E shtunë, 17.11.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Dhjetëra cigare fikeshin lehtë në ato orë që fluturonin bri këtij burri. Por lufta ishte shqetësimi i tij. Sikur të kishte parandier fundin, Sabri Godo donte të sillte dhe njëherë për lexuesin të rishikuar, romanin “Prova e zjarrit”, të botuar në vitin 1977.
Sabri Godo, modeli që mungon










Alda Bardhyli

Teksa tymi i cigares i ngatërrohej gishtërinjve, ai vazhdonte të fliste për luftën … Në Shqipërinë e 2009-s, përfshirë nga debatet e zakonshme politike, në një bar në periferi të Tiranës, aty ku Sabri Godos i pëlqente të ulej gjithnjë, duke shijuar si në fëmijërinë e hershme pasionin për pemët e larta, ajrin dhe pyllin, bisedat me të, të çonin nga pasazhe të takimeve politike, teatrot, klasikët e deri te letërsia e re që bëhej sot në Europë.

Dhjetëra cigare fikeshin lehtë në ato orë që fluturonin bri këtij burri. Por lufta ishte shqetësimi i tij. Sikur të kishte parandier fundin, Sabri Godo donte të sillte dhe njëherë për lexuesin të rishikuar, romanin “Prova e zjarrit”, të botuar në vitin 1977. I përfshirë në luftë në vitin 1943, kur ishte vetëm 14 vjeç, ai kishte prekur nga afër përfshirjen e Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore, me sytë e një adoleshenti që e kishin dhënë herët aftësinë për të përcjellë gjuhën e mendjes. Ndoshta mprehtësia e vështrimit të tij, ishte formuar herët në këtë truall gati-gati tragjik, plot humbje. Kjo përvojë do ta çonte natyrshëm drejt historisë, për t’u kthyer përgjatë viteve të komunizmit në një kronikan të së shkuarës, me syzet e soc-realizmit.

Tregimi ishte dashuria e tij e parë, si një sprovë prekëse nga ku kalon çdo shkrimtar. Por, në Shqipërinë ku ankthi i një krijuesi ishte gati-gati shkatërrues për krijimtarinë e tij, Godo do të shkëputej si çdo krijues i talentuar i asaj kohe, për t’iu përkushtuar historisë. Ajri i lirisë duket se ishte më i bollshëm te historia, ku fshehur nën lëkurën e personazheve që ai zgjodhi, dha pikëpamjet e tij për kombin. “Plaku i Butkës”, 1966, ishte romani i tij i parë për të vijuar katër vjet më vonë me romanin kushtuar një prej figurave më kontroverse të historisë sonë, “Ali Pashë Tepelena”. “Zëra nga burime të nxehta”, 1972, vëllimi i tij i vetëm me tregime, frymëzues që në titull ishte përpjekja e tij e fundit në këtë dashuri, nga e cila duhej të ndahej për të mbetur gjallë. Por një tregimtar nuk e humb asnjëherë instinktin për të depërtuar thellë në psikikën njerëzore apo dhe në atë të natyrës, ku shpesh Godos i pëlqente të humbte edhe thjesht duke e parë nga larg.

Godo u largua nga tregimtari, por ky i fundit nuk u tregua prej tij, duke e ndihmuar t’ia dalë në kohë të trazuara. “Skënderbeu”, të cilën ai ua dhuroi shqiptarëve në vitin 1975, ishte sprova më e guximshme e një studiuesi në Shqipërinë e asaj periudhe, përmes jetës së një personazhi që i kish lidhur herët shqiptarët me Europën. “Skënderbeu” i Godos, pavarësisht skematizmit, ishte një dokument i patjetërsueshëm i shpirtit europian të një populli, i cili dhe për më shumë se dy dekada do të vuante censurën komuniste. Do të ishte e pandershme të mohonim rolin e intelektualëve si Godo në një sistem të tillë, dhe të linim mënjanë këto vepra si referenca historike, në kushtet e hapjes së literaturës dhe botimeve mbi këto figura.

Por le të kthehemi te lufta, kjo tablo e vjetër ballkanike, e cila i rikthehej kohët e fundit jetës, si një shqetësim i bukur. Rishikimi i “Provës së zjarrit” nuk ishte vetëm një sprovë personale, por një vendosje e dinjitetit për luftën nga një protagonist i saj, i cili nuk kishte mundur t’i thoshte të gjitha më 1977-n. Njohës i historisë, Godo e ndiente se e nesërmja nuk do ia falte një gabim të tillë. Në 70-vjetorin e Çlirimit të vendit, ky libër është një nga përshkrimet më të ndiera e më të mira të bëra për luftën. Janë të pafundme pasazhet dhe momentet e katarsisit të thellë që shkrimtari bën në këtë libër, duke e ndier se nuk do të mund t’u përgjigjej të gjitha pikëpyetjeve mbi këtë pjesë të historisë sonë, kohë më pas.

Ai la këtë libër si një testament. Duke e vendosur Shqipërinë me dinjitet në këtë përballje botërore. Ndryshimi i titullit nga “Prova e zjarrit” tek “Udhëtari”, u shoqërua me biseda që i ngjajnë një libri, që ndoshta duhet të shkruhen nga redaktorët. Udhëtari ishte vetë ai që do të niste një rrugë të gjatë drejt universit, vetëm pak pasi mori në duar dy kopje të këtij libri. Dy kopje që u bënë ashtu nxitimthi, për t’ia bërë të lehtë udhëtimin këtij udhëtari që i mungon sot aq shumë jo vetëm politikës.

Sot mbushen tre vjet prej ndarjes nga jeta të Sabri Godos. Një prej personazheve padyshim të rëndësishëm në atmosferën e ndryshimeve politike në Shqipërinë e pas ’90-s. Hartues i Kushtetutës, themelues i Partisë Republikane, i propozuar disa herë për postin e Presidentit, ai ishte një nga njerëzit më konsensualë të skenës politike.

Një njeri i mendimit, zëri i të cilit ishte si një zgjedhje në kohë tensionesh. Një personazh që foli e dha shumë për këtë vend, e në këta tre vjet për të është dëgjuar shumë pak. Shoqëritë e emancipuara shihen nga mënyra sesi ruajnë kujtesën e tyre. I rritur në luftë, me rininë e kaluar në komunizëm dhe pjesën e tretë të jetës në një demokraci të trazuar, Godo është statuja në mirazh e vendeve në tranzicion … Një statujë që do të dojë kohë të marrë vendin e duhur në horizont …

Publikuar: 07.12.2014 | 13:08
Lexuar: 1593 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime