E premte, 14.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Këto ditë Medreseja Isa Beu mbushë plotë 30 vjet funksionimi që kur u rihap sëfundmi. Me këtë rast, le të jetë ky shkrim një shpalosje e historikut të kësaj vatre të arsimit fetar e kombëtar
Vatra që kaliti teologë e atdhetarë






H. Sulejman ef. Rexhepi

Këto ditë Medreseja Isa Beu mbushë plotë 30 vjet funksionimi që kur u rihap sëfundmi. Me këtë rast, le të jetë ky shkrim një shpalosje e historikut të kësaj vatre të arsimit fetar e kombëtar

Shkolla e Mesme Islame “Medreseja Isa Beu” është shkollë e orientuar profesionale dhe bën pjesë në rangun e shkollave të mesme. “Medreseja Isa Beu” vazhdon traditën e medresesë se dikurshme me të njëjtin emër, e themeluar në shekullin XV, me ardhjen e Osmanlinjve në këto troje. Ajo mban emrin e themeluesit të saj Isa Beut, i cili ka qenë i biri i Is’hak Beut

Medreseja që nga themelimi e deri më sot ka pushuar së punuari disa herë, për shkak se objekti i Medresesë është shkatërruar nga luftërat dhe fatkeqësitë e tjera. Për herë të parë ka pushuar më 1689, kur gjenerali austriak, Pikolomini me ushtrinë e tij, e dogji Shkupin.

Për një periudhë të gjatë kjo vatër edukativo arsimore nuk punoi. Me iniciativën e prijësve fetarë dhe intelektualëve të atëhershëm, më 1932 u rindërtua, po në tokën e Gazi Isa Beut afër xhamisë së tij të bukur është ngritur ndërtesa moderne e medresesë e quajtur me po të njëjtin emër, kështu që në vitin 1936 u krijuan kushte për të filluar me punë të rregullt, do të vazhdon të punon deri më vitin 1941.

Medreseja e Isa Beut gjatë kësaj periudhe, përveç që bënte përgatitjen e kuadrit në aspekt profesional, ajo në prioritet kishte edhe rrafshin kombëtar duke iu kundërvënë edhe planit serbo-sllav që përmes kinse reformave agrare të privonte myslimanët nga e drejta pronësore dhe njëkohësisht ti detyronte ata të shpërngulen për në Turqi. Në këtë rrafsh, medreseja Isa Beut mbrojti idenë dhe parimin se muslimanët e këtyre trojeve janë të fuqishëm në fenë dhe kombin e tyre vetëm në vendin e tyre. Këtë më së mirë e vërteton vetë fakti se 1941 nxënësit e medresesë Isa Beu, në krye me pedagogun e tyre Bedri Hamidin, të veshur me uniform kombëtare organizuan një protestë në Shkup, në përkrahje të Shqipërisë Etnike. Gjithashtu ishte sfidues i përbetuar i Medresesë së Aleksandërit të Madh e cila prodhonte kuadro jo në dobi të islamit dhe muslimanëve, por në dëm të tyre, nga vetë fakti se në atë Medrese nuk kishte asnjë mësimdhënës musliman, qoftë edhe në lëndët fetare.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë botërore dhe, instalimit të sistemit monist në trojet mbarëshqiptare ku jetonin myslimanët në Ballkan, në njërën anë dhe, në anën tjetër mos funksionimi i asnjë medreseje në këto troje, vështirësoi frymëmarrjen e islamit dhe të myslimanëve në vendin tonë. Andaj, për tu liruar nga kjo frymëmarrje e rënduar dhe për të ruajtur kontinuitetin e vlerave islame, Bashkësia Islame në fund të viteve të shtatëdhjeta dhe fillim të viteve tetëdhjeta me ndihmën e dashamirësve të shumtë të mësim besimit islam në këto troje, duke parë si nevojë imanente dhe si rrugëdalje të vetme, nisi iniciativën për rithemelimin e Medresesë Isa Beu. Themelimi i medresesë Isa Beu ka ndodhur në kushte dhe rrethana të vështira politike, shoqërore dhe ekonomike, ngase në këtë periudhë dominonte sistemi i egër totalitar komunist. Mirëpo, pas vitit 1981 gjendja e muslimanëve e veçanërisht shqiptarëve u vështirësua edhe më, ngase sistemi brutal komunist filloi një politikë barbare ndaj institucioneve fetare nën pretekstin se po e ndiqnin nacionalizmin, irredentizmin shqiptarë dhe fundamentalizmin islam kudo që ata jetonin. Marrë parasysh këto rrethana të vështira iniciativa për themelimin e kësaj vatre edukativo arsimore hasi në peripeci të shumta të natyrave të ndryshme, por falë Allahut xh.sh., vullnetit dhe këmbëngulësisë së besimtarëve islame në këto troje, iniciativa u kurorëzua me sukses në vitin 1984, ku dhe u hapën dyer e kësaj shkolle për gjeneratën e parë.

Edhe pse në fillim qëllimi i hapjes së kësaj vatre edukativo arsimore ishte përgatitja kadrovike për nevojat e BI në RM, me punën e saj kjo medrese dëshmoi për rezultatet e suksesshme, dhe shumë shpejt u paraqit nevoja që kjo qendër e arsimimit islam të jetë qendër e arsimimit islam ballkanik. Kështu që Medreseja Isa Beut, duke hapur dyert për arsimim edhe për nxënës nga vendet tjera Ballkanike si, Shqipëria, Kosova, Bullgaria, Mali i Zi, Sanxhaku, Presheva dhe nga diaspora, edhe praktikisht dëshmoi për vlerat dhe kualitetin e saj.

Pa dyshim se medreseja Isa Beu ka qenë dhe, edhe më tutje ngelë shkolla e traditës së shkëlqyeshme, kultivuese e mirëfilltë vlerave fetare, morale dhe shkencore, duke ndjekur rrugën e metodologjinë shkencore islame, ka arritur suksese të pa mohueshme në vetëdijesimin dhe afirmimin e muslimanëve në këto treva. Ajo është bartëse dhe garancë e mësimeve të shëndosha islame duke mbrojtur bijt dhe bijat e saja nga devijimet sektare dhe ngjyrave të tjera që rëndë e dëmtojnë islamin dhe muslimanët. Angazhimi i medresesë në përgatitjen e kuadrove fetarë dhe thirrësve të islamit është aq i madh sa që sot mbi 80 për qind të xhamive në vendin tonë dhe jashtë saj e kryejnë detyrën e imamit, mësimdhënësit fetarë apo janë të angazhuar në institucionet e BFI-së, po ashtu edhe në institucionet shtetërore nga administrata e deri në korin diplomatik janë të kyqur ish nxënës të medresesë. Prandaj investimin që ka bë popullata në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e këtij institucioni është duke iu kthyer në mënyrën më të mirë.

Aktivitet e Medresesë

Gjatë këtyre tri decenieve medreseja me nxënësit vazhdimisht ka shënuar aktivitete të nduarnduarta nga sfera të ndryshme, duke filluar nga ajo fetare, shkencore, letrare, sportive etj. Disa herë ishin jo vetëm pjesëmarrës në garat të ndryshme si vend ashtu edhe jashtë, por shumë herë kishin arritur edhe suksese të shkëlqyera, siç janë garat Kur’anore Ballkanike në Shqipëri-, garat kur’anore me karakter Evropian në Zagreb dhe ato botërore në Dubai, Meke etj. Gjithashtu ishin pjesëmarrja në garat ndërkombëtare të organizuara nga Akademia e gjuhës Arabe në Turqi, që ishin organizuar në tri disiplina, Oratori Poezi dhe Ilahi, ku Medreseja Isa Beu mori vendin e parë në lëmin e poezisë.

Në anën tjetër, aktivitetet e nxënësve të Medresesë përveç prezencës së tyre nëpër xhemate gjatë muajit të Ramazanit, ata vazhdimisht gjendeshin në mesin e tyre edhe përmes rasteve tjera. Në këtë sferë, nxënësit përmes korit të Medresesë shpeshherë ishin shfaqur edhe nëpër xhemate por edhe nëpër mediumet publike, e veçanërisht gjatë evenimenteve të llojllojshme të organizuar nga Medreseja dhe BFI. Gjithashtu në opinion mbahen mend edhe organizime të mbrëmjeve letrare dhe dramaturgjisë siç është rasti i dramës “Ezani i Bilalit”. Mbi të gjitha do të ngelë në kujtesë edhe ngjarja historike e organizuar nga BFI e që u mbajt në këtë Medrese: Simpoziumi mbarë kombëtar për Shqiptarët e Maqedonisë.

BFI duke qenë e vetëdijshme se shoqëria islame do të ishte e mangët në cilësi dhe organizim pa arsimimin e femrës, vendosi që edhe kësaj sfere ti qaset me shumë përkushtim. Pra të vetëdijshëm se vetëm një femër e edukuar në frymën Islame do të jetë e gatshme t’u përgjigjet sfidave të kohës, Bashkësia Fetare Islame filloi që edhe praktikisht të shtrijë veprimtarinë e saj në këtë sferë, me hapjen e paraleleve për vajza.

Edukimi i femrës muslimane zë një vend të rëndësishëm në Medresenë Isa Beu. Me kalimin e kohës dhe me krijimin e kushteve Bashkësia Fetare Islame e zgjeron rrjetin e shkollimit të Medresesë me hapjen e paraleleve të shtrira. Kështu që me fillimin e vitit shkollorë 2004/05 fillon me punën e saj paralelja e shtrirë e vajzave në Tetovë. Në vitin shkollorë 2006/07 fillon me punë paralelja e shtrirë e vajzave në Shkup. Në vitin shkollor 2008/09 fillon me punë paralelja shtrirë e vajzave në Gostivar. Vlen të theksohet se pikërisht në momentet kur pushteti mendonte se po e pastron Maqedoninë lindore nga gjurmët e islamit, pikërisht në këtë kohë BFI arriti që në Shtip të hapë degën e medresesë Isa Beu, si qendër edukativo arsimore islame, që filloi me punë në vitin shkollor 2005/2006, e cila bëri që islami të ringjallet edhe në këto troje të Maqedonisë lindore.

Ky është një hap i madh për Bashkësinë Fetare islame në Republikën e Maqedonisë sepse krahas mashkullit, ajo me edukatë islame dhe me mësim-besim fetarë do ta edukojë edhe femrën si një bashkudhëtare e rëndësishme e njerëzimit në jetë. Duke marrë parasysh rolin e saj në familje ku apriori fillon të zbatohet edukata për brezin e ri, këto paralele do të japin një kontribut tejet të rëndësishëm. Zoti na ndihmoftë!

(Autori është Kryetar i BFI-së në RM)

Publikuar: 20.10.2014 | 14:46
Lexuar: 1256 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime