Defektet e shpeshta në rrjetin e distribuimit dhe mbingarkesës në rrjetin elektrik, ka bërë që një pjesë e banorëve të fshatit Studeniçan të Shkupit plot tre muaj të jetojnë në terr total.
Duke e shprehur revoltën e tyre, banorët e këtij fshati për ALSAT thonë se edhe pse me fatura të paguara ata vazhdimisht nuk kanë energji elektrike. Për të qenë situata edhe më e tensionuar banorët e Studeniçanit akuzojnë se disa bashkëfshatarë të tyre, të punësuar në EVN kanë ndërruar kabllot nëpër shtyllat elektrike me qëllim që ata pa ndërprerë të kenë rrymë kurse të tjerët të jetojnë në terr.
"Ka punëtor të EVN-së për interes të vetin çka vijnë dhe i ndërrojnë telat nëpër shtylla që dikush kush nuk ka rrymë të mos ketë asnjëherë e ata që kanë të kenë çdoherë", tha një banor i Studeniçanit.
"Sjellja e punëtorëve është e keqe duke na thënë se keni kryetarin e komunës dhe ai le t'ua zgjedhe problemin, ndërsa ne faturat i paguajmë te EVN-ja ato e mbyllin telefonin dhe smarrin masa, tha një banor tjetër.
"Lajmërohem në EVN ata na i mbyllin telefonin na i kërkojnë numrat e matësve elektrik dhe nga një javë nuk vijnë aspak, shtoi një banor tjetër Studeniçanit.
Edhe kryetari i komunës së Studeniçanit Alaudin Zeqiri akuzon EVN-në se aspak nuk investon në përmirësimin e rrjetit elektrik në komunën të cilën e drejton ai.
"Ata i injorojnë problemet të cilat kanë si obligim institucional t'i zgjedhin defektet të cilat paraqiten në Studeniçan", deklaroi Zeqiri .
Por nga kompania austriake hodhën poshtë këto akuza të banorëve të Studenicanit. Zëdhënësja e kësaj kompanie, Lençe Karpuzovska tha për Alsat se ekipet e EVN-së pikërisht në këtë fshat kanë intervenuar më tepër, por vjedhjet dhe rrjeti i mbingarkuar janë arsyet kryesore për ndërprerjet e shpeshta të energjisë.
Nevzat Mamuti,ALSAT-M