Clarence Gilyard, aktori dhe regjisori amerikan, ka mbërritur në Shqipëri për të sjellë në skenën e Teatrit Kombëtar shfaqjen Koleksioni i përhershëm. Sipas aktorit Mirush Kabashi, kemi të bëjmë me një shfaqje me mesazhe tronditëse aktuale, sidomos për situatën momentale që po kalon politika e vendit tonë. Duket sikur absurditetet e politikës trajtohen këtu...
Arjola Hekurani
Clarence Gilyard, për publikun shqiptar është më shumë i njohur me rolet e tij kinematografike, sidomos në filmin Walker Texas Ranger, në krah të protagonistit tjetër të njohur, aktorit Chuck Norris... Ka qenë pjesë edhe e filmave kult si Top Gun me protagonist aktorin e mirënjohur Tom Cruise, apo Die hard me një tjetër yll të Hollivudit, aktorin Bruce Willis.
Aktorë të kalibrit të Clarence Gilyard që vijnë në Shqipëri janë vërtet raste të rralla e jo më kot priten edhe me entuziazëm, jo vetëm nga pala shqiptare, por edhe nga vetë i ftuari. Unë mendoj se jam artisti i parë me ngjyrë që qëndron në një kast me aktorë shqiptarë, në skenë shqiptare, në Teatrin Kombëtar, dhe dua tju them që për mua ky është një nder i madh dhe ndiej shumë përgjegjësi për të sjellë një pjesë teatrale me cilësi të lartë për publikun shqiptar.
Është një sfidë e madhe për ne, thotë Gilyard gjatë një konference për mediat. Prej fillimit të muajit maj, ai ka ardhur në Shqipëri dhe ka nisur provat për të ngjitur në skenë shfaqjen e titulluar Koleksioni i përhershëm. Por ideja për realizimin e saj në vendin tonë ka një histori rreth dyvjeçare që ka nisur me një komunikim epistolar mes Clarence Gilyard dhe aktorit të njohur shqiptar, Mirush Kabashi.
Me kujdes kanë përzgjedhur kastin e aktorëve, kanë biseduar detajet e më në fund regjisori, që njëkohësisht është edhe aktori kryesor i kësaj shfaqjeje dygjuhëshe (shqip e anglisht), vendosi të vinte në Tiranë. Askush nuk e dinte që kjo dramë e shkruar prej Thomas Gibbons do të përkonte më së miri me situatën aktuale politike në Shqipëri. Por paska qenë e thënë kështu.
Sepse teatri që z.Gilyard sjell para publikut, vjen në formë proteste ndaj gjithçkaje ndodh jashtë sallës teatrore. Është një shfaqje e bukur, shumë intelektuale, me mesazhe tronditëse aktuale, sidomos për situatën momentale që po kalon politika e vendit tonë. Duket sikur absurditetet e politikës së vendit tonë trajtohen në këtë shfaqje, nxiton të tregojë gjatë konferencës së djeshme për shtyp, aktori Mirush Kabashi.
Ndërsa regjisori tregon se drama e Thomas Gibbons-it, Koleksioni i Përhershëm, ka si objekt artin. Është forca dhe roli që arti luan në zhvillimin e një shoqërie të shëndoshë. Gjatë 90 minutave që publiku është i mbërthyer në dramë, do të shikojë si trajtohen çështje dhe probleme që lidhen me shoqërinë, pushtetin, vlerat, integritetin dhe frikën. Në premierën e parë të kësaj shfaqjeje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kam kuptuar se mesazhi i veprës nuk njeh kufij gjeografikë.
Kjo është një pjesë me tematikë politike, por edhe artistike. Ky projekt nënvizon rolin e rëndësishëm të artit në zgjidhjen e konflikteve të dallimeve racore, klasore dhe në çdo fushë të jetës. Por mbi të gjitha është një vepër që sjell kënaqësi dhe argëtim në teatër, thotë regjisori. Ai tregon se mësimdhënia në Universitetin e Nevadës në Las Vegas ka të bëjë me tematikën e teatrit protestues. Por nuk kam ardhur në Shqipëri për të protestuar, veçse për të sjellë një pjesë teatrale.
Jeni ju, publiku, që keni të drejtë të merrni një vendim nëse e shihni atë si një protestë apo jo. Unë jam një artist, një baba, një bashkëshort, një afroamerikan dhe kur unë qëndroj në skenë, jap një mesazh pa e hapur ende gojën, komenton Gilyard, edhe pse protesta, greva e urisë që gjeti në mes të Tiranës, iu duk e frikshme në fillim. Ai shpreh bindjen se askush nga ne, populli, dhe këtu përfshihen edhe artistët si pjesë e tij, nuk e përjashtojnë dot veten nga politika, nga ajo që ndodh rreth nesh.
Kjo është e pamundur. Kur mbërrita në Shqipëri në fillim të majit, dola në rrugët e Tiranës dhe gjeta një grevë urie. Kjo më trembi: njerëz që kishin vendosur të mos hanin, kishin zgjedhur ta bënin këtë edhe pse ushqimi nuk mungonte. Dhe duke punuar në këtë shfaqje, nuk ka pse publiku të mos e lidhë apo bashkojë atë që ndodh jashtë, me atë që ndodh brenda sallës së teatrit, vijon ai.
Më tej shton se beson që teatri është politik. Sipas tij, dramaturgu ka një axhendë politike dhe të gjithë dramaturgët e mirë dhe të mëdhenj janë në gjendje që ta përshtatin atë me një mbrëmje argëtuese në teatër, për të krijuar një jetë në skenë, ku njerëzit që ju shikoni, jetojnë jetën e tyre, ndërkohë që idetë dhe shoqëria ku ata jetojnë kanë përsëri jetët e tyre.
Por mesazhi që do të përcjellë në fund, pavarësisht botës së vogël ku publiku apo personazhet mund të fshihen për ndonjë orë, është se pavarësisht përpjekjeve, askush nuk mund të largohet nga shoqëria ku jeton, kjo është e pamundur. Për këtë arsye, në skenën e Teatrit Kombëtar, aktorët Clarence Gilyard, Mirush Kabashi, Tinka Kurti, Fatos Sela, Ema Andrea, Esmeralda Metka, do të sjellin Koleksioni i përhershëm, mesazhi i së cilës ka të bëjë me intolerancën.
Ajo është baza e degradimit dhe e shkatërrimit të gjithçkaje në shoqëri, është baza e krijimit të luftërave dhe më tutje, thotë aktori Mirush Kabashi, i cili edhe më parë, u është referuar këtyre mesazheve të përbotshme.
Koleksioni i përhershëm vjen si një bashkëpunim mes Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe Teatrit Kombëtar. Përkthimi i veprës është kryer nga Pirro Dollani, skenografia i është besuar Bashkim Zahajt, ndërsa kostumografia Edlira Qyshkës. Ndërkaq provat vazhdojnë, por ende nuk është vendosur se kur do të jetë premiera e kësaj shfaqjeje.