E diel, 9.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Nëse pyet krerët e opozitës së sotme. Po, sigurisht! Edi Rama e ka gjithnjë gabim. Çdo iniciativë që ndërmerr, çdo hap që hedh, çdo germë që shkruan e çdo fjalë që shqipton, kritikohet në kohë rekord nga njëri prej drejtuesve të PD-së, qoftë ky në podiumin e caktuar për demaskim, në rrjetet sociale apo në media.
A e ka gjithnjë gabim Edi Rama?














Fatos Baxhaku

Nëse pyet krerët e opozitës së sotme. Po, sigurisht! Edi Rama e ka gjithnjë gabim. Çdo iniciativë që ndërmerr, çdo hap që hedh, çdo germë që shkruan e çdo fjalë që shqipton, kritikohet në kohë rekord nga njëri prej drejtuesve të PD-së, qoftë ky në podiumin e caktuar për demaskim, në rrjetet sociale apo në media.
Që ta nisim bisedën nga e para duhet që, në radhë të parë, të pranojmë që nuk ka njeri që s’gabon, ose, e thënë më shkoqur nuk ka njeri të përkryer. Sikur të mos ishte kështu, opozitës duhej t’i kishim dhënë pushime të paguara ndonja katër vjet e pastaj të shihnim e të bënim. Po ja që as jeta e sotme dhe as historitë e së shkuarës nuk bëhen me sikur dhe, duhet të pranojmë atë që përgjithësisht është pranuar jetë e mot, pra duhet të pranojmë të gjitha palët, qytetarë të thjeshtë apartiakë, militantë të të dy krahëve, pozitë dhe opozitë se jeta njerëzore, individuale apo shoqërore qoftë, është e stërmbushur me gabime.

Se çfarë kategorie është gabimi objektive apo subjektive, ky është një tjetër muhabet i stërgjatë, për të cilin nuk është vendi këtu. Fillimisht ne duhet të pranojmë edhe një tjetër gjë në dukje fare të thjeshtë që sa më me pushtet të jetë një individ apo një grup shoqëror, aq më të rënda janë gabimet e tij. Me t’i marrë të mirëqena këto dy gjëra të gjithëpranuara na takon të hedhim hapin e dytë dhe të pyesim: në këtë ndeshje politike – shumëkujt ia ka ënda të thotë betejë apo luftë politike – cilat janë pozicionet e pozitës dhe opozitës? Çfarë i takon njërës dhe çfarë duhet të bëjë tjetra? Me një fjalë, cilat janë detyrat e secilës palë? Në fakt, nisur nga një përvojë e gjatë parlamentare perëndimore, edhe këto kanë gjetur një lloj gjithëpranimi. Përvojat, historitë, shpeshherë edhe ngjyrime etnopsikologjike të shteteve të ndryshme, i kanë dhënë ngjyrime kombëtare, por thelbi i tyre tashmë është i gjithëpranuar.
Pozita, pra forca, ose forcat politike fituese në zgjedhje krijojnë qeverinë, e cila ka detyrimin të drejtojë shtetin, pra instrumentin që sovrani popull me anë të të zgjedhurve të tij krijon për t’u vetëdrejtuar. Qeveria gjykohet, matet, monitorohet, vëzhgohet, hetohet nga një sërë instrumentesh e hallkash të tjera, ku hyjnë gjyqësori, media dhe opinioni publik, komisionet parlamentare. Më e rëndësishmja në këtë hallkë të gjatë kontrolli është opozita. Kjo është vlera e saj e vyer. Pa të, shikimi i një populli do të mpakej. Pa të, shpresa për të qenë më mirë në të ardhmen do të zbehej. Në fund të fundit, një popull pa opozitë do ta ndiente veten fillikat. Kështu është kudo në demokraci, kështu është edhe te ne. Por deri diku ama, ja sepse.

Në aksionin politik të opozitës, në shumë raste fjalë kundërshti, debat, kritikë, është bërë sinonim i negativizmit i mohimit të çdo lloj iniciative që vjen nga një emër i vetëm: Edi Rama. Shumë herë, edhe duke qenë të bindur se nuk ka rrugë tjetër për të kryer një punë, madje duke qenë të bindur se, sikur të ishin ata vetë në vendin e Ramës do të bënin të njëjtën gjë, përfaqësues të opozitës, madje nga më të rëndësishmit, marrin pozicionin e negativistit ekstrem. Rastet më të freskëta ndodhën këto dy-tri ditët e fundit me rastin e shpalosjes prej Ramës të aksionit kundër hajdutëve të energjisë dhe të ndryshimeve shtrënguese në Kodin Rrugor, të dyja probleme që diskutohen sot e gjithë ditën jo vetëm nga pushtetarë, por edhe nga njerëzit e thjeshtë, madje edhe nga hajdutët e energjisë vetë. Në të dyja, rastet qëndrimi i opozitës ishte mohues që në themel, jo thjesht kritikues. Në rastin e parë u tha madje se “hajduti më i madh i energjisë është vetë Rama”, në rastin tjetër u tha se kodi i propozuar nga PS ishte aq shtrëngues për shkelësit e rregullave dhe ligjeve sa që mund të bëhej shkas për abuzim prej mbrojtësve të ligjit, pra në të dyja rastet opozita indirekt doli në mbrojtje të atyre që e shkelin ligjin me të dyja këmbët, gjë që nuk i ka fare hije.

Të paktën në media nuk u raportua asnjë ide e opozitës se si mund të ndreqeshin ndryshe këto dy pika të nxehta të jetës sonë të përditshme. Thanë vetëm kjo gjë nuk shkon dhe pikë. Kjo na bën që të dalim edhe një herë te roli i vërtetë i opozitës. Sigurisht që ajo duhet të kundërshtojë, të kritikojë, të debatojë, të ngrejë zërin, të përdorë gjithë mjetet që i jep Kushtetuta. Edi Rama, qeveria, ministrat, janë njerëz, kanë gabuar, do gabojnë, opozita do jetë atje për t’ua vënë gabimet në dukje dhe për të ndikuar që ato të jenë sa më pak të dëmshme, por kjo nuk do të thotë që absolutisht çdo gjë që lidhet me Ramën të mohohet në mënyrë kategorike. Negativizmi nuk duhet kthyer në patologji, përndryshe përsërisim situata të llojit të dikurshëm, kur për çdo të zezë që ndodhte e kishte fajin vetëm dhe vetëm një emër, Sali Berisha dhe askush tjetër. Si barsoletë e rrëfejnë ende që një burrë i tradhtuar ia hidhte fajin Berishës meqë ia dridhte e shoqja, po nejse…

Në këtë vend roli i opozitës duhej të ishte më i lakmuari. Ka me mijëra probleme që presin zgjidhje. Ekonomia, çmimet e shërbimeve, mungesa e shtetit social, kushtet e jetesës, gjendja e sistemit të Drejtësisë, papunësia, problemet e marrëdhënieve mes rinisë dhe të ardhmes, kushtet e moshës së tretë, kriminaliteti urban, marrëdhëniet mes qendrës dhe periferisë… Këto janë vetëm disa nga çështjet që opozita mund t’i tundë me forcë pa pritur që Edi Rama të ndërmarrë hapin e radhës. Madje i takon opozitës që edhe të ndërmarrë hapa ligjorë vetë në Parlament pa pritur gjithnjë që PS e LSI të propozojnë projektligje që bëhen më pas shënjestër e mohimit absolut. Meqë ra fjala, sa herë e ka bërë opozita pjesë të aksionit të saj politik një nga plagët tona më të mëdha: ambientin? Apo ndokush pret që Rama të ndryshojë ligjin për mjedisin? Ky lloj negativizmi absolut, ky lloj personalizimi i debatit politik, kjo lloj qitjeje me një tabelë të vetme, nuk i bën dëm vetëm opozitës. Ajo e shndërron skenën politike shqiptare në një teatër ku aktorët interpretojnë në të njëjtën skenë pjesë të ndryshme, ku njëra palë luan gozhdën e tjetra patkoin. Gozhda e di se do vazhdojë të ngulet, ndërsa patkoi ankohet më kot për disa kohë, sepse kali vazhdon të ecë. Nuk është kjo ajo çka ka ëndërruar një pjesë e mirë e shqiptarëve majtas a djathtas qofshin. Nuk duhet të harrojmë kurrë se vetëm se e kanë çuar sadopak ndërmend fjalën opozitë me mijëra shqiptarë i hodhën në rrathët e ferrit. Respekti për veten nga opozita dhe ndaj opozitës nga mazhoranca do të ishte vetëm fillimi i larjes së borxhit kolosal moral që brezat tanë u kanë heronjve të dikurshëm ëndërrimtarë.

Publikuar: 01.11.2014 | 10:53
Lexuar: 1540 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime