Nevoja e bashkëpunimit në suaza të hapësirës evropiane të arsimit sipëror dhe bashkëpunimi vëllazëror në kuadër të Rrjetit të Universiteteve Shqiptare kanë rezultuar me nënshkrimin e Marrëveshjes për bashkëpunim, në mes USHT-së dhe Universitetit të Korçës.
Universiteti Shtetëror i Tetovës, i përfaqësuar nga Rektori, Prof. dr. Agron Reka dhe Universiteti ,,Fan S. Noli i Korçës, i përfaqësuar nga Rektori, Prof. as. dr. Gjergji Mero, nënshkruan Marrëveshje bashkëpunimi.
Nevoja e bashkëpunimit në suaza të hapësirës evropiane të arsimit sipëror dhe bashkëpunimi vëllazëror në kuadër të Rrjetit të Universiteteve Shqiptare kanë rezultuar me nënshkrimin e Marrëveshjes për bashkëpunim, në mes USHT-së dhe Universitetit të Korçës.
Kjo Marrëveshje parashikon lehtësime në shkëmbimet arsimore, shkencore dhe kulturore mes Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe Universitetit ,,Fan S. Noli të Korçës, në fushat e mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor, për çështje të përbashkëta, si edhe do ta promovojë veçanërisht zhvillimin e programeve të përbashkëta, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar.
Bashkëpunimi institucional do të zhvillohet edhe në mes Fakulteteve të Mësuesisë, Administrimit të biznesit, Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, Financave dhe Turizmit, Infermierisë dhe fushave të tjera me rëndësi edukative-arsimore, kërkimore-shkencore dhe përgjithësisht në fushat akademike.
Po ashtu, Rektori, Prof. dr. Agron Reka, i shoqëruar nga Prorektori për shkencë, Doc. dr. Reshat Qahili dhe Përgjegjësi i Zyrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare, zotëri Shefik Shehu, gjatë vizitës në Universitetin e Korçës, Rektorin, Prof. as. dr. Gjergji Mero, e njoftoi me zhvillimet e fundit në USHT, procesin mësimor-shkencor, bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar, që zhvillon Universiteti ynë. Rektori i Universitetit të Korçës, me këtë rast theksoi se marrëdhëniet institucionale, vëllazërore në mes institucioneve tona të arsimit sipëror dhe afria gjeografike mundësojnë më tepër që bashkëpunimi në mes këtyre dy universiteteve të zhvillohet në të gjitha fushat mësimore dhe shkencore.
Duhet theksuar se USHT, gjatë vitit akademik 2009/2010 ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi edhe me universitete të tjera në Republikën e Shqipërisë, me disa nga universitetet me të njohura nga rajoni dhe më gjerë.