Sipas historianit Halimi, i cili njëkohësisht është edhe cicëron i këtij muzeu, furnizimi i materialeve dhe artefaktet që i përmban Muzeu i Lirisë, sigurohen nga persona të shumtë, patriotë e atdhedashës.
Ashtu siç po kalojnë ditët, në atë mënyrë po vazhdon të ritet interesimi për ta vizituar Muzeun e Lirisë në Shkup. Nxënës nga shkolla të ndryshme, studentë, akademikë, atdhedashës, njerëz të kombeve të ndryshme, funksionarë dhe kategori të llojllojshme njerëzish me kureshtjen më të madhe e ndjekin nga afër historinë, kulturën dhe traditën e shqiptarëve.
Ky muze vizitohet nga dhjetëra vizitorë në ditë, mes të cilëve bëjnë pjesë edhe funksionarë të lartë nga vende të ndryshme, siç ishte ditë më parë edhe rektori i Universitetit të Londrës. Kemi vizitor edhe nga nxënësit e shkollave të ndryshme, tha drejtori i muzeut Baki Halimi.
Sipas historianit Halimi, i cili njëkohësisht është edhe cicëron i këtij muzeu, furnizimi i materialeve dhe artefaktet që i përmban Muzeu i Lirisë, sigurohen nga persona të shumtë, patriotë e atdhedashës. Materialet që përmban muzeu i sigurojmë nga persona të ndryshëm të cilët japin kontributin e tyre në muze me sjelljen e artefakteve shqiptare, ndërsa pritet që ky muze të furnizohet edhe me shumë dokumente historike, tha Halimi.
Muzeu i Lirisë, i cili filloi të funksionojë që nga 28 nëntori i 2009, përmban ekspozita të përmbledhura që nga viti 1878 deri në vitin 2001 me materiale të ndryshme si dokumente, artefakte dhe monumente historike shqiptare. Kemi të ekspozuara materiale të ndryshme të cilat njëkohësisht ndahen edhe në tre pavione, si ai i Lidhjes së Prizrenit, i Pavarësisë si dhe i UÇK-së. Secili prej tyre është i ndarë në stenda që në vete përmbajnë histori të vjetër si dokumente, monumente të ndryshme si dhe foto të personave që gjithmonë do të mbesin legjendë e historisë së shqiptarëve, tha drejtori Baki Halimi.
Muzeu është i pari i këtij lloji në Maqedoni dhe përmban dokumente të cilat shqiptarët e Maqedonisë më parë kanë mundur ti shohin vetëm në Tiranë ose Prishtinë. E veçanta e këtij Muzeu qëndron në faktin se këtu ruhen dëshmitë më të reja të përpjekjeve të shqiptarëve për liri.