E mërkurë, 21.11.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Shumica prej tyre nuk ia hedh sytë ligjërueses, përveç “Atit” të saj shpirtëroro-trampolinoist, në krye të strukturave të partisë, ish-kryeministri Berisha, i cili është i vetmi që e shikon në kokërr të syrit. Në krah të djathtë të tij, pasuesi në krye të PD-së, Lulzim Basha, ka ulur kryet si i turpëruar.
Grida, si përgjigje e PDsë së “rilindur”


Arben Rrozhani

Foto sa 1000 fjalë? Shikojeni këtë foto dhe do të thoni: “Një foto sa 1000 përgjigje”. Është fiksuar mbrëmjen e 11 dhjetorit 2014, në përvjetorin e 24-t të themelimit të PD-së, çuditërisht të kremtuar një ditë përpara. Fotografi ka kapur folësen Grida Duma, në një pozë alla Kim Kardashian. Këtë anë nuk e sheh “populli” përpara foltores, ku ajo flet për PDnë e re. Por vëreni mirë shikimet e tyre. Shumica prej tyre nuk ia hedh sytë ligjërueses, përveç “Atit” të saj shpirtëroro-trampolinoist, në krye të strukturave të partisë, ish-kryeministri Berisha, i cili është i vetmi që e shikon në kokërr të syrit. Në krah të djathtë të tij, pasuesi në krye të PD-së, Lulzim Basha, ka ulur kryet si i turpëruar.

Jozefina Topalli, në krahun e majtë të Sali Berishës, ia shkreptin sytë fokusit të aparatit fotografik. Në të majtë të saj është Aurela Basha, bashkëshortja e kreut të Bashkisë së Tiranës dhe godinës së SHQUP-it, që shikon tutje, në të majtë. Krah saj, i urti nënkryetar, Edmond Spaho me vështrimin e tretur nga fundi i sallës. Në të majtë të tij, Arben Ristani, sekretar i përgjithshëm, fringo i ri, edhe ai sypërdhe. Radha e dytë: Tritan Shehu, ish-kryetar, edhe ai sypërdhe, dhe në të majtë të tij, disa burra të partive aleate të PD-së, të vetmit që shohin drejt dhe pa teklif bukuranen e PD-së, e zgjedhur rishtas si drejtuese e Departamentit të Marrëdhënieve me Publikun. Në dhjetor të vitit 1990, Grida Shqina (Duma, politikisht) ishte një minorene 13,5-vjeçare në Durrës. Lulzim Basha ishte 16 vjeç në dhjetor të vitit 1990 (moooos, e paska ditëlindjen 24 orë përpara Gridës!). Mungojnë (përveç liderit të përjetshëm), të gjithë ata burra dhe gra që ishin vërtet aty 24 vite më parë.

Disa janë bërë me kohë për “rahmet pastë”, të tjerët i ka vdekur politikisht lufta e Njëshit për të mos lënë këmbë rivali rreth e rrotull. Janë ende aty, të rikthyerit që lëpinë atë që kishin pështyrë dhe i bënë hosana liderit për një kockë të hedhur. Pjesa tjetër janë adoleshentë, si Lulzimi & Grida që duan të “rilindin” partinë që e ka ende nën hyqëm ai që ia vdiq idealin pak ditë pas themelimit. Ata që anatemojnë dokumentarin e 24 vjetorit të PD-së se ishte vetëm për Bashën e kanë gabim. Le ta përdorin motorin e kërkimit “Google” dhe do të shohin se “njerëzit e vitit” në PD-në 2014; ishin Lulzimi, Grida dhe të gjithë sivëllezërit/simotrat që befas u gdhinë udhëheqëse në partinë që e molën kur ishte në pushtet dhe duan ta shterin tani në opozitë. Jo vetëm për “rilindjen” e PD-së, por edhe për 12 dhjetorin 1990, kur ishin adoleshentë.

Ta përdorin kërkimin edhe për të lexuar mes rreshtave të statuseve se sa në unitet është “rilindja” e PDsë: të gjithë për vete dhe asnjëri për partinë. Lulzimi, që me shumë sforco ia kap krahët Jozefinës si një takim paqtimi dhe ajo që ia kthen sa për hir të publikut dhe të kamerave. Jozefina, që i erren sytë nga “gjaku i ri” Grida Duma, tashmë edhe në kryesinë, ku ajo më nuk bën pjesë. Ah po, mungon në këtë foto Mesila, po më mirë se larg qoftë do ta kishte “varur” te palma e kryeministrisë, yllin në rritje të partisë që ka gjetur ta rilindë, ashtu copëcopë, siç duket edhe në foto.

Publikuar: 13.12.2014 | 14:01
Lexuar: 1111 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime