E hënë, 19.11.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

A e dëshiron(te) Beogradi këtë? Jo. A mundi ta ndalte? Jo. Vetëm se po të ishte më largpamëse në vitet ’90, kjo Serbi sot lehtë do të mund të ishte pjesë e BE-së, me imazh pozitiv ndërkombëtar dhe – ç‘është më e rëndësishmja – do të ishin gjallë edhe nja 13.500 shqiptarë, serbë e persona të tjerë që humbën jetën në luftë (pa llogaritur rreth 120.000 të vrarët në Bosnjë e Kroaci). S’do t’i vdiste presidenti si i akuzuari kryesor në një qeli të Hagës, ndoshta edhe s’do t’i vritej “për tradhti” në mes të Beogradit një kryeministër.
Njëherë NATO-ja, tash UEFA


Adriatik KELMENDI

NJËHERË SERBIA e kishte detyruar NATO-n që ta ndëshkonte për shkak të shqiptarëve. 15 vjet më pas po do ta detyrojë UEFA-n që ta ndëshkojë për shkak të shqiptarëve. E në të dyja rastet, si në politikë e si në futboll, ka pasur shumë mundësi që të mos dalë krejtësisht humbëse, e aq më tepër, të mos mbetet e padinjitetshme. Sot Kosova është shtet i pavarur, i cili – s’kam as më të voglin dyshim – në fund do të njihet edhe nga Serbia. A e dëshiron(te) Beogradi këtë? Jo. A mundi ta ndalte? Jo. Vetëm se po të ishte më largpamëse në vitet ’90, kjo Serbi sot lehtë do të mund të ishte pjesë e BE-së, me imazh pozitiv ndërkombëtar dhe – ç‘është më e rëndësishmja – do të ishin gjallë edhe nja 13.500 shqiptarë, serbë e persona të tjerë që humbën jetën në luftë (pa llogaritur rreth 120.000 të vrarët në Bosnjë e Kroaci). S’do t’i vdiste presidenti si i akuzuari kryesor në një qeli të Hagës, ndoshta edhe s’do t’i vritej “për tradhti” në mes të Beogradit një kryeministër.

Dhe, po, të mos harrojmë, s’do të hynte në histori si vendi që u bombardua nga aleanca më e madhe ushtarake në historinë e njerëzimit – Pakti NATO. Ngjashëm ndodhi edhe me ndeshjen e futbollit Shqipëri – Serbi në Beograd. Gjithë çka kishte në dorë e përmbysi. Terreni i vet, tifozët e vet, ekipin më të kompletuar, një traditë suksesesh sportive prapa – recetë e përkryer për fitore. Me sjelljen në fushë dhe pas fushës, rrezikojnë të humbasin shumë më tepër sesa një fitore të lehtë të cilën mund ta kishin.

HAJDE PO E ZËMË se po e pranojmë për një moment “argumentin serb” se droni me flamur të Shqipërisë etnike ishte një “provokim i rëndë”. A s’ka mundur që të pritet që flamuri të ulej në tokë, të hiqej nga fusha nga personat zyrtarë dhe pastaj të vazhdohej loja? Tifozët e sportit, dhe jo vetëm ata, mund të numërojnë me qindra raste të hyrjeve “provokuese” në fusha sportive, të cilat kryesisht janë përfshirë në kronikat “No Comment” të stacioneve televizive dhe me aq kanë përfunduar. Ka pasur raste kur në fusha janë futur kafshë me mbishkrime politike, ka pasur persona krejtësisht lakuriq që kanë vrapuar nëpër fushë, por gjithmonë është pritur që zyrtarët e ndeshjeve të hyjnë dhe t’i nxjerrin nga terreni. A s’ka mundur njëjtë të veprojë edhe futbollisti serb, i cili e kapi flamurin për ta hedhur në tokë, duke provokuar kështu kundërreagim të futbollistëve shqiptarë dhe futjen e tifozëve problematikë serbë në fushë për t’u rrahur?! Dhe, ky ndodhi të jetë vetëm incidenti (qëllimisht po e shmang nocionin provokim) i fundit në stadiumin beogradas, pas thirrjeve për vrasje të “shiptarëve”, fishkëllimave ndaj himnit shqiptar dhe hedhjes së flakadanëve në fushë. Mirëpo, natyrisht, siç edhe do të pritej, pasojat nuk mund të mbesin vetëm në fushën sportive, qoftë edhe me humbjen e përfaqësueses serbe. Përnjëherë, pjesa më e madhe e medieve serbe u përfshinë në reagime aq të njëanshme, me tone edhe fashiste ndaj shqiptarëve, të ngjashme me ato të viteve të Milosheviqit. Nikoliq, Vuçiq e Daçiq, tre liderët serbë që në 3-4 vjetët e fundit janë lodhur duke i thënë botës se nuk janë më ata të vjetrit, filluan t’i përshkruajnë shqiptarët me frazat që i kanë shqiptuar me gojët e tyre “të vjetra”.

Si pasojë, nxitën një përbashkim aq të madh të shqiptarëve, nga të katër anët, çfarë s’e kishim parë që nga koha kur flitej për NATO-n dhe jo UEFA-n. Ndoshta e meritojnë një falënderim për këtë të mirë që u bënë shqiptarëve.

Teksa mediat ndërkombëtare u mbushën me pamje të rikthimit të dhunës ndaj shqiptarëve. Tash në terrene sportive. Por, me referenca të pashmangshme në kohërat e Serbisë së Milosheviqit. Asaj Serbia që vetë serbët duan të mos ua kujtojnë. Dhe nesër mund edhe ta humbin ndeshjen, me vendim të UEFA-s. E kur ta rimendosh, serbët fare lehtë do të mund të ishin duke festuar fitoren “historike”. Përse thjesht, kur mund ta komplikojmë?

E SIKUR SERBIA dje ta kishte ndërmarrë veprimin të cilin, unë besoj, do ta marrë nesër – njohjen e Kosovës, sot as Vuçiqi s’do të dukej qesharak teksa kërkon që Shqipëria t’i kërkojë falje Serbisë për “provokimin”. Ai, bashkë me gjithë lidershipin serb, duhet të gjejë kurajë e t’u kërkojë falje shqiptarëve për krimet e luftës dhe dëmet e sundimit mbi Kosovën. Vetëm pas këtyre hapave mund të fillojnë e të flasin për përkushtimin e Beogradit për fqinjësi të mirë dhe të merren seriozisht nga dikush. Si dhe ta pranojnë faktin se nesër vjen dita kur Shqipëria, e edhe Kosova, do t’i mundin ekipet serbe në mes të Beogradit, dhe kjo të merret me sportivitet. Të mos ketë nevojë të ringjallen emocionet e luftës e të bëhen thirrje për vrasje të ndërsjella. E deri atëherë, shqiptarët askush nuk do të mund t’i akuzojë për “provokime politike”. Ose, siç e tha një kolege gazetare serbe: “Po, por, seriozisht, çfarë ligji paska thyer droni?”. Përgjigjja: Pse thjesht, kur mund ta komplikojmë?!

Publikuar: 24.10.2014 | 15:44
Lexuar: 1501 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime