E mërkurë, 21.11.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Një ekran që shfaqte imazhe të krijimtarisë së Pagarushës, i vendosur në hollin e TKK-së, ishte mirëseardhja që u bëhej mysafirëve të ftuar. Ata qëndruan në hollin e TKK-së për 15 minuta, derisa nuk u shfaq presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, për të hyrë i pari në sallë.
Nexhmije Pagarusha vlerësohet si asnjëherë më parë













Nëntë këngë të kënduara dikur nga Nexhmije Pagarusha dhe dy të tjera kushtuar primadonës së muzikës shqiptare, kanë qenë përmbledhja e gala koncertit të mbajtur mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Koncerti ka pasuar pas ndarjes së medaljes "Artiste e merituar" nga presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, për Nexhmije Pagarushën, njohtojnë mediat kosovare.

Kjo "dhuratë" i ka ardhur asaj me rastin e 77-vjetorit të lindjes.

Një ekran që shfaqte imazhe të krijimtarisë së Pagarushës, i vendosur në hollin e TKK-së, ishte mirëseardhja që u bëhej mysafirëve të ftuar. Ata qëndruan në hollin e TKK-së për 15 minuta, derisa nuk u shfaq presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, për të hyrë i pari në sallë.

"Ishte një mrekulli e Zotit", ka qenë krejt çka ka thënë presidenti i Sejdiu me të përfunduar koncerti.

Por për të shprehur emocionin e saj, menjëherë pas koncertit nuk është kursyer Nexhmije Pagarusha. Ajo tha se populli e ka dashur gjithmonë, por më shumë se këto ditë nuk ndihet e vlerësuar asnjëherë.

"Jam shumë e lumtur, Zoti më ka ruajtur deri në këtë moment që unë të jem e lumtur", ka thënë ajo teksa po qëndronte e ulur në një karrige në foajenë e teatrit për të pritur radhën e gjatë të atyre që dëshironin të bënin një fotografi me të.

Këngës më të njohur të kënduar nga bilbili i Kosovës, "Baresha", i ka takuar të hapte koncertin. Kënga e kompozuar në mesin e viteve '60 nga Rexho Mulliqi është rikthyer e interpretuar mjeshtërisht në çifteli nga Fatmir Makolli i përcjellë nga Big Bendi i Radio Televizionit të Kosovës. Ajo u ka lënë vend dy këngëve të tjera të kënduara nga Pagarusha gjatë viteve '60.

Sanije Matoshit i kishte takuar të interpretonte këngën "Kështu kaloi kjo mizori". "Pagarusha është legjenda e muzikës shqipe", është shprehur me pak fjalë ajo.

Gala koncerti solli të riorkestruara edhe tri këngë të tjera, të cilat Nexhmije Pagarusha i kishte interpretuar gjatë viteve '70. Kënga "Kur një ditë të kthehesh ti" erdhi në variantin e interpretuar nga dueti Teuta Kurti e Gentian Gojani. Për Kurtin kjo nuk ka qenë hera e parë që ka kënduar këngë të Pagarushës.

Ndërkaq kënga fituese në "Akordet e Kosovës", të vitit 1970 "Për ty vuaj, për ty këndoj", erdhi nën interpretimin e Yllka Kuqit. Kënga "E dehur jam", e kënduar nga Pagarusha në vitet '70, e cila viteve të fundit ka pasur disa variante të riorkestruara, erdhi edhe në një variant tjetër nga Riza Dolaku dhe e interpretuar nga Alma Bektashi.

Këngët e viteve '80 dhe '90 të dedikuara për Pagarushën i sollën në duet Naim Krasniqi dhe Adelina Thaçi, si dhe këngën "Bilbili i Kosovës", të interpretuar nga Hysni Klinaku.

Menjëherë pas koncertit përshtypjet e tyre i kanë shprehur edhe miqtë e bashkëpunëtorët e Pagarushës. Kompozitori Engjëll Berisha ka thënë se epitetet më të mëdha janë thënë për të, kështu që "çka do që flas nuk them asgjë të re".

"Ajo është primadonë e muzikës shqiptare", ka thënë Berisha.

Ndërkaq Liliana Çavolli ishte ajo që Pagarushën e pagëzoi me epitetin institucion.

"Ajo është institucion, me të cilin kombi duhet të mburret që e ka", është shprehur Çavolli, teksa Shahindere Berlajolli, Pagarushën e ka cilësuar "letërnjoftimin kryesor të identitetit kombëtar".


Ndryshe, iniciativa për ndarjen e çmimi "Artiste e merituar", si edhe organizimi i gala koncertit kanë ardhur nga Radiotelevizioni Publik i Kosovës.

Publikuar: 24.05.2010 | 17:41
Lexuar: 2924 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime