Padurimi nuk sjell asnjë perspektivë pozitive, përkundrazi. Prandaj unë jam i bindur se nëse shqiptarët do të vazhdojnë të tregojnë vullnetin e tyre të mirë, do të vazhdojnë të tregojnë edhe durimin e tyre për interesa më të mëdha edhe vetë tyret por edhe të këtij vendi
Tirana zyrtare këshillon shqiptarët e Maqedonisë të tregojnë durim e të mos i përgjigjen asnjë provokimi të mundshëm për konflikt. Sipas Zëvendës Kryeministrit, njëkohësisht Ministër i Jashtëm, Ilir Meta, Shqipëria dëshiron të shohë sa më shpejt një kompromis për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë, në mënyrë që vendi të anëtarësohet sa më shpejt në NATO e të ri-nisë rrugën për në BE, ndërkohë që kërkohet edhe zbatimi deri në fund i Marrëveshjes së Ohrit.
Ne mbështesim një kompromis për çështjen e emrit mes Maqedonisë dhe vendit fqinj Greqisë, me ndërmjetësimin e OKB-së, gjë që duhet të ndodhë sa më shpejt në mënyrë që Maqedonia të marrë vendin e saj në NATO dhe të ecë më shpejt drejt integrimit evropian. Ashtu sikurse ne dëshirojmë të shohim edhe më shumë progres në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit si edhe evitimin e çfarëdolloj iniciative që krijon shqetësime dhe reagime të panevojshme, deklaroi Ilir Meta, zëvëndëskryeministër i Shqipërisë.
I pyetur nga Alsat M se çfarë mendon për paralajmërimet se në vend mund të rikthehen konfliktet ndër-etnike nëse zgjidhja e çështjes së emrit zvarritet pa fund, Ilir Meta u përgjigj. Padurimi nuk sjell asnjë perspektivë pozitive, përkundrazi. Prandaj unë jam i bindur se nëse shqiptarët do të vazhdojnë të tregojnë vullnetin e tyre të mirë, do të vazhdojnë të tregojnë edhe durimin e tyre për interesa më të mëdha edhe vetë tyret por edhe të këtij vendi, unë besoj se edhe nga autoritetet maqedonase do të kemi një vullnet më të madh për të bashkëpunuar, si në gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e emrit por edhe për të përmirësuar akoma më tej klimën ndër-etnike në Maqedoni dhe njëkohësisht për të zbatuar Marrëveshjen e Ohrit, vlerësoi deklaroi zëvëndëskryeministri i Shqipërisë, Ilir Meta.
Shefi i diplomacisë shqiptare hodhi poshtë zërat se shqiptarët e Maqedonisë janë më të harruarit ndër shqiptarët e rajonit si nga Tirana ashtu edhe nga Prishtina, duke theksuar se marrëdhëniet zyrtare me partitë shqiptare në vend janë shumë të ngushta. Deklaratat për Alsat M, Ilir Meta i dha gjatë një vizite dy-ditore që zhvilloi në Bruksel.
Ernest Bunguri