E premte, 18.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Sistemi i arsimit të lartë do të ketë ndryshime dhe ato nuk do të jenë as të pakta dhe as të vogla. Këtë e ka pohuar vetë ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, dje gjatë një konference për shtyp, ku ka shpjeguar hap pas hapi çdo ndryshim që do të ndodhë në universitetet shqiptare, duke filluar që nga ky vit.
Arsimi i lartė, reformė totale













Yllka Lezo

Ndryshimet në kartën e Bolonjës / Ciklit i dytë dhe i tretë i studimeve, provimin e anglishtes me detyrim

Ministri Tafaj: Studentët që përfundojnë këtë vit DNP, do të marrin diplomë "Master i Shkencave"


Sistemi i arsimit të lartë do të ketë ndryshime dhe ato nuk do të jenë as të pakta dhe as të vogla. Këtë e ka pohuar vetë ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, dje gjatë një konference për shtyp, ku ka shpjeguar hap pas hapi çdo ndryshim që do të ndodhë në universitetet shqiptare, duke filluar që nga ky vit.

U deshën gjashtë vite që nga implementimi për herë të parë i kartës së Bolonjës në Universitetet Shqiptare për të arritur në këtë pikë ku jemi sot, ekuivalentimi i diplomave. Kjo për të gjithë studentët dhe ata që do të pranohen në auditorë përkthehet në një mundësi më shumë në tregun europian të punës.

Ndryshime do të ketë në të tri ciklet e studimeve universitare
Cikli i parë bachelor

Në përfundim të ciklit të parë të studimeve, studentët nuk do të pajisen më me Diplomë të Nivelit të Parë, por me një diplomë bachelor, e njëjtë me atë të shumë vende të tjera europiane. Kohëzgjatja e programit do të jetë përsëri tri vite dhe numri i krediteve do të jetë po ai, 180. Ministri shpjegoi se, sipas Bolonjës, bachelor mund të jetë i dy natyrave; bachelor i orientuar në një profesion dhe kjo ka kuptim veçanërisht për shkencat teknike; dhe bachelor teorik, pasi për një grup të fushave të shkencës, integrimi në tregun e punës me një diplomë Bachelor, nuk është kaq i lehtë.

"Për këtë qëllim, universitetet duhet të zhvillojnë një bachelor që ka një bazë shumë më të gjerë teorike dhe ju krijon mundësi studentëve që në ciklin e dytë të studimeve të kenë mundësi të zgjedhin, jo një Master në atë fushë ku kanë kryer bachelor-in, por të paktën në 5-6 apo 10 fusha të afërta", - shpjegoi Tafaj, duke cituar fjalën e kryeministrit Berisha, sipas të cilit, studentët duhet të kenë mundësinë që nga bachelori i Ekonomisë studentët të vazhdojnë një Master në të Drejtën Ekonomike.

Cikli i dytë "Master i shkencave"

Në Ciklin e Dytë të Studimeve, do të përdoret përsëri emërtimi Master, por tani jo më Master i Nivelit të parë, por thjesht "Master" dhe në vend të "Diplomë e Nivelit të Dytë", Master i Shkencave.

Në këtë cikël ka edhe një ndryshimin thelbësor, pasi të gjithë studentët që do të vazhdojnë Masterin Shkencor ose atë profesional, do të japin provimin e gjuhës angleze përpara mbrojtjes së tezës ose provimit përfundimtar, me një test internacional. E thënë ndryshe, në Ligjin e ri për Arsimin e Lartë zotërimi i anglishtes në një nivel të certifikuar me testet ndërkombëtare është një parakusht.

"Ne jemi një vend i vogël me popullsi shumë të re dhe kemi një numër të madh studentësh dhe të diplomuarish, jemi të vetëdijshëm që duhet të shkollojmë në një nivel të tillë cilësor, që të jenë të aftë të konkurrojnë për t'u punësuar në tregun e brendshëm dhe atë rajonal", me këto fjalë Ministri i Arsimit argumentoi provimin detyruar të anglishtes.

Master i Shkencave do të quhet Diploma e Nivelit të Dytë dhe ligji e përcakton që ky master është një program studimi i orientuar në kërkim dhe i drejtohet kryesisht grupit të studentëve që janë të interesuar të vazhdojnë edhe studimet e doktoratës.

Masteri i Shkencave zgjat 2 vjet dhe mbyllet me një projekt-kërkimor dhe me një tezë të shkruar të masterit. 30-40 kredite nga 120 kredite gjithsej do të shfrytëzohen për kërkim shkencor dhe për të shkruar tezën e masterit.

Kjo tezë do të mbrohet përpara një komisioni, pasi është dhënë provimi i gjuhës angleze. Krahas Masterit të Shkencave është edhe diploma Master që përfshin studime universitare të ciklit të dytë, të orientuara në një drejtim profesional. Kjo diplomë realizohet për një vit e gjysmë dhe përmban 90 kredite.

Edhe në këtë Master, studentët do të japin provimin e gjuhës angleze. Ministri i Arsimit siguroi se emërtimet e reja të diplomave do të aplikohen duke filluar që nga ky vit. Sipas tij, të gjithë studentët që përfundojnë këtë vit programin e studimit për Diplomë të Nivelit të Dytë, në diplomat që do të marrin do të shkruhet "Master shkencor".

Cikli i tretë Doktoratura

Ndryshimet që ndodhin në studimet e doktoratës lidhen me faktin që pas vitit të parë të studimeve teorike, kandidatët kalojnë në një provim të përgjithshëm teorik që e organizon universiteti. Është universiteti ai që ka kompetencë të plotë të vendosë kritere për kalimin në fazën e dytë të zhvillimit të projektit kërkimor.

Element i dytë i këtij cikli është se kandidatët që regjistrohen në studimet e doktoraturës, përpara se të fillojnë projektin kërkimor, duhet të paraqesin certifikatën e zotërimit të gjuhës angleze të njohur në shkallë internacionale me një numër pikësh që e vendos universiteti. Zotërimi i gjuhës angleze është kusht edhe për programet afatgjata të specializimit.

Posti i pedagogut, vetëm me konkurs

Ndryshime ligji i ri parashikon edhe në politikat e personelit, të menaxhimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe të bashkëpunimit midis autoriteteve dhe organeve kolegjiale, kjo duke qartësuar procedurat e emërimit të asistentëve dhe pedagogëve me konkurs.

Sipas ministrit Tafaj, rregullat do të jenë të qarta dhe ai që klasifikohet i pari, duhet të emërohet. Ndërkohë që as ministria dhe asnjë institucion tjetër nuk ka të drejtë të ndërhyjë në këtë proces që i takon vetëm universitetit. Një tjetër ndryshim që parashikon ligji ka të bëjë me lëvizjen e profesoratit.

Ligji përcakton se personeli akademik ka të drejtë që të punojë part-time në universitete të tjera publike ose private brenda apo jashtë vendit, e drejtë kjo që vlen edhe për autoritetet drejtuese të universiteteve.

"Përmes këtij ndryshim arrijmë të shfrytëzojmë në maksimum kapacitetet njerëzore që kemi. Sistemi ka nevojë për kontributin e tyre, si në fushën e mësimdhënies dhe atë të kërkimit shkencor", - u shpreh ministri.

Sipas ligjit, organet kolegjiale, këshilli i fakultetit dhe senati i universitetit, një herë në vit, duhet të organizojnë një mbledhje të hapur, me pjesëmarrjen e profesorëve dhe studentëve. Në këtë forum dekanët dhe rektorët bëjnë publik raportin vjetor të veprimtarisë, përfshirë edhe atë financiar. /Shekulli/

Publikuar: 02.05.2010 | 19:18
Lexuar: 965 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime