E premte, 18.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Kryeministri Nikolla Gruevski në intervistën për ALSAT-M thotë se bastisjet e policisë nuk janë të drejtuar kundër shqiptarëve, por kundër kriminelëve.
Gruevski: Marrėdhėniet me BDI-nė, tė mira





Alsat-M: Zoti kryeministër pas aksionit të ndërruar nga ana e policisë në Çair dhe Haraçin, revolta tek shqiptarët sa vjen e po rritet, vallë a bëhet fjalë për aksion të vazhdueshëm, e cila dëshiron të provokojë shqiptarët apo bëhet fjalë për diçka tjetër?

Gruevski:Dua t'u them se në Qeveri kemi një marrëveshje se pa marrë parasysh për cilën bashkësi etnike, fetare, kombëtare bëhet fjalë, nëse merren me krim, organet e shtetit duhet të luftojnë kundër tyre. Dhe nga ky aspekt kemi qëndrim të përbashkët të gjitha partitë politike në qeveri përfshirë VMRO –DPMNE –në dhe BDI–në dhe partnerët më të vegjël që janë në koalicionin qeveritar. Në këtë kontekst ishte edhe aksioni që u ndërmor para disa ditësh për të cilin më pyetni dhe dua të cek se në atë aspekt Ministria e Punëve të Brendshme ndërmori aksione me urdhër të gjykatës. Pra, gjykata dha urdhër për të gjitha rastet për disa se duhet të bëhet bastisje, për të tjerë që duhet të dërgohen në stacion policor, për disa që të merren në pyetje, për të tjerët që duhet të dalin para gjyqi. Dhe ashtu siç ishte e theksuar në urdhrin nga ana e gjykatës deri te MPB-ja ashtu edhe veproi Ministria e Punëve të Brendshme. Në mesin e atyre që ishin të thirrur në polici kishte edhe maqedonas. Personalisht bisedova me ministren e Punëve të Brendshme, ajo mi tregoi urdhrat nga ana e gjykatës dhe me të vërtetë urdhra të tillë nga ana e gjykatës ekzistojnë, më tregoi se ka edhe për shqiptarë, ka edhe për maqedonas dhe këtu nuk ka ngjyrime, nuk ka kombësi. Kur bëhet fjalë për luftë kundër krimit, njerëzit nuk mund të ndahen. Aksioni nuk ka asnjë lidhje etnike dhe se është e drejtuar kundër shqiptarëve, por është e drejtuar për të kërkuar kriminelë të caktuar. Ndoshta në disa raste kanë qenë të thirrur njerëz të cilët nuk kanë qenë të kyçur, megjithatë gjykata ka kërkuar nga ana e policisë t'i thirrë dhe të bisedojë me ta. Për disa nga ata ia kërkuar madje që të dalin edhe para gjykatës, për disa nga ata ka kërkuar që të bëhen bastisje dhe saktë është precizuar në urdhrin e gjykatës se si duhet të veprohet. Edhe njëherë dua të theksoj se aksioni nuk është as me prapavijë politike as etnike ose cilado qoftë prapavijë, por thjeshtë si në të gjitha aksionet tjera MPB-ja përpiqet që t'i zbatojë urdhrat gjykatës dhe të luftojë kundër krimit dhe korrupsionit.

Alsat-M: Mirëpo, aksioni zhvillohej vetëm në familjet shqiptare?

Gruevski: Jo. Bastisje dhe thirrje në bisedë kishte edhe te maqedonasit. Në rast se kanë qenë të përfshirë edhe maqedonasit, mund të ketë situatë ku nuk ka maqedonas, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të bëhet aksion për një njeri të caktuar që e shkel ligjin, vetëm e vetëm se janë shqiptar. Ngandonjëherë bëhen aksione ku ka vetëm maqedonas, ndonjëherë bëhen aksione ku ka vetëm turq, rom, serb etj. Kështu që këtu nuk mund të punojmë në parimin etnik. Ose e lufton krimin sa mundesh dhe nuk shikon asgjë tjetër, ose fillon punët t'i bësh me seleksionime. Atëherë humbet i gjithë kuptimi luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Unë në përgjithësi jam i kënaqur që me atë kontekst si dhe se me çfarë filozofie shikohen punët, kemi mendim të përbashkët me të gjitha partitë. Kuptohet se nëse diku dhe dikur ndodhin shkelje, gabime, në të kaluarën ka ndodhur që ndonjë polic të bëjë ndonjë shkelje, ose të tejkalojë normat e parapara, në atë rast MPB ka kontrollin e saj të brendshëm, ajo bënë shqyrtimin e fakteve dhe në bazë të atij shqyrtimi, nëse me të vërtet ka pasur shkelje të normave, pason dënim për policin, i cili ka bërë atë shkelje, por së pari duhet të vërtetohet. Pasi që ka shumë njerëz, të cilët kanë lidhje me krimin, dhe si rrëfim primar e kanë se polici ishte fajtor unë nuk jam fajtor, ai më bëri këtë - ma bëri atë. Prandaj ekzistojnë komisione të brendshme që bëjnë shqyrtimin e fakteve.

Alsat-M: Të gjitha këto aksione sa kanë të bëjnë për ta minimizuar faktorin shqiptar në Qeveri dhe të dëshmohet se BDI-ja s'ka asnjëfarë lloj ndikimi?

E dini se çfarë, ... personalisht do të flas si njeri, ne nuk luajmë në atë mënyrë, veçanërisht jo me bashkëpartiakët tanë, të cilët i kemi partner në koalicion. Unë si kryetar i VMRO- DPMNE –së në një periudhë kam qenë partner me PDSH-në tani jam BDI- në. Edhe PDSH-ja edhe BDI-ja këtë gjë e dinë, se kur jam me dikë në partneritet, kur kemi marrëveshje, kur punët i zgjedhim përmes dialogut, për mua personalisht dhe për bashkëpunëtorët e mijë, nuk luhet mbas shpine, nuk luajmë ashtu. Në skenën politike ka edhe lojtarë të tillë, të cilët gjithë jetën luajnë ashtu, edhe ata të cilët merren me politikë, gazetarë, mediume, politikanë,analistë e dinë shumë mirë se stili ynë nuk është i tillë.
Stili jonë i punës nuk është i tillë, nuk ka qenë i tillë edhe kur kemi qenë me PDSH-në, këtë e dinë mirë edhe në PDSH, nuk është as tani kur jemi me BDI-në. Kur punojmë me dikë, kur kemi ndërtuar partneritet, kur kemi ndërtuar besim, punojmë me parime, me biseda, me komunikim, me bashkëpunim, me letra të hapura dhe me bisedë të sinqertë. Kështu që mos u përpiqni të kërkoni tek ne lojëra të tilla sepse nuk do të gjeni. Ne nuk e luajmë atë lojë, ne jemi në ligë tjetër, ekzistojnë njerëz që luajnë në ligë të tillë, ne nuk luajmë në atë ligë, ne nuk e luajmë atë sport, ne merremi me tjetër sport.

Alsat-M: Si i vlerësoni raportet me BDI-në? A janë në krizë këto raporte?

Unë mendoj se raportet me BDI-në janë të mira, të mos them të shkëlqyeshme. Kemi komunikim të rregullt edhe me kryetarin e partisë Ali Ahmeti edhe me të tjerët, me Abdulaqim Ademin, i cili është nënkryetar i Qeverisë kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm. Është e natyrshme kur udhëhiqni qeveri, institucione, që kohë pas kohe te keni probleme të cilat duhet zgjidhur. Dhe deri më tani ne të gjitha problemet i kemi zgjidhur me dialog, duke mos ikur nga problemi por duke u përballuar dhe duke zgjidhur atë. Çdoherë do të ketë individë, të cilëve u mungon diçka, nuk janë të kënaqur, por në përgjithësi si dy parti politike, në nivelin në të cilin unë komunikoj në Qeveri, kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm me ministrat, kam bashkëpunim të shkëlqyeshëm me zëvendës ministrat dhe me funksionarët tjerë të BDI-së. Gjithashtu bashkëpunëtorët e mi të cilët janë nga VMRO-DPMNE tregojnë se kanë komunikim të mirë dhe gjithashtu edhe deputetët e VMRO-DPMNE-së në Parlament, nuk kanë vërejtje rreth bashkëpunimit me deputetët e BDI-së. Por, do të përsëris edhe një herë, çdoherë do të ketë individ qoftë në partinë tjetër, qoftë në partinë tonë, i cili ka mendim të ndryshëm. Megjithatë në jetojmë në demokraci dhe përfundimisht çdo deputet, çdo ministër, çdo funksionar shtetëror dhe pjesëtar i partisë ka të drejtë ndonjëherë të mendojë ndryshe, kjo është pjesë e demokracisë. Unë kur them se kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm mendoj në shumicën e funksionarëve në njërën ose tjetrën parti të cilët kanë detyra të rëndësishme. Kemi ndërtuar besim, të cilin e ndërtojmë me qasje të sinqertë ndaj punëve, me bisedë të sinqertë, me përballje me problemet e jo ikje nga to. Çdoherë kërkojmë që problemet ti zgjidhim në mënyrë ligjore, me mirëkuptim dhe respekt ndaj njëri tjetrit. Ky është stili jonë i punës, kurse probleme ka pasur dhe do të ketë. Për këtë jemi në këto funksione, që t'i zgjidhim problemet. Nuk ka qeveri dhe nuk ka koalicion pa probleme. Edhe sikurse të kishim qenë vetëm në Qeveri si VMRO –DPMNE, përsëri do të kishim hasur në probleme mes njërës ose tjetrës rrymë, funksionarë të pakënaqur. Kur në një ekip punojnë shumë njerëz, është e natyrshme të paraqiten pakënaqësi, të cilat mund të zgjidhen përmes dialogut. E ku më kur ka aq shumë partnerë të koalicionit. Unë edhe në të kaluarën kam qenë në koalicione, kam qenë ministër i Financave në një qeveri tjetër, gjithashtu isha kryeministër në qeverinë e shkuar dhe e di se çfarë do të thotë koalicion. E di se ajo asnjëherë nuk mund të jetë ideale, por mund të jetë e mirë, e vendosur mbi baza stabile me bisedë të drejtpërdrejtë, të sinqertë dhe të hapur. Tani për tani mund të them se kemi një raport të tillë në punën me udhëheqësinë e BDI-së.

Alsat-M: A kanë ndikuar aksionet e fundit policore në raportet e mira, sepse ju vetë cekët se janë të mira, jo të shkëlqyeshme por të mira. Dje kishte deklarata nga . siç i quajtët ju, individë të BDI-së se ekzistojnë vështirësi në funksionimin. A është aksioni policor një nga shkaqet ?

Gruevski: Edhe tek ne do të hasni individë të cilët mendojnë se ajo që kemi nuk është më e mira. Çdoherë do të hasni në një gjë të tillë dhe nëse nesër shkoni në parlament dhe pyesni disa njerëz, jam i sigurt se do të hasni në pakënaqësi, nga BDI, nga bashkëpunimi etj. Pra, diçka tjetër është individ, kurse diçka tjetër është komunikimi i kryesive të partive për të gjitha çështjet tjera të rëndësishme. Përgjigja tjetër është ajo që thoni ju se aksioni policor i ka ftohur raportet mes nesh. Ne për këtë kishim komunikim, u sqaruan paqartësitë, kuptohet, vazhdojmë me atë komunikim dhe mund të them se kjo nuk mund t'i dëmtoj raportet për shkak se kjo është pjesë e luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Në këtë luftë duhet të jemi të qëndrueshëm, duhet të vazhdojmë, krimi nuk njeh as ngjyra, as bashkësi etnike, as kombësi. Dhe këtu nuk mund të bëjmë ndarje. Ne qysh të nesërmen kishim aksion policor ku u arrestuan 18 maqedonas dhe asnjë shqiptarë. Çka duheshe të bëjmë tani, të na zemërohen maqedonasit që në aksionin policor nuk ka pasur asnjë shqiptar ose turk? Ne aspak nuk i shikojmë ashtu gjërat, thjesht nisemi nga dëshmitë dhe nga urdhrat e gjyqit se ku duhet të bëjmë bastisje dhe MPB e bënë këtë. Përsëris, nëse ndonjë polic bënë shkelje të autorizimit, ai do të përgjigjet për këtë. Por kjo nuk mund të jetë pasqyre e punës së përgjithshme të MPB-së ose për punën e përgjithshme të Qeverisë.

Alsat-M: Edhe një pyetje për në fund. Lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi në një nga intervistat e fundit gjatë këtyre ditëve në Kumanovë, deklaroi se është e mundshme që pas zgjedhjeve në muajin mars të jetë pjesë e qeverisë suaj si partner i vetëm nga blloku politik shqiptar?

Gruevski: Unë për herë të parë dëgjoj këtë deklaratë, nuk kemi pasur biseda të tilla, kështu që nuk mund të pohoj një gjë të tillë për shkak se nuk ka pasur kurrfarë bisede në këtë aspekt dhe për momentin as që ka iniciativë të tillë.

Alsat-M: A do të kishit pranuar?

Gruevski: Ne kemi partner të koalicionit e ai është BDI. Me sa mbaj mend, PDSH as që mendonte të hyjë së bashku me BDI-në në koalicion, kështu që për momentin nuk ka iniciativë të tillë.

Alsat-M: Faleminderit!

Gruevski: Gjithashtu.

Alsat-M

Publikuar: 31.12.2008 | 13:18
Lexuar: 794 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime