorit. Ka të ngjarë që kisha e Shlecanit të jetë pikturuar prej Onufrit në kohën e lulëzimit të plotë të talentit të tij. Kjo shihet dhe në lartësinë në të cilën ai ka rradhitur kerubinët e zjarrtë", shprehet Belegu./atsh/