E premte, 18.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Intelektualë të kësaj zone ndihen keq për bjerrjen e të folurit dhe të shkruarit në shqip nga fëmijët e kësaj zone. Megjithëse drejtoresha e arsimit Dibër sqaron se kjo zonë e tëra shqiptare ka një shkollë dhe ka personelin e nevojshëm që fëmijët të mësojnë në shqip. E megjithatë tej statistikave dhe njoftimeve zyrtare, banorët e këtyre anëve, për fat të keq, flasin e veprojnë në "gjuhë të shartuar" sllave, anipse mendojnë gjithnjë shqip!
Trebishti kufitar, fshati ku po bjerret shqipfolja















Gjergj Marku


DIBËR - Ndihen shqiptarë në asht, por jo për nga gjuha. Për fat të keq, komunikimi mes brezave me sa duket sa vjen e nuk po bëhet më në shqipen e ëmbël. Dhe sidomos të mësuarit me taban të shqipes po fishket për ditë e më shumë teksa shkolla e përmendur e tyre, nuk e ka personelin e duhur për të mësuar shqipen e bukur, "gjuhën e nënës", siç shprehen banorët e Trebishtit malor të Dibrës.

Trebishti është një komunë fshatrat e të cilës janë vendosur ngjitur me kufirin maqedonas. Është zona më e thellë e Bulqizës. Këtu dimri merr muaj të shumtë, ndërsa vera është stinë e thatë.

Por, edhe pse janë në rrënjë shqiptarë, banorët e fshatit në jetën e tyre të përditshme flasin në sllavisht. Edhe fëmijët bëjnë të njëjtën gjë. Gjithandej flitet kjo gjuhë, teksa shëtisin në dreka e darka, gëzime e hidhërime, edhe atje ku bëhet pazari tradicional. Jo pak të moshuar nuk dinë fare shqip, ndërkohë më të rinjtë në moshë e flasin ngapak "gjuhën e mëmëdheut", por me një theks të veçantë!

Kështu, banorët e zonës kufitare nuk ngurrojnë të thonë se janë shqiptarë, por gjuha sllave që ata flasin është e trashëguar ndër breza dhe u vjen keq që shqipja po humbet.

Këdo takon aty, të rrëfen se banorët e Gollobordës flasin gjuhën e fqinjëve, atë sllave, e flasin por nuk dinë ta shkruajnë, dhe këtë "gjuhë të shartuar" e transmetojnë ndër brezni. Fatimja, një grua tek të 50-at, thotë se "jemi mësuar me këtë gjuhë, por ne duam që fëmijët të na shkollohen në shqip, por nuk po na e bëjnë si duhet".

Arditi është një nxënës i klasës së tretë në shkollën "10 Dëshmorët" në Trebisht. Rastësisht ka lënë mësimin dhe është bashkuar me më të rriturit në një protestë për ujin vaditës. Vazhdimisht flet me moshatarët dhe prindërit në gjuhën sllave. Mezi i kupton pyetjet tona, por me ndihmën e babait të tij na përgjigjet:
Biseda:

Ardit, kur e keni mësuar gjuhën maqedonase?

Në shtëpinë time dhe kudo tjetër flitet vetëm në gjuhë maqedonase. Jemi mësuar me këtë gjuhë dhe e flasim shumë lehtë dhe pa probleme. Për ne kjo është gjuha që komunikojmë më mirë.
Po në shkollë ç'gjuhë flisni?

Edhe në orët e mësimit kemi dëshirë të flasim në gjuhë të huaj. Librat janë në shqip dhe mësimin nuk mund ta themi në gjuhë maqedonase, por në biseda me njëri-tjetrin dhe mësuesit flasim vetëm në gjuhë të huaj.

A ju qortojnë mësuesit kur ju nuk flisni në shqip?

Mësuesit nuk na bërtasin dhe as kritikojnë. Edhe ata në kohë të lirë apo në biseda me njëri-tjetrin nuk flasin në shqip. Tani jemi mësuar dhe nuk na bën përshtypje.

Do të kishit dëshirë të flisnit vetëm gjuhën shqipe?
Unë dhe të gjithë fëmijët e fshatit kemi shumë dëshirë të flasim vetëm gjuhën shqipe, por mësimi në shkollën tonë zhvillohet me mjaft probleme.

Golloborda, vendi i zanatlinjve të ndërtimit

Trebishti, zonë kodrinore malore është dhe fshati më i madh në zonën e Gollobordës. Pas viteve 1944 numëroheshin 700 shtëpi, të ndara me tre lagje, Bala, Mucin e Çelepi me tre rrugët e këtij fshati piktoresk që zbrisnin nga kodrina në të njëjtin shesh (pazar).
Dikur pazaret bëheshin në Dibër të Madhe dhe më pas kjo traditë pas mbylljes së kufijve vazhdoi në mes të fshatit për ditë të martash dhe kjo ditë është më e zhurmëshja.

Fshati Trebisht zgjatet deri në Diber të Madhe dhe quhet ''Rjekatrebishta,, për vetë faktin e ujërave termale e shëruese që zbresin nga mali Korab në vargmalet e Stogovës. Brenda kufijve të Shqipërisë thërritet Drintrebishta.

Përveç lidhjeve tregtare dikur ka pasur edhe lidhje të forta martesore në Dibër të Madhe e ku familje të tëra e vuajtën mbylljen e kufijve për të mos mundur "me u taku mes vedit" dhe shkëmbyer për dekada të tëra.

Ajo që e dallon këtë krahinë lidhet me zanatin e ndërtuesit. Burrat e urtë, punëtorë e të zgjuar të kësaj krahine u kanë trashëguar fëmijëve zanatin e tyre si mjeshtra të ndërtimeve. Por kanë lënë dhe historinë e këtij vendi të bartur nga njëra brezni tek tjetra.
Traditat u bartën ndër vite. Dhe sidomos tradita e ndërtimit në vepra të ndryshme, shtëpi e kulla.

Vula e duarve të rreshkura por mjeshtërore të gollobordasve gjendet ngado veprave të ndryshme përgjatë 50 viteve, në hidrocentrale, kantiere të shumta ndërtimi, ndërmarrje, fabrika e uzina, në sa e sa pallate që u dhanë formën e plotë qyteteve shqiptare nga veriu në jug.
Por sa e sa trebishtas dhanë kontributin e tyre edhe në vendin fqinj, në Dibër të Madhe dhe në sa e sa vende si mërgimtarë të punës së krahut me zanatin që ata e trashëguan nga të parët e tyre, dhe sot punojnë gjithandej si mjeshtër të përkorë rrugëve të botës.

96 vite arsim shqip në Trebisht

Për Trebishtin mbetet e shënuar data 15 prill 1914, si zonë dygjuhëfolëse, kur dhe u hap shkolla në shqipe pak kohë pas çeljes së një të tille në qytetin e Dibrës dhe kjo gjë nuk ka qenë e rastësishme. Patriotët gollobordas nga fshatrat Ostren, Klenjë, Okshtun, Stëblevë, pasi ngritën flamurin kombëtar, fill pas aktit historik të Vlorës, u bënë promotorët e lëvizjes për gjuhën dhe kulturën shqipe në këtë zonë.

U zgjodh Trebishti si më e madhja e zonës dhe mësuesit e parë nuk munguan. Mësues që vinin nga Dibra e Madhe dhe Elbasani dhe krahina të tjera, ndërkohë që disa vite më pas me mësues të përgatitur në Normalen e Elbasanit u hapën shkolla në fshatrat e kësaj zone, ndërkohë që shumë prej tyre u angazhuan dhe në Luftën e Dytë Botërore për çlirimin e vendit duke dhënë dhe jetën.

Trebishti i dha luftës 10 dëshmorë, emrin e të cilëve e mban shkolla sot.

Për disa vite shkolla erdhi duke i shtuar profilet e saj. Më 1985-n shkolla e Trebishtit kishte arsimin 8-vjeçar me 500 nxënës e arsim të mesëm bujqësor pa shkëputje nga puna dhe arsim të mesëm të përgjithshëm.

...dhe bjerrja e sotme

Intelektualë të kësaj zone ndihen keq për bjerrjen e të folurit dhe të shkruarit në shqip nga fëmijët e kësaj zone. Megjithëse drejtoresha e arsimit Dibër sqaron se kjo zonë e tëra shqiptare ka një shkollë dhe ne kemi personelin e nevojshëm që fëmijët të mësojnë në shqip. E megjithatë tej statistikave dhe njoftimeve zyrtare, banorët e këtyre anëve, për fat të keq, flasin e veprojnë në "gjuhë të shartuar" sllave, anipse mendojnë gjithnjë shqip!..../shekulli/

Publikuar: 02.05.2010 | 06:23
Lexuar: 1015 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet
Rexhep Morina (01/03/2011 06:40:55) Eshte per lavdat puna e juaj qe keni punuar e shkruar qe ne te kemi se qte vajtojme, se une per vedi kam has shum here kur isha i ri ne gjera te ngjajshme me keto qe lexova me larte, psh neper shume zona te Malit te zi se per mbrenda kufijve te shtetit shqiptar se kisha besuar po te mos e kisha lexuar ket artikull.

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime