E mërkurë, 21.11.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Para tyre shfaqej zakonisht një vajzë e bukur, që kishtë bërë prova para pasqyrës, lexonte një tekst dhe ikte me vrap, pa marrë as përgjegjësi të sqaronte çfarë tha dhe as guxim të thoshte diçka më shumë.
Vetëvrasja e gazetarisë raportuese


Në fillim dolën të tepërt gazetarët. Moda e re e komunikimit publik, që futi Edi Rama në Partinë Socialiste vite më parë dhe që u kopjua nga Berisha e Basha, i nxorri jashtë loje gazetarët që raportonin nga selitë e partive.

Para tyre shfaqej zakonisht një vajzë e bukur, që kishtë bërë prova para pasqyrës, lexonte një tekst dhe ikte me vrap, pa marrë as përgjegjësi të sqaronte çfarë tha dhe as guxim të thoshte diçka më shumë.

Pas zhdukjes së gazetarit i erdhi radha zhdukjes së kameramanit. Nga këto konferenca, filluan të dërgohen kasetat nëpër redaksi apo të prodhohej sinjali me livestream, duke e marrë të gjithë falas. Tani po zhduken dhe montazhierët nga televizionet. Kasetat po vijnë gati, të montuara me gjithë siglat e televizionit përkatës nga zyrat e partive.

Lulzim Basha, së paku po ia arrin ta bëjë këtë çdo ditë. Për hir të së vërtetës, këtë modë e nisi Edi Rama qysh në vitin 2009, gjatë fushatës elektorale, nën panikun se gazetarët e lehtë apo media e kontrolluar nga Berisha, i çorodiste mesazhet politike. Kam qenë vazhdimisht kritik ndaj kësaj metode, e cila tentoi të zbutej në vitin 2013, duke ofruar edhe kasetën, por duke lejuar edhe gazetarët të raportonin për takimet elektorale.

Disa televizione kombëtare justifikonin transmetimin e tyre me balancimin e kohës televizive, ndërkohë që publiku merrte një produkt të gatshëm, të manipuluar politikisht, që nuk kishte të bënte fare me realitetin.

Lulzim Basha, i nisur të kopjojë çdo gjë nga Edi Rama, që nga shëtitjet nëpër Shqipëri, tek nxjerrja e recitueseve të deklaratave e deri tek prodhimi i lajmeve me kaseta, po thyen rekorde të reja. Ky, jo vetëm që po bën teatër me kaseta të prodhuara në Bashki nga frika e përballjes me njerëzit dhe lejimin e medias në takime, por po kalon në forma më ekstreme dhe të keqpërdrimit të fëmijëve për qëllime politike siç ishte rasti i djeshëm.

Një media lokale në Shkodër e denoncoi përse nuk e kishte lejuar të filmonte takimin, ndërsa televizionet lokale dhe qendrore të Tiranës, pa asnjë brerje ndërgjegjie transmetojnë sot, të dielën, kronika të prodhuara në Bashki për ngjarje që kanë ndodhur të shtunën në Shkodër dhe ku kamerat e tyre nuk janë lejuar.

Përfytyro që “Top Chanel”, “Tv Klan”, “Ora News” apo “News 24” kanë investuar në studio lëvizëse dhe goxha teknikë që të jenë të parët për lajmin që ndodh. Dhe pikërisht tek një pjesë e rëndësishme e ngjarjeve të vendit, që kanë të bëjnë me opozitën, jo vetëm që nxjerrin jashtë loje gjithë teknikën e tyre, por nxjerrin edhe profesionin, duke ia besuar lajmin, pikës së montazhit në Bashki.

Lulzim Basha po del nëpër qytetet sipas stilit të Edi Ramës dhe mirë bën. Media duhet ta ndjekë nga pas dhe duhet të raportoj bashkëbisedimin e tij me qyetarët, që të mos prodhohen kaseta nga ato që një kryetar partie i njohur si i tillë për 20 vjet të thotë në kamerën e Bashkisë; “unë jam një socialist i zhgënjyer”, apo që një vajzë 10 vjeçe të qajë para Lulzim Bashës për bukë dhe ky tipi që ka lënë 8 fëmijë jetimë me dorë të tij, pasi u ka vrarë prindërit, bën sikur preket e i rrëshqasin lotë.

Ky është një teatër i shpifur, për të cilin nuk ka faj Lulëim basha. Ai në këtë vend nuk ka bërë kurrë ndonjë gjë i pari. Metodën e prodhimit të kasetave e ka marrë nga Edi Rama, kurse lehtësinë e transmetimit të gënjeshtrave e ka dhuratë nga media sipërfaqësore shqiptare.

Fushatat propagandistike me kaseta të prodhuara janë fushata reklamash politike. Nëse Basha ka dëshirë t’i bëjë ato, le t’i bëjë. Le të paguajë kohën televizive dhe televizionet ta transmetojnë nën siglën reklamë, siç e parashikon ligji për Televizonin në Shqipëri.

Një televizion nuk mund të transmetojë një produkt të gatshëm të ofruar nga një subjekt politik dhe ta shesë atë për raportim gazetaresk. Ajo që po bën Basha aktualisht dhe ajo që ka bërë Rama në fushatën elektorale së bashku me Berishën, është një shkelje e hapur e ligjit dhe e ndershmërisë së gazetarëve me publikun.

Kur një qytetar ulet të shikojë lajmet në një kanal televiziv, ai beson se po shikon politikën redaksionale të televizionit dhe raportimin e gazetarit dhe jo kasetën e Kunatit prodhuar në Bashki dhe shitur televizioneve që ia bëjnë si nder pa para. Basha ka boll lekë dhe për të paguar lajme të tilla. Do ishte më e ndershme t’i paguante dhe ne t’i shikonim kaseta të tilla nën siglën “reklamë”, jo nën maskën e një raportimi gazetareskë.

Dhe meqë nuk jemi shumë larg fushatës, kjo gjë është mirë të përfshihet në ndryshimet ligjore për sjelljen e medias në fushatë elektorale. Por meqë kjo është në dorë të politikës, dhe mund të dështojë.

Por një gjë është në dorën të medias; të mos transmetojë asgjë që nuk e ka prodhuar vet. Këtë mund ta bëj, nëse nuk do që të bëhet e padobishme shumë shpejt edhe për politikanët.

Kështu si janë katandisur televizionet, janë vetëm rrjete transmetimi gënjeshtrash të partive. Për këtë punë ato kanë rrjetet sociale dhe nuk u hyjnë shumë në punë televizionet. Diferenca mes gazetarëve dhe rrjeteve sociale, është pikërisht përgjegjësia dhe besueshmëria e raportimit.

Një pasuri që gazetarët shqiptarë po e dorëzojnë me dorë të vet, si një kokë të ofruar në sini, për t’u prerë nga politika.

Publikuar: 18.11.2014 | 22:53
Lexuar: 1543 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime