Banorët e fshatit Debellde të Vitisë, të pakënaqur me vendosjen e vijës kufitare në vendin e quajtur Kodra e Furrës, kanë thyer sot gurët që përcaktojnë vijën kufitare, të vendosur nga komisionet ndërkufitare të Kosovës dhe Maqedonisë.
Ata shprehen se komisioni i Maqedonisë për kufirin, nuk po respekton marrëveshjen që pronat e banorëve të mos cenohen dhe apelojnë institucionet kosovare se çdo marrëveshje pa definimin e kësaj zone, për ta është e papranueshme.
Banorët e fshatit Debellde të Vitisë, në shenjë revolte për vendosjen e pikës kufitare në vendin e quajtur Kodra e Furrës, kanë protestuar sot dhe kanë nxjerrë pikat e vendosura ditë më parë që përcaktojnë kufirin Kosovë-Maqedoni nga komisionet ndërkufitare të dy shteteve.
Sipas kryetarit të fshatit Zymri Ilazi, pala maqedonase nuk e ka qëndrimin sikur që edhe është bërë marrëveshja që prona private e banorëve të mos cenohet.
Ai shprehet se problemi qëndron kryesisht tek definimi i vijës tek Kodra e Furrës, ku vendosja e një pike aty cenon një pjesë të konsiderueshme të banorëve prej 12 deri 15 hektar.
Pala maqedonase ka kërkuar që te kodra e Furrës të vendoset pika që do të thotë të implementohet marrëveshja e vitit 2001 mes Shkupit dhe Beogradit pa u pyetur pala kosovare. Ne kemi kërkuar vazhdimisht të na kthehet prona jonë dhe të mos cenohet asnjë hektar, mirëpo tani dalin probleme sërish. Gjithashtu për këto 8 vite sa nuk e kemi shfrytëzuar pronën tonë kemi kërkuar kompenzim, mirëpo kjo po hasë në vesh të shurdhër, tha Ilazi.
Edhe Shemsedin Murseli banor i këtij fshati, rreth 6 hektarë pronë e te cilit gjendet tek kodra e Furrës, kundërshton vendosjen e pikës kufitare në këtë zonë.
Derisa debelldeasit i apelojnë institucioneve kosovare që të mos nënshkruajnë ndonjë marrëveshje me Maqedoninë pa u definuar çështja e problemit tek Kodra e Furrës, zv.kryetari i Komisionit për kufirin të Republikës së Kosovës prof. Murat Meha, ka thënë se të dy komisionet në bashkëpunim me ICO janë duke punuar maksimalisht që të gjendet një zgjidhje në këtë pjesë më të ndejshme, që shpresojmë të është e pëlqyeshme dhe e pranueshme për ty palët , veçanërisht edhe për banorët e Debelldeut.
Meha ka premtuar se banorët e fshatit Debellde janë pjesë e komisionit dhe zgjidhja e këtij problemi do të bëhet në bashkëpunim me ta.