E premte, 18.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Përgjegjen do ta gjeni te politikat e privatizimit piratesk të ndërmarrjeve dhe resurseve të Kosovës. Prandaj nuk janë lejuar e nuk lejohen analiza dhe studime strategjike të interesit kombëtar, debate të gjëra publike, involvim të potencialit përkatës vendor, politika që respektojnë shprehjen e opinionit publik dhe vullnetin qytetar.
Strategjia e Energjisė – barrierė e zhvillimit strategjik









Një vazhdimësi e hidhur në Ministrinë e Energjisë dhe Minierave



Së fundi, kemi miratimin në Kuvendi të Strategjisë së Energjisë (2009-2018). Rishikim pas rishikimi, improvizim pas improvizimi, zvarritje pas zvarritjeje, edhe kjo “strategji” e re /e vjetër/, e përsëritur, që nga themelimi i MEM, ka qenë e ka mbetur në themele të kalbura të AKM-së famkeqe.

Strategjia kaloi “në konfidencë”, e pa debatuar as në MEM, e lere më në publik të gjërë, duke i injoruar komentet dhe rekomandimet, si brenda edhe jashtë kësaj ministrie.

Kjo lloj “strategjie” u bë sipas një modeli klasik kolonial, dhe nuk ka asgjë të përbashkët as me modelet bashkohore, aq më pak me interesat kombëtare të Kosovës. Ka qenë dhe ka mbetur barrierë absurde e zhvillimit të Kosovës, hije e keqe për qytetarët e saj.

Secili që kupton nga strategjia, bën pyetje: pse kjo lloj “strategjie”, a ka në të vërtetë strategji të energjisë Kosova ?

Përgjegjen do ta gjeni te politikat e privatizimit piratesk të ndërmarrjeve dhe resurseve të Kosovës. Prandaj nuk janë lejuar e nuk lejohen analiza dhe studime strategjike të interesit kombëtar, debate të gjëra publike, involvim të potencialit përkatës vendor, politika që respektojnë shprehjen e opinionit publik dhe vullnetin qytetar.

Në realitet, Kosovës i mungon strategjia nacionale e energjisë, siç i mungon strategjia e zhvillimit ekonomik. Dokumenti i miratuar që sot quhet strategji, është më shumë një kopjim programesh e projektesh të ndërmarrjeve energjetike, planifikim punësh operative të sektorit, parashikime pa analiza dhe studime përkatëse, plane të pabazuara për shpërbërjen dhe privatizimin e KEK-ut, objektiva të paargumentuara për ngritjen e kapaciteteve të reja.

Gjithë këtë pështjellim e ka mundësuar edhe amallgami i rregulloreve dhe ligjeve të UNMIK-ut, të Serbisë, dhe të institucioneve të Kosovës. Shembull tipik i destruksionit institucional dhe menaxherial të sektorit të energjisë, është Ligji për Ndërmarrje Publike, me të cilin MEF i ka marrë kompetencat për drejtimin e ndërmarrjeve publike (komentuar me shkrimin tim të datës 9 dhjetor 2009 botuar në gazetën Koha Ditore dhe faqe të ndryshme internetit me titull: “MEF-i barrierë e MEM-it dhe e zhvillimit energjetik të Kosovës”).

Interesi i Kosovës do të dëmtohet gjithnjë e më shumë, derisa të kemi këtë konglamerat ligjesh, e në radhë të parë sistemin zgjedhor i cili në maje të piramidës institucionale sjell mediokër e injorantë, uzurpatorë e kollaboratorë, të vjetër e të rinj. Krahas kësaj, ky model i qeverisjes, i ka izoluar dhe përjashtuar të gjithë ata e ato, që nuk i nënshtrohen këtij sistemi kompromitues, të dizajnuar sipas parimit të njohur “përçaj e sundo”!

Stafi i ndërgjegjshëm civil nuk stimulohet, por demotivohet. Organizimi i brendshëm është katandisur, në veçanti departamentet dhe divizionet, ku do të duhej të zhvillohej veprimtaria kryesore profesionale e një ministrie.

Sistemi aktual i qeverisjes e zbaton diferencimin edhe ndaj ekspertëve të ndërgjegjshëm ndërkombëtarë. Se për çfarë politika dhe strategjie të energjisë bëhet fjalë, tregon edhe largimi së fundi nga MEM i ekspertit të mirënjohur ndërkombëtar Delphia Michael, i angazhuar nga konsullenca ndërkombëtare në grup për analiza strategjike në Departamentin e Energjisë dhe Strategjisë në MEM, grup punues i kërkuar, pastaj i anuluar nga vet MEM.

Pse ndodh kjo, pikërisht kur fillon një punë e mbarë me interes strategjik për Kosovën?! Kjo bëhet për t’i mbuluar planet e përfitimeve private klanore të privatizimit, për të përshpejtuar shpërbërjen dhe shitjen e Korporatës Energjetike të Kosovës - KEK-ut dhe të resurseve energjetike të Kosovës! Për ta realizuar këtë pirateri, duhej ndaluar analiza e planifikimit strategjik sipas modeleve të dëshmura financiare në botë, ashtu siç ishim në rrugë ta bënim me ekspertin e lartëpëmendur në fjalë, praktikë e domosdoshme e të gjitha shteteve të perëndimit, pa të cilën nuk mund të argumentohet e planifikohet vendi dhe pozicionimi real i sektorit tonë në tregun rajonal dhe evropian të energjisë, bërja e reformave dhe investimeve përkatëse në interes të Kosovës.

Kjo rrugë e mbrapshtë filloi nga shtylla e IV e UNMIK-ut, pastaj AKM-ja, e cila, së bashku me horrat e rekrutuar të vendit, brenda e jashtë institucioneve të Kosovës, në emër të mirëbesimit dhe ndihmës, në emër të “reformave moderne” të sektorit të energjisë, morri kontrollin mbi KEK-un, mbolli korrupsionin, degradoi sistemin deri në falimentim, degradoi vlerën e aseteve energjetike, përgatiti shthurrjen e ndërmarrjes në kooperim me politikanë e menaxherë të shthurrur, jo për të investuar mbarë e mirë në Kosovë, por për ta varfëruar, për t’i degraduar e përdorë si plaçkë tregu asetet dhe resurset e Kosovës.

Fatos Aliu

Prishtinë, 12 maj 2010

Publikuar: 13.05.2010 | 18:31
Lexuar: 796 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime