E premte, 18.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Çmimet e studimeve tona mund të duken të larta për dikë, mirëpo krahasuar me shpenzimet që bëjmë apo me studimet që ofrojnë disa universitet të financuara nga shteti mund të del se kemi çmime të ulëta, thotë rektori i UEJL-së Alajdin Abazi. Bashkimi i studimeve me USHT-në, thotë se është i vështirë në rrethana kur studimet e juridikut në njërin universitet kushtojnë 200 euro, kurse në tjetrin 1.300 euro
Me USHT-nė duam konkurrencė nė bashkėpunim
Intervistë me akademik Alajdin Abazin, rektorin e UEJL-së





Me gjithë lëvdatat që i jepen UEJL-së sa i takon kushteve dhe standardeve të mësimdhënies, për studentët vazhdon të mbetet problem tarifa e studimeve. Çmimet e semestrave, rriten thuajse çdo vit. Përse?

Abazi. Me thënë të drejtën, neve jemi të vetëdijshëm që tarifa e studimeve, sikurse e quajtët juve, është shumë e lartë krahasuar me të hyrat që kanë familjet shqiptare, mirëpo e krahasuar me tarifën që ofrojë institucionet tjera private, kjo e jona i bie të jetë më e ulët. Më kujtohet se 2001-shin kemi filluar me 800 euro vitin, kurse sot kemi arritur në shuma prej 1.300 deri në 2.000 euro vitin. Ka dy vjet që neve nuk kemi bërë rritje të çmimeve, por kemi bërë vetëm disa lëvizje të vogla, si në rastin e programit studimor Informatika e biznesit, në Shkup, i cili është tërësisht në gjuhën anglishte, pra ka shpenzime shtesë krahas atyre të përgatitjes, sikurse është sigurimi i objektit dhe investime të tjera, të cilat nuk duhet të harrojmë se janë krejtësisht të Universitetit, prej mjeteve vetanake. Prandaj, për rrethanat tona, konsiderojmë se është një tarifë normale, bile nëse marrim studimet postdiplomike neve ofrojmë programe me çmime më të ulëta edhe se universitetet që financohen prej buxhetit të shtetit.

A keni marrë përgjigje nga Qeveria sa i takon financimit të studimeve me interesim të veçantë publik. Vazhdimisht keni bërë kërkesa të këtilla?

Abazi: Që në fillim, në 2001-shin, vazhdimisht kemi aplikuar për një mbështetje financiare të programeve studimore që janë me interes të veçantë publik. Neve kemi dy grupe të studimeve, i pari që nxjerrën kuadro për institucione publike sikurse është administrata dhe studimet e gjuhëve dhe i dyti është grupi i studimeve me interes për sektorin privat, sikurse janë shkencat kompjuterike apo disa studime të tjera. Zyrtarët, deklarativisht kanë shprehur çdo herë një disponim pozitiv, mirëpo në praktikë nuk diçka konkrete. Vetëm buxhetit i është shtuar një zë ku futen institucionet private publike jo profitabile, sikurse e është definuar Universitetit jonë në ligjin e ri. Shpresojmë që kjo të merret parasysh në ndarjen e buxhetit për vitin që sapo ka ardhur, që edhe neve të kemi mundësi të ulim çmimet e studimeve në administratë publike dhe gjuhëve.

Ka vite që Komisioni Evropian nuk ndan donacione për UEJL-në. A ia dilni të mbaheni prej të hyrave që siguroni nga pagesat e studentëve?

Abazi: Që prej vitit 2004 neve nuk kemi mjete të cilat i dedikohen Universitetit. Mjetet e fundit që janë dhënë për zhvillimin e UEJL-së kanë qenë të hollat e Komisionit Evropian, me të cilat ndërtuam objektin e ri. Vazhdojmë të punojmë me mjete vetanake, me të hyrat që sigurohen nga pagesat e studentëve dhe eventualisht shërbimeve tjera komerciale, pa harruar edhe projektet e ndryshme shkencore dhe profesionale që i realizojmë përmes fondeve evropiane, amerikane, Bankën Botërore, UNDP e, që krijojnë mjete shtesë. Mirëpo, duke mos harruar edhe atë se pas këtij institucioni nuk qëndron shteti, neve jemi të detyruar që të krijojmë një siguri financiare më afatgjate. Nuk jam i sigurt se do të mund ta siguronim këtë vetëm me ato të hyra, sepse kemi një infrastrukturë të zhvilluar, që rritën edhe shpenzimet e universitetit.

I druheni ndonjë krize të mundshme?

Abazi: Jo, jo. Neve nuk kemi pse të jemi pesimistë, pasi presim që shteti të financon Fakultetin e Administratës Publike dhe Fakultetin e gjuhëve dhe përgatitjen e mësimdhënësve, të cilët aktualisht na krijojë humbje. Kanë më tepër shpenzime se sa janë të hyrat e tyre, kështu që aktualisht shpenzimet e tyre i mbulojmë me të hyrat që realizojnë fakultete e tjera profitabile.

Cilat do të jenë prioritetet e UEJL-së për vitin 2009?
Abazi: Do të përgatisim Strategjinë e punës së institucionit për periudhën e viteve 2010/2012, pa ndonjë ndryshim të madh në strategjinë e universitetit. Shtyllat e strategjisë do të jenë rritja e cilësisë dhe sigurimi i qëndrueshmërisë financiare për një afat më të gjatë. Cilësia e mësimdhënës gjithsesi se do të mbetet preokupimi kryesor, pasi ajo nuk mund të matet me numrin e të diplomuarve, me numrin e programeve studimore por me reflekset e tregut të punës.

A ka reflektuar në interesimin e studentëve, zyrtarizmi i Universitetit Shtetëror të Tetovës?
Abazi: Jo vetëm me zyrtarizimin e USHT-së, por edhe me hapjen e Universitetit të Shtipit e disa të tjerëve privat në Shkup, në Maqedoni është ndryshuar rrjeti i arsimit të lartë. Prandaj, çdo tri vite neve shqyrtojmë Strategjinë tonë të veprimit, duke analizuar tregun, kërkesat dhe numrin e studentëve me qëllim që të shmangim paqëndrueshmërinë financiare. Me ndryshimet që ndodhën, neve nuk kemi diktuar ndryshim në numrin e studentëve. Atë numër që kemi planifikuar, gati çdo here e kemi realizuar, ndonjëherë bile edhe e kemi tejkaluar.

Doni të thoni që nuk e shihni USHT-në si rivale, që mund t’ju marrë studentët?

Abazi: USHT-në e shohim si një institucion me të cilin dëshirojmë të ndërtojmë një bashkëpunim në konkurrencë, pasi jemi institucione shqipfolëse, studentët tanë janë gati të njëjtit ambient, jemi anëtarë të rrjeteve e asociacioneve të përbashkëta. Këta kolegët tanë ekonomistë e kanë plasuar lehtë termin “bashkëpunim në konkurrencë” mirëpo në praktikë është pak e vështirë të zbatohet. USHT na bën konkurrencë, me çmimet kurse neve me kushtet dhe standardet më të larta që ofrojmë. USHT dhe UEJL nuk e kanë thënë ende fjalën e fundit, se cilat janë programet studimore që do të ishte më e arsyeshme të ekzistojnë atje dhe cilat tek neve me qëllim që mos bëhet dublimi i tyre. Nuk kemi konkurrencë në kushte të barabarta, kur të themi studimet e juridikut te USHT kushtojnë 200 euro, kurse tek neve 1 300 euro.

Sa u qëndrojë universitet besnikë marrëveshjeve që angazhimin e profesorëve part-time ta bëjnë pasi për këtë të jenë marrë veshje paraprakisht me universitetin ku ai profesor është në marrëdhënie pune?

Abazi: Ka raste të ndryshme, Vjet, për të gjitha rastet, si unë ashtu edhe rektori i USHT-së, profesorëve tanë që ishin të interesuar të punojnë atje dhe anasjelltas, u dhamë pëlqim. Mirëpo, dëgjojmë që ka edhe raste kur profesorët shkojnë angazhohen pa pëlqimin e tonë, si rektorë, përmes kanaleve tjera, që nuk është në rregull. Në UEJL, kjo çështje është e rregulluar me vendimin e Bordit, i cili thotë se profesorët e UEJL-së mund të angazhohen pa orarit të punës, të shtunën, në një lëndë në universitetet e tjera, me leje. Bashkëpunimi nuk mundet të jetë ideal, për shkak të interesave. Nevojat janë diçka tjetër, mirëpo ka edhe interesa. Neve nuk mundemi të shkatërrojmë një degë, të themi, për nevojat e USHT-së sepse as ajo nuk do ta kishte bërë për neve këtë. Për shembull, në UEJL ishte dega e gjuhëve gjermane dhe të njëjtën degë shkoi dhe e themeloi edhe USHT-ja, më vonë.

Kur do ta shohim UEJL-në dhe USHT-në të organizojnë një projekt të përbashkët, qoftë akademik, sportiv apo kulturor, por që dy rektorët t’ia shtrëngojë dorën njëri-tjetrit?

Abazi:Asnjë eveniment nuk e organizojmë pa thirrur USHT-në, as ato pa na thirrur neve. Janë projekte të ndryshme të financuara nga jashtë dhe ku marrim pjesë të dyja universitet

Përveç se në cilësinë e mysafirit apo të bashkëpjesëmarrësit në projekte ku janë edhe universitete të tjera nga Maqedonia dhe shtete të tjera, kur do t’ju shohim si bashkorganizatorë të diçkaje?

Abazi: Për ndonjë eveniment shoqëror - kulturor, nuk kemi pasuar rastin të organizojmë diçka të përbashkët. Më tepër i kemi dhënë rëndësi bashkëpunimit profesional dhe shkencor, të cilin e kemi për detyrë. Po e marr për sugjerim pyetjen tuaj që në të ardhme të organizojmë ndonjë eveniment të përbashkët kulturor. Në takimin e parë që do ta kem me Bexhetin, do ta hap këtë bisedë

Kur do të kenë studentët e UEJL-së qasje në CV-të e profesorëve të tyre. Jeni ca të vonuar në këtë drejtim?

Abazi: Sa më kanë informuar shërbimet që merren me grumbullimin e CV-ve po punohet në këtë drejtim dhe procesi është afër përfundimit. Deri në semestrin e dytë shpresojmë se studentët do të kenë në faqen zyrtare të internetit edhe bibliografitë e profesorëve. Kjo është pjesë e transparencës dhe vërtetim për cilësinë. Nëse duam të themi se kemi siguruar një farë cilësie, krahas tjerash, ajo sigurohet edhe përmes profesorëve.

2008-ën UEJL-ja u zgjeruam me disa programe studimore në Shkup. Jeni të kënaqur me numrin e studentëve dhe programeve që ofroni në kryeqytet, apo do të pretendoni më tepër vitin që vjen?

Abazi: Realisht kemi dy programe studimore juridikun: shqip dhe maqedonisht dhe informatika e biznesit në anglisht, ndërsa kemi edhe mjaft programe të studimeve pasdiplomike, me korrespondencë. Për momentin jemi shumë të kënaqur me numrin e studentëve të paraqitur dhe me cilësinë e tyre. Për vitin e ardhshëm, planifikojmë të zgjerohemi të paktën edhe me një program studimor, pasi kemi edhe hapësirat e mjaftueshme dhe sigurisht që do të mundohemi të jemi pranë nevojave të shqiptarëve të Shkupit dhe rrethinës. Për universitetin, zgjerimi në Shkup, është një ngarkesë më e madhe, pasi funksionojmë në Tetovë kurse mësimin duet ta organizojmë atje, mirëpo është edhe një treg i përshtatshëm, sepse në kryeqytet janë vendet më të mëdha të punës dhe, shumë prej të punësuarve dëshirojnë të pisen edhe me nivele më të larta shkollimi.

Duhet të mendohet për mirëmbajtjen
Vetëm kompjuterë i kemi një mijë copa dhe duhet të mendojmë se një ditë ato duhet të zëvendësohen me të reja dhe se objektet duhet të mirëmbahen. Po të kemi parasysh të gjitha këto, atëherë duhet të pyetnim se mos vallë i kemi të ulëta edhe këto tarifa, që për dikë duken të larta.

Mbi 60 për qind e studentëve tanë janë punësuar
65 për qind e studentëve të diplomuar tek neve janë të punësuar, që do të thotë se tregu ka pranuar në masë të kënaqshme cilësinë tonë, mbi 20 për qind e studentëve tanë vazhdojnë studimet postdiplomike në Maqedoni dhe jashtë, kurse 10 -15 për qindëshi i mbetur nuk janë punësuar ose nuk janë deklaruar si të tillë. Do të vazhdojmë misionin në dhënien e kontributit të shkollimit gjuhën shqipe me dëshirën për të qenë të hapur për të gjithë.


Intervistoi: Laura PAPRANIKU, Lajm



Publikuar: 02.01.2009 | 21:21
Lexuar: 1331 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime