Këta muajt e fundit ka vendosur ti habisë të gjithë. Pasi ndryshoi pamjen duke na lënë të gjithëve me gojë hapur, Çiljeta vendosi të ndërrojë totalisht drejtim në muzikë. Te Give it to mamma e shohim krejt ndryshe nga herët e tjera.
Çiljeta Xhilaga surprizon sërish me performancën e saj te Kënga magjike
- Duke qenë se bëhej fjalë për 10-vjetorin e një evenimenti kaq prestigjioz, thotë ajo, zgjodha të bëja diçka speciale në skenë. Duket se ky është një moment i mirë për Xhilagën, e cila përpos suksesit në muzikë po kalon çaste të bukura edhe në jetën private. Prej katër vjetësh ajo vazhdon lidhjen me Romeon, duke ua prerë shpresat të gjithë djemve që e ëndërrojnë.
Gjatë prezantimit të këngës Give it to mamma, me të cilën konkurroni te Kënga magjike, pamë një Çiljetë krejt ndryshe. Pse ky ndryshim kaq i dukshëm?
- Më vjen mirë që ky ndryshim ka rënë në sy, pasi ky ishte dhe qëllimi im. Më pëlqen të jem gjithmonë ndryshe e të sjell gjëra të reja, që të mos bëhem monotone dhe e mërzitshme për publikun. Me sa shoh, ia paskam arritur qëllimit!
Refreni i këngës thotë: Give it to mamma pra Jepja mamit. Çfarë kërkon që të të japë djali?
- Mua, asgjë faleminderit! Kurse në këngë kërkoj vetëm pak ngrohtësi dhe dashuri, asgjë më tepër.
Po, por thënë në këtë mënyrë, duket sikur po kërkon diçka të ndaluar?
- Përkundrazi! Siç mund të kuptohet fare mirë edhe nga teksti, vajza kërkon ngrohtësi shpirtërore më tepër sesa një ndjesi kalimtare fizike.
Cila është historia e çiftit në këngën Give it to mamma?
- Një djalë dhe një vajzë njihen në dyqanet brenda aeroportit dhe që në këtë takim të parë ata ndiejnë diçka për njëri-tjetrin. Që nga ai moment, çifti bëhet i pandashëm, sepse krijohet një lidhje e gjatë dhe serioze, pavarësisht se dy të dashuruarit u takuan fare rastësisht.
Pra bëhet fjalë për një dashuri me shikim të parë, apo jo?
- Po, kjo është një dashuri me shikim të parë por me jetë të gjatë (qesh).
Give it to mamma është një titull i pazakontë dhe mund të ketë njerëz që sia dinë kuptimin kësaj shprehjeje. Mund ta sqarojmë për publikun çfarë do të thotë?
- Ska ndonjë kuptim të veçantë, është thjesht një batutë tipike e këtyre këngëtareve të mëdha amerikane, kryesisht zezakeve ose grupeve të tipit Pussy cat dolls; ato e fusin shpesh këtë shprehje në këngët e tyre.
Thamë se kënga flet për dashurinë me shikim të parë. Ti personalisht i beson asaj?
- Si jo?! Unë vazhdoj ta përjetoj një të tillë, pasi dashuria me Romeon ka qenë me shikim të parë dhe ne vazhdojmë të jemi të lidhur. Madje duhemi njësoj si ditën e parë.
Po te dashuria që lind mes miqve, pra e kundërta e dashurisë me shikim të parë, beson?
- Absolutisht jo! Unë kam një tip që, po nuk ndjeva që në fillim për një djalë, është e pamundur të më lindë më pas dashuria për të. Përveç kësaj, kur dikë e cilësoj mik, nuk mund ta shoh me sy tjetër, kështu që. Kam pak miq, por të vërtetë ama.
Ke më tepër shokë apo shoqe?
- Çështë e vërteta kam më tepër shoqe sesa shokë, kështu ka qenë gjithmonë. Qëkurse jam dashuruar me Romeon, kaloj shumë kohë me të dhe ai është për mua gjithashtu një shok i mirë. Atë pak kohë që më mbetet pas angazhimeve në muzikë dhe lidhjes, më pëlqen tua kushtoj mikeshave të mia më të afërta.
Kështu që nuk të del koha të bësh shokë të rinj, apo jo?
- Pak a shumë, sepse kam shokët e fakultetit me të cilët kam marrëdhënie të shkëlqyera, ndonëse i kam njohur vetëm këto vitet e fundit.
Mbetemi te fakulteti. Si po shkojnë studimet?
- Shkollën e kam mbaruar, por aktualisht jam duke studiuar për disa provime të prapambetura. Për shkak të profesionit që më merr shumë kohë dhe shpesh më privon nga frekuentimi i leksioneve, më është dashur të lë disa lëndë pas dore, të cilat tani po përpiqem t`i marr.
Pasi ta kesh futur në xhep diplomën, ke menduar të fillosh ndonjë punë në profesionin tënd?
- Për momentin jo, sepse jam e përqendruar plotësisht te muzika dhe nuk më mbetet kohë për asgjë tjetër. Çdo gjë ka kohën e vet, do të vijë edhe momenti kur të gjej punë në profilin tim. Kam akoma për të dhënë në botën e artit, kështu që do të vazhdoj të investoj aty.
Rikthehemi te Kënga magjike... Besoj se ndihesh e privilegjuar që merr pjesë në edicionin special të këtij evenimenti.
- Sigurisht! Kam qenë dhe herë të tjera te Kënga magjike, por kësaj here është ndryshe sepse është 10-vjetori i këtij festivali dhe spektakli është i garantuar. Kisha shumë qejf të kualifikohesha për në gjysmëfinale dhe jam e lumtur që mu plotësua kjo dëshirë.
Sa magjike mendon se është Kënga magjike?
- 100 për qind. Mendoj se është një festival i realizuar me profesionalitet dhe ku konkurrojnë këngë dhe artistë vërtet dinjitozë.
Po për këngët që garojnë sivjet çfarë mund të na thuash?
- Hmm... Sivjet ka vërtet prurje shumë të mira, aq sa mendoj se do ta kem të vështirë gjatë procesit të votimit. Nuk di akoma kujt do tia jap maksimumin e pikëve, pasi është e vështirë të zgjedhësh.
Tashmë i ke bërë flokët bionde, duke ndryshuar krejtësisht pamje. Pse kjo zgjedhje?
- Sepse kisha shumë kohë që si kisha bërë flokët bionde dhe e dija që ky ndryshim do të binte në sy e do të shkaktonte efekt. Dhe vërtet ashtu ndodhi, sepse janë bërë shumë komente rreth pamjes sime të re.
Sidomos në median e spektaklit apo faqet më të njohura në internet, të cilat shkruajnë për VIP-at. Çmendon për reagimet e shtypit pasi ndryshove pamje?
- Që të tregohem e sinqertë, nuk e di fare se çkanë shkruar. U bë një kohë e gjatë që nuk u kushtoj më rëndësi këtyre gjërave. Dikur po, por tani nuk e kam idenë se çfarë thuhet apo shkruhet lart e poshtë.
Gjithsesi, nuk kanë qenë komente negative. Gazetarët thjesht janë habitur me ndryshimin tënd, por më së shumti e kanë lavdëruar atë.
- Më vjen mirë! Edhe miqtë apo të njohurit më kanë thënë se më shkojnë shumë flokët kështu siç i kam. Shpresoj që tu pëlqejë edhe fansave pamja ime e re, ndonëse ata që kam takuar personalisht më kanë thënë fjalë të mira.
Ishte Kënga magjike një tjetër arsye për të ndryshuar?
- Ishte arsyeja kryesore në fakt, sepse një eveniment prestigjioz kërkon një vëmendje të veçantë; një ngjarje speciale kërkon një përkushtim më të veçantë se herët e tjera. Flokët e verdhë i përshtaten shumë këngës dhe modeli i flokëve është fiks për rrymën, e cila ka qenë shumë në modë gjatë viteve 80.
Cili ka qenë argëtimi yt më i zakonshëm këto kohët e fundit?
- Kam qenë shumë e ngarkuar me koncerte, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, gjë që më ka kushtuar jo vetëm shumë lodhje e mund, por më ka marrë një pjesë të mirë të kohës. Kështu që, pas mbrëmjeve të lodhshme me muzikë e udhëtime të gjata, kam preferuar të qëndroj në shtëpi ose duke dalë me njeriun e zemrës.
Çfarë marrëdhënieje ke me paranë? Harxhon pa hesap apo të pëlqen ti kursesh?
- Unë shquhem që prish shumë para (qesh) dhe pa hesap, por kohët e fundit sikur më kanë ardhur mendtë e tregohem më e kujdesshme në këtë drejtim. Jam bërë më ekonomike e kam filluar të kursej nga pak.
Për shkak të krizës financiare globale?
- (Qesh) Pak për këtë, pak sepse kohët e fundit jam ndërgjegjësuar se sa e vështirë është të fitosh para që unë ndonjëherë i prish me aq lehtësi.
Dhe çfarë mund të na thuash në mbyllje të kësaj interviste?
- Shpresoj që pas këngës Give it to mamma të ketë sa më shumë të dashuruar në duty free (dyqanet në aeroporte). Në këtë mënyrë kënga do të krijonte akoma më tepër fansa dhe këto çifte do të kishin një këngë dedikuar atyre.
Gentian Minga, Gazeta Paloma