Kjo vizitë ka qenë e planifikuar qysh në vitin 2006, me rastin e botimit të veprës së tij të parë në gjuhën shqipe Unë jam e kuqja, vit kur ai edhe u shpall fitues i çmimit Nobel për letërsi, që u bë edhe arsyeja e shtyrjes së vizitës së planifikuar.
Shkrimtari i mirënjohur turk, Orhan Pamuk, fitues i çmimit Nobel në letërsi për vitin 2006, do të vizitojë Shqipërinë më 17 dhe 18 maj 2010, me ftesë të botuesit të tij ekskluziv në gjuhën shqipe, Skanderbeg books.
Kjo vizitë ka qenë e planifikuar qysh në vitin 2006, me rastin e botimit të veprës së tij të parë në gjuhën shqipe Unë jam e kuqja, vit kur ai edhe u shpall fitues i çmimit Nobel për letërsi, që u bë edhe arsyeja e shtyrjes së vizitës së planifikuar.
Gjatë kësaj kohe në gjuhën shqipe është botuar pjesa më e madhe e veprave të tij, si romanet Unë jam e kuqja, Bora, Kështjella e bardhë, Shtëpia e heshtjes, Jeta e re, si dhe libri me ese Baulja e babait.
Gjatë këtij viti pritet të botohen edhe romanet Muzeu i pafajësisë dhe Libri i zi, vepra që pothuajse përmbyllin korpusin e tij letrar në shqip. Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, Orhan Pamuk do të jetë i pranishëm në promovimin e veprës së tij të re të botuar në shqip Stambolli, që do ti paraqitet lexuesit shqiptar këto ditë.
Ai do të jetë i pranishëm në dorëzimin e titullit Doktor Honoris Causa, që i jepet atij nga Universiteti Shtetëror i Tiranës dhe në një sërë takimesh me personalitete të artit, të kulturës e të politikës shqiptare, si dhe do të flasë ekskluzivisht për lexuesin shqiptar nëpërmjet ekranit.
Ai ka shprehur dëshirën për një vizitë të veçantë në qytetin e Beratit, i interesuar për thesaret kulturore e muzeale të këtij qyteti të lashtë shqiptar. Orhan Pamuk është një ndër autorët më të dashur për lexuesin shqiptar dhe qysh prej vitit 2006 veprat e tij kanë qenë në krye të listës së titujve më të shitur në libraritë shqiptare.
Orhan Pamuk është nobelisti i parë në letërsi që viziton Shqipërinë dhe vizita e tij pritet të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme letrare të këtij viti./koha.net/