E shtunë, 17.11.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Në një barcaletë të moçme gjermamo-zvicerane thuhet se sa herë që Zvicra çon kokë për diçka, proteston, kundërshton e çka jo tjetër… Gjermania as që e dëgjon! Pse do të thoni ju? Sepse Zvicra e vogël mund të piskasë deri në qiell por Gjermania e madhe as që ka kohë ta dëgjojë krejt atë piskamë.
Kjo ikje e qytetarëve nuk është asgjë kundruall asaj që mund të vijë!



Beqë Cufaj

Në një barcaletë të moçme gjermamo-zvicerane thuhet se sa herë që Zvicra çon kokë për diçka, proteston, kundërshton e çka jo tjetër… Gjermania as që e dëgjon! Pse do të thoni ju? Sepse Zvicra e vogël mund të piskasë deri në qiell por Gjermania e madhe as që ka kohë ta dëgjojë krejt atë piskamë.

Pak a shumë kjo gjë më shkon nëpër mend derisa shohim sesi qindra e mija të ri e të reja, familjarë e nevojtarë nga Kosova po e lëshojnë vendlindjen për t’u nisur drejt “jetës më të mirë”- në perëndim. Janë shumë për Kosovën krejt ata që po ikin, është e dhembshme për vendin dhe të afërmit e tyre, por Gjermania e madhe dhe Evropa edhe më e madhe, as që e merr vesh, as që e ndjen në kurrizin e saj që po i hyjnë në oborr edhe ca mjëra shqiptarë nga Kosova. Të mos keqkuptohemi: jo që do ta kenë më mirë në kampet e refugjatëve. Por thjesht nuk do merret vesh sepse në shtetet e BE-së një prioritet absolut e kanë refugjatët e vendeve me luftëra nga Siria, Iraku, Afganistani, Afrika… Dhe jo nga një shtet i cili njihet e dihet si me paqe dhe siguri të mjaftueshme për të mos patur as edhe një aryse për t’u dhënë azili.

Ky është ai dallimi i madh pra mes refugjatëve të Kosovës së sotme dhe atyre të fundviteve 90 kur vendi kanosej nga një regjim brutal dikatatorial siç ishte i Milosheviqit.

Dhe po: dallimi tjetër është që me këto ikje të cilat nuk janë aspak të inskenuara as stërdramatizuara do jenë të mbeturit, pra qytetarët e Kosovës- ata që do vuajnë dënimin e madh. Sepse nuk ka as edhe një dilemë që migrimi ilegal i qytetarëve të vendit në shtete si Gjermania a Zvicra, Belgjika a Franca tashmë i ka dhe do t’i ketë pasojat në shtyerjen e dhënies së lirisë së lëvizjes në shtetet e Schengenit. Pa folur këtu edhe për shkaktarin e vërtetë të getoizimit të një shteti: korrupsionin e krimin e organizuar.

Nëse dikush po pyetet pse klasa politike e Kosovës nuk po mërzitet edhe aq për këtë fenomen të tmerrshëm atëherë përgjigja del më tepër se e thjeshtë: sepse është e papërgjegjshme por para së gjithash e pavetëdijshme që mundet t’i kushton më tepër se shtrenjtë krejt ky fenomen.

Kosova, e vonuar në të gjitha fruthet e demokracisë (së brendshme) duket që ende s’e ka provuar atë ikjen tjetër. Atë që e kishin përjetuar të gjitha shtetet me nomenklatura të kalbura komuniste e të korruptuara. E ajo siç duket e pret edhe vendin tonë. Kur të rinjtë e të rejat, familjarët e nevojtarët, të pashpresët e avanturierët në vend se të mësyejnë stacionet e autobusëve do të ndalen para oborreve të Ambasadave të vendeve perëndimore në Prishtinë. Dhe kur të fillojnë të futen në to: atëherë do të shohim sesi do të trandet një shtet i tërë… dhe jo vetëm!

Publikuar: 16.12.2014 | 23:02
Lexuar: 892 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime