E premte, 18.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Greta:...Kam edhe një mesazh për gjithë fansat e mi. Uroj që përherë të jeni të lumtur dhe të realizoni të gjitha synimet tuaja në jetë, por gjithmonë duke qenë fisnikë, të sinqertë me veten tuaj dhe me të tjerët. Mos harroni se jeni më të mirët. Ju përqafon fort, Greta Koçi.
Do t’i zgjidhja tė tria
Greta Koçi vjen me bashkëpunimin e saj më të fundit me Stine



Greta vjen në një bashkëpunim me Stine. Cili nga ju të dy i propozoi tjetrit për të qenë bashkë në këtë bashkëpunim?

- Në fakt para disa kohësh unë i pata kërkuar Nestit të realizonte një këngë për mua dhe pas disa javësh kontaktuam sërish dhe Nesti na tha që kishte kompozuar një këngë shumë të bukur. Ishte një bashkëpunim, duet dhe unë me shumë kënaqësi dhe kureshtje shkova për ta dëgjuar këtë këngë. Të them të drejtën në momentin e parë që e dëgjova u impresionova shumë prej asaj kënge dhe sigurisht që pa u menduar thamë të dyja palët: “Do ta realizojmë këtë bashkëpunim”.

Sa përputhet muzika që ti këndon me atë që bën Stine?

- Në këtë bashkëpunim unë mendoj se jemi përputhur me njëri-tjetrin, ndryshe nuk mund të realizohet një bashkëpunim, po nuk pati komponentë të përbashkët për të dhënë fryte, sukses etj. Gjithsesi, unë kam thënë gjithmonë që më pëlqen të këndoj dhe të dëgjoj çdo muzikë që është e bukur dhe kur më pëlqen një material muzikor bëj maksimumin, përkushtohem, dashurohem me këngën pavarësisht çdo lloj rryme qoftë ajo dhe në fund ia dal, përshtatem dhe bëhem një me këngën. Kjo është e sigurt!

Po në të vërtetë jeni miq me Stinen apo thjesht kolegë?

- Sigurisht edhe miq!

Të kemi parë deri tani të bësh bashkëpunime vetëm me këngëtarë meshkuj. Pse kjo zgjedhje?
- Nuk ka ndonjë strategji të veçantë. Thjesht ka ardhur natyrshëm. Ato kompozime kanë qenë të destinuara për t’u kënduar nga një mashkull, fatmirësisht kanë rezultuar të suksesshme. Në fakt nuk e kam menduar të kem bashkëpunim me ndonjë këngëtare, gjithsesi asnjëherë nuk i dihet.

Ndërkohë ne dimë që edhe motra jote, Eni, shumë shpejt do të hedhë në treg klipin e saj të parë. Mund të ketë ndonjë bashkëpunim midis jush?

- E vërtetë! Unë mund të them se jam vërtet krenare që Eni është aq kërkuese ndaj vetes, punon shumë përveç faktit që ka një zë dhe talent që ia ka dhuruar Zoti. Unë mund t’ju them se në një kohë jo shumë të largët do të ndodhë ky bashkëpunim.

Si e shikon bërjen e saj pjesë të biznesit muzikor? E përkrah?

- Disa njerëz lindin për të qenë të veçantë, për të marrë misione të veçanta, ndryshe nga shumica janë të destinuar për një fat ndryshe nga të tjerët. Unë jam e bindur që Eni ka lindur për të qenë pjesë e muzikës, për të jetuar me muzikën sepse kjo është rruga që ajo di të japë maksimumin e vlerave të saj. Kështu që edhe unë sigurisht që e përkrah dhe jam e sigurt që do t’ia dalë mbanë.

Si një këngëtare me disa vite eksperiencë tani, edhe pse e re në moshë, çfarë këshille do t’i jepje motrës tënde që është në hapat e parë?
- Këshillat janë të pafundme për këdo që ka nisur një karrierë, edhe për atë që është në kulmin e shijimit të saj, mos të flasim për dikë që sapo e fillon. Gjithsesi, unë Enin e këshilloj gjithmonë që të mos ndalet kurrë së punuari dhe së kërkuari në këtë rrugë që ka nisur, por gjithmonë duke mos u çekuilibruar, duke ditur ç’kërkon. Diçka tjetër që është tepër e vlefshme dhe që unë i them gjithmonë është: Të duash profesionin tënd, punën tënde, pasionin tënd, sepse po e deshe diçka me gjithë zemër, nuk ka gjë që nuk mund të realizosh.

Kjo do të thotë që në një të ardhme do të jeni motra dhe rivale? 

- Do të jemi motra dhe kolege.

Ka pak ditë që ke mbushur 17 vjeç, më 26 shtator. Ka ndryshuar diçka te ty ndryshimi i moshës me një vit?

- Një vit më e rritur, besoj kjo është ndjesia e parë që ka kushdo që rritet një vit.


Vjet organizove një festë shumë të madhe për festimin e ditëlindjes. Po këtë vit si e kalove atë?

- Këtë vit sërish shumë këndshëm, me familjen time. Preferova një festë më të thjeshtë dhe më personale. Festën e madhe e kam planifikuar për vitin e ardhshëm, në 18- vjetorin tim.

Ndërkohë Greta ti ke vetëm një album në treg që e ke nxjerrë që në fund të vitit 2006. A ke ndërmend të hedhësh ndonjë të dytë në treg?

- Sigurisht që po! Jam duke punuar me këngët e reja, sigurisht të gjitha të përmbledhura në albumin tim të dytë. Nuk mund të përcaktoj se kur do të mund të jetë në treg, por mund të them se jam duke punuar për diçka të bukur që shumë shpejt do të jetë në duart e të gjithë fansave të mi.

Po vera si ka qenë për ty? Vetëm koncerte apo ke pasur mundësi edhe të pushosh disi?

- Të them të drejtën ky sezon veror që sapo lamë pas ka qenë vërtet i ngarkuar për mua. Çdo ditë ka qenë e zënë me koncerte në të gjithë bregdetin shqiptar. Kanë qenë tepër të pakta ditët kur kam gjetur mundësinë të pushoj pak.

Ndërkohë para pak muajsh ti ke bërë një tur në të gjithë Shqipërinë. Si do ta përkufizoje atë eksperiencë?

- Një ndër gjërat më të bukura që më ka ndodhur gjatë gjithë karrierës sime deri tani. Kam ndaluar në çdo qytet të Shqipërisë, ku kam dhënë koncertin tim për të gjithë fansat e mi. Kam testuar në një farë mënyre veten time.

Diçka të veçantë që ti mund të na tregosh në lidhje me këtë tur në Shqipëri?

- Ka shumë të veçanta, sa nuk do të ndaloja po t’i rikujtoja. Ajo që unë kam dashur të arrij me këtë turne ishte njohja më nga afër me publikun. Është krejtësisht ndryshe të të shohin në ekran, të të dëgjojnë në cd dhe krejt ndryshe të të kenë përballë dhe të jem afër tyre. Kam parë se sa shumë i pëlqenin këngët e mia, kam bërë fotografi me ta, jam njohur me ta. Unë gjithmonë pas koncertit kam kërkuar që të takoj sa më shumë persona nga publiku i pranishëm.
Mund të tregoj një rast në qytetin e Lushnjës që më ka bërë vërtet shumë përshtypje. Teksa isha duke kënduar, një vajzë ishte ulur në radhët e para dhe ishte shumë afër me skenën. Gjatë kohës që këndoja vura re që shoqëronte çdo fjalë timen, dinte çdo këngë dhe në duar mbante një bllok të madh, në ballinë ishte fotoja ime dhe gjatë gjithë koncertit e ngrinte lart që të mund të dukej. Kur përfundoi koncerti ishte duke pritur që të takohej me mua. Sapo dola e pashë dhe u njoha me të, bëmë fotografi së bashku, më përqafonte me shumë dashuri dhe kur do të largohej më tha: Greta, shikoje këtë! Më dha bllokun, ku brenda ishin të gjitha fotografitë e mia që kur unë kam nisur të këndoj, çmimet e mia, intervistat dhe çdo gjë rreth meje. Mund të them me plot siguri që ato materiale që kishte ajo vajzë për mua as unë vetë nuk i kam në arkivën time. E përqafoj dhe e përshëndes fort!

Greta, në katër vjet karrierë ti ke marrë dy çmimet e para në festivale, ke 7 klipe, 1 album dhe ke bërë një tur në të gjithë Shqipërinë. Edhe sa do të arrijë Greta?

- Asnjëherë nuk mjaftohem me kaq.

Ndjen konkurrencë të fortë në tregun aktual muzikor?

- Jo, nuk ndiej konkurrencë pasi mendoj se secili nga artistët ka rrymën e tij, të veçantën e tij, fansat e tij dhe fatmirësisht kemi një treg muzikor që është i tejmbushur me këngëtarë dhe është publiku ai që veçon të preferuarin e tij.

Po të ardhmen tënde si e ke ndërtuar në mendjen tënde dhe sa mendon se janë mundësitë që atë çfarë ke në mendje ta bësh realitet?

- Në mendje kam shumë projekte, dëshira, ashtu si çdo njeri. Unë nuk nxitohem në planet e mëdha që kam në mendjen time, mundohem të qartësoj me veten time se ku dua të arrij, çfarë kërkoj dhe këtë e realizoj, por gjithmonë në kohën e duhur. Gjithsesi, ndonjëherë edhe shumë plane nuk duhen bërë sepse e ardhmja është e paparashikueshme dhe unë gjithmonë them: E rëndësishme është të jemi mirë.

Diku je shprehur që, që në klasën e pestë nuk ke pasur më shoqe të ngushta. Po tani cila është mikja jote më e mirë?

- Unë kam një shoqëri të mirë, pavarësisht se koha ime është tepër e kufizuar për t’u përkushtuar si çdo adoleshent tjetër. Gjithsesi, jam e sigurt që është shumë bukur të kesh miq të mirë rreth vetes.

Në gjithë këto vite si personazh publik, të kanë paragjykuar ndonjëherë?

- Përderisa vendos të hysh në një rrugë të tillë duhet të marrësh parasysh të gjitha anët pozitive dhe negative, kjo është normale. Gjithsesi, unë jam munduar gjithmonë të jem Greta e vërtetë, ajo që unë jam, ajo që unë përfaqësoj dhe kjo më bën të jem e qetë në ndërgjegjen time.

Cili është thashethemi i fundit që ke dëgjuar për veten?

- Thashethemet mbeten thashetheme dhe unë personalisht nuk u kushtoj tepër vëmendje.

Si është një ditë e jotja e zakonshme?

- Paraditja më gjen në shkollë deri në orën 14:00, më pas në shtëpi, pushoj pak.
Pasdite punoj me kërcim dhe me muzikë, bëj mësimet, gjej kohë për të parë edhe ndonjë film, takime të ndryshme dhe kështu kalon dita, përjashtojmë fundjavat që nuk ndodhem në shtëpi por në Greqi dhe Itali, pasi kam nisur një turne në të gjitha qytetet e Greqisë dhe Italisë. Këto që sapo përmenda janë të përgjithshmet, por programi i ditës mund edhe të ndryshojë në varësi të planeve që bën, rrethanave, por gjithsesi mundohem që ta programoj sa më mirë kohën time.

Gerta Koci


Po në një ditë pushimi çfarë bën?

- Këto ditë janë të pakta për mua, por kur janë i kaloj me familjen time dhe nuk përkushtohem ndaj asgjëje tjetër.

Për çfarë ke harxhuar më shumë deri sot? Çfarë ke blerë?

- Nuk mund të përcaktoj tani se për çfarë kam shpenzuar më shumë. Unë harxhoj më shumë vetëm për gjërat që më vlejnë shumë, që më hyjnë më së tepërmi në punë, kjo është e rëndësishme.

Ke mbajtur ndonjëherë ndonjë dietë drastike?

- Asnjëherë dhe besoj se nuk është e rekomandueshme për asnjë person.

Çfarë do të zgjidhje dhe pse?


Më mirë deti apo pishinat?

- Nga këto dy alternativa do të zgjidhja më mirë detin, por edhe pishina, por personale ama, më pëlqen.

Më mirë pushimet brenda apo jashtë Shqipërisë?

- Ne kemi një bregdet të shkëlqyer dhe ia vlen që pushimet t’i kalosh në Shqipëri.

Do të zgjidhje të shkoje me familjen për pushime, apo me një grup shoqesh?

- Me familjen.


Më mirë stilistët apo zgjedhjet e tua në veshje?

- Sigurisht që për mua mbeten më të mira zgjedhjet e mia (qesh). Megjithatë në raste evenimentesh preferoj të vishem nga stilistë, ndërkohë që në jetën e përditshme jam vetvetja, vishem ashtu siç mua më pëlqen.

Nga meshkujt stilistë do të zgjidhje Ardi Asllanin apo Joni Peçin?
- Mmm, çfarë pyetje! Të dy janë tepër të talentuar, me aq sa kam parë. Me Joni Peçin kam pasur disa bashkëpunime, me Ardi Asllanin ende, por më pëlqen si stilist.

Nga femrat, Rezarta Skifterin apo Enada At Nikollën?

- Janë tepër të mira të dyja stilistet, por unë e kam shprehur gjithmonë dhe vazhdoj ta shpreh simpatinë time të veçantë për stilisten Rezarta Skifteri.

Nga stacionet muzikore, BBF, Supersonic apo Folk?

- Të tria (qesh).

Nga kompozitorët kë do të zgjidhje?

- Nuk mund të veçoj, në të gjitha bashkëpunimet që kam pasur si me kompozitorë shqiptarë si me të huaj kam mbetur tepër e kënaqur dhe nuk mund t’ju jap një emër konkret.

Një mashkull biond apo brun?

- Sikur nuk kam dëshirë t’u përgjigjem këtyre pyetjeve, por gjithsesi kjo s’do të thotë që nuk kam një opinion. Kështu që, ndërmjet alternativave po zgjedh brunin.

Një romantik, apo një realist?

- Mua më pëlqejnë njerëzit realistë, kështu që e dyta.

Një veturë, apo një fuoristradë?

- Makina ime është fuoristradë.

Në kopertinën e cilës reviste të huaj do të doje të dilje? Dhe çfarë titulli do të doje të shkruanin?

- S’kam ndonjë ide, nuk e kam menduar këtë. Revistat tona janë shumë më të mira se të huajat. Për sa i përket titullit, s’di çfarë t’ju them, ndoshta: Greta Koçi ekskluzivisht për “Paloma” (buzëqesh).


Në fund mbylle intervistën ashtu siç dëshiron ti.

Përshëndetje nga ana ime, së pari për ty personalisht dhe për të gjithë lexuesit e gazetës suaj. Kam edhe një mesazh për gjithë fansat e mi. Uroj që përherë të jeni të lumtur dhe të realizoni të gjitha synimet tuaja në jetë, por gjithmonë duke qenë fisnikë, të sinqertë me veten tuaj dhe me të tjerët. Mos harroni se jeni më të mirët. Ju përqafon fort, Greta Koçi.

Gazeta Paloma

Publikuar: 31.12.2008 | 01:08
Lexuar: 2475 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet
arsimi (23/09/2009 15:15:17) tung si je aje mir shum e bukur je veq vazdo qeshtu se ebukur je
xhulio (24/06/2010 19:52:25) 22222222222

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime