Në kuadër të manifestimit "Ditët e hapura të USHT", studentët e Fakultetit të Arteve, para të pranishmëve prezantuan mënyrën e punimit të skulpturave dhe pikturave, të cilat zgjuan kërshërinë e vizitorëve të shumtë.
Me moton "Ardhmëria krijohet me një zgjidhje, vendos sot për të ardhmen tënde!, sot më 28.04.2010, në hapësirat para Rektoratit filluan "Ditët e hapura të USHT-së".
Me rastin e hapjes së këtij manifestimi, Rektori i USHT-së, prof. dr. Agron Reka, theksoi se Universiteti Shtetëror i Tetovës organizon një aktivitet të rëndësishëm, për prezantimin e ofertës akademike dhe shkencore, për studentët e ardhshëm, për vitin akademik 2010/2011.
Universiteti ynë është i hapur për të gjithë, pa dallime etnike, fetare, gjinore apo racore. Institucioni ynë synon ngritjen profesionale të brezave dhe ngritjen e vetëdijes kolektive. Aktualisht, Universiteti Shtetëror i Tetovës ka në gjirin e vet 11 fakultete, 35 programe studimore, 93 drejtime studimore dhe tre Institute hulumtuese-shkencore, si njësi akademike, përmes të cilave mundëson edhe vijimin e studimeve të disperzuara në disa qytete të tjera, si në Kërçovë, Shkup, Strugë, Kumanovë, ndërsa në vitin e ardhshëm akademik, Universiteti ynë do të disperzohet edhe në qytetin e Dibrës.
Që nga semestri i dytë i këtij viti akademik, Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, funksionon në qytetin e Gostivarit", theksoi në mes tjerash Rektori i USHT-së, prof. dr. Agron Reka.
Në kuadër të manifestimit "Ditët e hapura të USHT", studentët e Fakultetit të Arteve, para të pranishmëve prezantuan mënyrën e punimit të skulpturave dhe pikturave, të cilat zgjuan kërshërinë e vizitorëve të shumtë.
Me rastin e ,,Ditëve të hapura të USHT-së, Fakulteti i Kulturës Fizike organizoi turnir në futboll të vogël, në të cilin përpos ekipit të universitetit, morën pjesë edhe ekipet e shkollave të mesme të Tetovës.
Fillimin e turnirit e shënoi Rektori i USHT-së, prof. dr. Agron Reka, i cili pjesëmarrësve ju dëshiroi çaste të këndshme dhe shoqërim të mirë, ndërsa fitues u dëshiroi që të shpallin ndër fituesit e këtij turniri më të mirët.
Manifestimin Ditët e hapura të USHT-së, me prezencën e tij e nderoi edhe Atasheu për kulturë dhe arsim i Ambasadës së SHBA-ve, në Shkup, Xhon Surfejs, i cili me këtë rast realizoi një takim me prorektorin për arsim të USHT-së, prof. dr. Ismail Ahmedin.
Aktivitetet për të shënuar Ditët e hapura të USHT-së do të vazhdojnë edhe më 29.04.2010, me çrast, maturantët e të gjitha shkollave të mesme, nga vendi dhe më gjerë, kanë mundësi të njihen më për së afërmi me format e organizimit të studimeve, metodat e mësimit, modelin e studimeve dhe kushtet për regjistrim në fakultetet dhe programet studimore të USHT-së.