E mërkurë, 21.11.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Mirëbesimi, ky çelës magjik i çdo partneriteti, sa i mirë aq edhe i vështirë! E di se shumëkush do më thotë se kryefjalë jona në këtë vend shumetnik e shumëkonfesional është mosbesimi. Përse vallë jemi të tillë, e ç'na duhet për të mbjellë farën e mirëbesimit të ndërsjellë?
Mollë sherri






Fatmir BESIMI

Nga njëra anë, dëgjohen zëra që shqiptarët nuk e ndiejnë shtetin të vetin dhe shpesh përdoret akuza se nuk paguajnë taksa. Ndërsa nga ana tjetër, thuhet që shteti nuk është i drejtë dhe i barabartë për të gjithë qytetarët. Zakonisht flitet edhe për ndarje jo të drejtë të financave publike dhe mospërfillje në vendimmarrje. Pavarësisht të vërtetës, kjo është dëshmi e mungesës së besimit të mjaftueshëm mes dy komuniteteve më të mëdha dhe vjen kryesisht nga droja apo dyshimi i përftimit të njërës palë në kurriz të tjetrës. Por, si të zgjidhet kjo? Dikush do thoshte, se ilaç do të ishte një sistem i drejtë dhe fer. Gjithsesi, kjo gjendje është alarm për të punuar. Atëherë, cili do ishte ai sistem i drejtë të cilit do i besonin të gjithë? Besoj se jeni dakord: çelësi është në transparencën dhe vendosjen e institucioneve të besueshme. Po kush do të drejtojë institucionet, si të tejkalohen dallimet, si të arrihet gjuha e përbashkët dhe si të sigurohet sistemi i qëndrueshëm? Pyetjet nuk kanë të sosur dhe mbështetjen e kanë në realitetin tonë të zymtë i cili, këtë ma thonë edhe bashkëbisedues jashtë vendit, me një kurajo shumetnike duhet flakur sa më parë.

Kam parasysh këtu teorinë për "dizajnim të tregut" që para dy vjetësh fitoi çmimin Nobel për ekonomi. Fjala është për alokimin stabël të resurseve në raste kur oferta dhe kërkesa, ndryshe nga teoria klasike e funksionimit të tregut, nuk arrijnë ta bëjnë këtë nëpërmjet çmimit, për shkak të veçantive të ndryshme në jetën reale. Sipas kësaj teorie të Roth dhe Shapley, në disa sektorë nuk arrihet që të bëhet alokimi optimal i resurseve për shkak të mungesës së një konkurrence të ndershme dhe pranisë së mosbesimit. Në këtë shtrirje ata kanë zhvilluar modele nga më të ndërlikuarat, por shembull më tipik, për rastin tonë, do të ishte sfida e dy shokëve që ta ndajnë barabar një mollë. Sipas këtij koncepti, ndarja më e drejtë do të ishte njëri të bëjë prerjen, ndërsa tjetri të zgjedhë pjesën. Në këtë rast, i pari do të kujdesej që të bëjë ndarjen në mënyrë sa më të drejtë, me qëllim që të minimizojë humbjen nëse i dyti do të zgjidhte opsionin më të preferuar për vete.

Kështu do të arrihej ndarja e barabartë e mollës (së sherrit)! Natyrisht, nuk pretendoj që ky shembull të jetë zgjidhja e sfidave tona aq të dëshiruara dhe të komplikuara në jetën politike, ekonomike dhe shoqërore, por sidoqoftë mund të na shërbejë si shembull i mirë në ndërgjegjen tonë për zgjidhje kreative në interes të gjithëve dhe për forcimin e mirëbesimit në një demokraci multietnike e multikulturore. Sipas këtij modeli, do të duhej të kemi mekanizma të balancuar në politikëbërje dhe vendimmarrje të cilat do të zvogëlonin mundësinë e përftimit në kurriz të tjetrit dhe do të mundësonin një qeverisje që rrit përgjegjësinë dhe mirëbesimin. Dhe, gjuha shkon aty ku dhemb dhëmbi,-thotë populli. Fjala është për gjetjen dhe pranimin e mekanizmave që anashkalojnë me vetëdije intencat që tek 'tjetri' krijon atë që emërtohet si hile apo padrejtësi. Mirëqeverisja të cilën e synojmë edhe ne në hapërimin tonë drejt përfshirjes në familjen europiane, edhe sipas dokumenteve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, nënkupton konsensusin, sundimin e ligjit, efikasitetin, barazinë, gjithëpërfshirjen dhe llogaridhënien.

Qeverisja e mirë është themeli i shëndoshë mbi të cilin ngritën demokracitë e zhvilluara. Prandaj, duhet të ndërtojmë institucione profesionale, të besueshme dhe të përgjegjshme që do jenë në funksion të qytetarit. Një sistem të rendit dhe ligjit që është i barabartë për të gjithë dhe një ekonomi të zhvilluar me ndarje transparente dhe fer të financave publike. Në shoqëritë multietnike, demokracia është funksionale kur shteti përmes konsensusit i integron në vete, në institucionet e tij, të gjitha grupet etnike mbi bazë të barazisë së plotë. Politika e partneritetit duhet të jetë model i bashkëpunimit, si bashkëpërgjegjësi për të qeverisur dhe përkushtim për një ardhmëri më të begatë në vendin tonë. Vetëm kështu do të krijonim atë mjedisin e shumëdëshiruar që pa i hyrë në hak njëri-tjetrit të gjithë të krijojmë vlera - për të mirën e të gjithëve. Fundja, që të ndjesh diçka tënden dhe t'i dalësh zot, duhet të jesh pjesë e saj. Pra, bashkëqeverisje dhe marrje e përgjegjësisë! Një mollë që mos t'ia shohim sherrin!

Autori është zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane në Republikën e Maqedonisë, ndërsa qëndrimet në kolumnë janë personale.

Publikuar: 13.12.2014 | 01:16
Lexuar: 1205 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime