E shtunë, 17.11.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Por them pokështu që Edi Rama në Beograd sot bëri atë që duhej ta bënte. Në fakt, s’ka patur rrugë tjetër pos të bënte atë që bëri. Po i numëroj disa arsye pse.
Falemnderit Edi!



Beqë Cufaj

Shoh, në internet kryesisht- portale dhe rrjete sociale, që miq të mirë dhe kolegë të çmuar kanë filluar ta kritikojnë Edi Ramën për prezantimin e sotëm në Beograd. Thonë që nuk është dashur të bënte atë që bëri… Pra, s’do të duhej të provokonte nikoqirin për shumë e shumë shkaqe. Po i numëroj disa: thonë se me këtë ai mori pozitën e Sali Berishës tek shqiptarët e Kosovës të cilët tashti do ta shohin atë si kryepatriotin. Thonë se humbi shansin që të bëhej lider i Ballkanit duke nënkuptuar se pati tone nacionaliste (sic!). Thonë se ka mundur të jetë më diskret sikurse ishin mysafirë të tjerë. Etj. etj.

S’them që s’ka të vërteta në krejt këto vërejtje. Janë legjitime dhe logjike të diskutohen.

Por them pokështu që Edi Rama në Beograd sot bëri atë që duhej ta bënte. Në fakt, s’ka patur rrugë tjetër pos të bënte atë që bëri. Po i numëroj disa arsye pse.

Edi Ramën, Nikoliqi, Vuçiqi dhe tërë mediat serbe jo vetëm që provuan ta fyejnë dhe denigrojnë në mënyrë të pashembullt por ishte thjesht ajo vija e njohur, aq shumë e sprovuar për 20 vite në Kosovë saqë njeriu s’kishte si të mos ua harronte: kur natën e ndeshjes së famshme Serbi- Shqipëri me sistemin e tyre sigurimco-medial lansuan në eterin botëror, e përsëris, jo ballkanik por botëror, vëllaun e Ramës. Dhe me këtë nga një ndeshje futbolli bënë një politikum të paprovuar ndonjëherë. Në të njejtën kohë arritën që me po të njejtin avantazh të pafytyrë të bëjnë temë punën e “flamurit” duke u shëndërruar kështu grushtat që djelmoshat shqiptarë morën në stadium në një hiç kundrualll atij “flamurit” që fluturoi mbi stadium thuajse ishte aty një bombë atomike e jo një copë pëlhure me Isën e Ismailin në të.

Meqë është kryeministër i Shqipërisë, Edi Ramës në të gjitha ndeshjet mediale mëpas i duhej të ballafaqohej si me biografinë e vëllaut të tij ashtu edhe me “Shqipërinë e madhe” e cila mori hovin po natën kur virtualisht i qe “arrestuar” Olsi. E pat pranuar edhe vet bile, Rama, në një intervistë me FAZ apo DW që jemi në defanzivë mediale sa i përket kësaj çështjeje. Dhe ashtu doli. Për këtë flet vendimi i UEFA-s.

Një arsye tjetër, tepër e rëndësishme për këtë paraqitje të Edi Ramës ka të bëjë me vet Vuçiqin dhe me këtë edhe serbët dhe Serbinë. Miq, mos harroni që është ky Vuçiqi të cilin sidomos ne në Kosovë dhe Evropë përgjithsësisht e njohim fare mirë. Vetëm të hulumtohet paksa në internet se çfarë ai flsite para 4-5 e lëre më 10 vitesh mund të shihet qartë se e kaluara e tij është e frikshme. Bile kundruall asaj të një ish-artisti që quhet Edi Rama e pabesueshme. Dhe tani për ata që s’e dijnë po ua tregoj vetëm në detaj: Vuçiqi qan sa herë që flet me Merkel. Bile këtë gjë gadi e pat bërë edhe në darkën që ajo shtroi në fund të Gushtit në Berlin kur të pranishëm ishin edhe Rama e edhe Thaçi. Pse aty nuk protestoi psh. që ishte përfaqësuesi i Kosovës. Apo pse nuk protestojnë sa herë janë të “fortit” pranë dhe shteti i Kosovës është i pranishëm- pa fusnota bile.

Kjo dmth. se me ankesat e tyre sidomos para fuqive dhe sidomos para amerikanëve e gjermanëve që “janë” larg dhe se “nacionalizmi” po i shkatërron vazhdojnë shkollën para milosheviqiane: atë Pashiqit. Ankohu sa më shumë që të fitosh sa më shumë. Por harrojnë që ka kaluar ajo kohë. Kur flisnin në emër të shqiptarëve. Jemi në shekullin e ri dhe në vitin 2014!

Prandaj, kishte rëndësi që Rama sot bëri një rrugë e disa punë.
Së pari i tregoi Vuçiqit në veçanti e serbëve në përgjithësi që Kosova është shtet- dhe se kjo s’ka të bëjë edhe aq me atë Shqipërinë e madhe sa me një realite që ata duhet ta dëgjojnë në mënyrë që me të të ballafaqohen.

Së dyti u tregoi që shqiptarët si komb jo vetëm që kanë mbijetuar në atë shekullin hata që e lam prapa por kanë edhe shtetet e tyre. Edhe më e rëndësishme: një shqiptar, Kryeministër shteti, ia kujtoi që shqiptarët e Kosovës as s’u ndoqën në Shqipëri e as s’u zhdukën nga trojet e tyre. Për më tepër ata kanë edhe shtetin që e ka njohur dhe po e njeh bota.

Dhe së treti që është më e rëndësishmja: mediat botërore sonte s’po merren fare as me Shqipërinë e madhe e as me Olsi Ramën. Por me dy Kryeministra të dy shteteve fqinje të cilët u “përplasën” për Kosovën.

Vuçiqi mbase do të merret me Kosovën edhe nesër- e pasnesër në Beograd do ta presë Sheshelin: ish babain e tij shpirtëror. Kurse Edi Rama do të vazhdojë të punojë të përgatisë shtetin e tij dhe kombin e tij për të qenë pjesë e familjes europiane.
E ne nga Kosova, përtej folklorizmave që do mbushin eterin këto ditë, mundemi Edit vetëm t’i themi: Falemnderit!

Publikuar: 10.11.2014 | 18:01
Lexuar: 1680 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime