E shtunë, 17.11.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Enver Hoxha e ka udhëhequr vendin për dekada dhe që të përcaktohet realisht vendi i tij në histori, ka disa kushte, të cilat kanë të bëjnë me bërjen dhe mosbërjen e gjërave prej tij, kundrejt vendit. Pushtetin e kishte absolut, ndaj dhe bie alibia se “nuk kishte mundësi” apo “nuk e lejonin”.
Shqiptarët përballë Enver Hoxhës



Teuta Nunaj

Dalldisja me daljet e fotove të diktatorit Enver Hoxha në takimet kremtuese të 70-vjetorit të Çlirimit të vendit, shërbeu si një sebep për të rikthyer në ligjërimin politik dhe jo vetëm, pozicionin, që vetë Enver Hoxha zë në historiografinë shqiptare. Nuk jam historiane, por edhe pse e kam pasion historinë nuk marr përsipër të shkruaj histori. Përkundrazi, zëri im është ai i qytetares dhe i intelektuales, që jetoi atë kohë, edhe pse në moshë minore, ku analizat e mendimit nuk ishin të thella, por perceptimet ishin të forta.

Enver Hoxha e ka udhëhequr vendin për dekada dhe që të përcaktohet realisht vendi i tij në histori, ka disa kushte, të cilat kanë të bëjnë me bërjen dhe mosbërjen e gjërave prej tij, kundrejt vendit. Pushtetin e kishte absolut, ndaj dhe bie alibia se “nuk kishte mundësi” apo “nuk e lejonin”.

Nëse në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare (LANÇ), ai ishte drejtuesi i parë, apo komandanti i përgjithshëm, kjo nuk mjafton, që atij t’i akordohen meritat e suksesit dhe fitimit të luftës. Kjo fitore u arrit, jo për shkak të drejtimit të tij, por për shkak të përpjekjeve heroike të një populli të tërë, ku bijtë më të mirë idealistë, dhanë jetën e tyre për çlirimin e vendit. Por njëkohësisht, një ndihmesë të çmueshme dhe të rëndësishme dhanë aleatët, që kontribuuan drejtpërdrejt në fitimin e luftës. Enver Hoxha, për aktivitetin e tij gjatë LANÇ-it, akuzohet mbi bazë dokumentesh dhe dëshmish, se ka urdhëruar një sërë vrasjesh gjakftohta të kundërshtarëve të tij politikë, gjë që i takon historisë ta vërtetojë; apo se lufta e tij për mbajtje pushteti prevaloi mbi luftën në dobi të vendit; ai nuk është shquar dhe as është shfaqur si strateg i luftës, siç do ia donte titulli i Gjeneral-Kolonelit, të paktën deri më tani, nuk ka patur teza të tilla historike. Dokumente historike shfaqin se si ai shkatërroi në themel bashkëpunimin mes forcave të ndryshme politike shqiptare; që dëmtoi deri në marrëzi ndjenjat dhe përpjekjet demokratike të intelektualëve shqiptarë etj. si këto. Atëherë, nëse në një çast të dhënë, për rrethana historike dhe motive të caktuara, Enver Hoxha u vu apo u gjend në krye të LANÇ-it dhe pas gjithë këtyre veprave të dënueshme që ai ka bërë, shtrohet pyetja: a meriton ai të njihet pozitivisht nga historia, si drejtues i luftës? Unë mendoj që jo! Ai nuk mund të jetë kurrsesi një hero i popullit dhe as i kombit. Përkundrazi, me veprën e tij, ai tradhtoi kauzën liridashëse të popullit shqiptar. Ndaj edhe medaljet dhe titujt e nderit, që i janë dhënë, duhet t’i hiqen.

Etapa e dytë historike, ka të bëjë me drejtimin prej tij të diktaturës së proletariatit. Të analizosh gjërat pozitive, që janë bërë në Shqipërinë komuniste në drejtimin e tij, duhet që historianët të jenë të kthjellët, transparentë, të papërfshirë emocionalisht në analizë, të aftë shkencërisht dhe të zotë të ndajnë politikën dhe ndjenjat nga e vërteta. Mbi të gjitha, të mos jenë selektivë në fakte e dokumente, të cilat për fatin e mirë nuk mungojnë. Por historinë e bëjnë edhe dëshmitarët okularë, që për fatin tonë të mirë, i kemi ende nga të dyja periudhat e sipërcituara. Ndërkohë që historianët rendin drejt dokumenteve arkivore brenda dhe jashtë vendit, të shkruara në rrethana dhe kohë të ndryshme, duke i paraqitur si të vetmet të vërteta historike, ata bëjnë gabimin historik duke i “harruar” dhe lënë jashtë shkrimit të historisë dëshmitarët okularë, që ende janë gjallë. Ndaj, për sa kohë këto kritere nuk janë plotësuar, nuk mund të pretendohet të shkruash historinë, si pasqyrë të së vërtetës.

Duke qenë se periudha diktatoriale ka vetëm 24 vjet që është mbyllur, kur vendi vijon tranzicionin e tejzgjatur dhe politika e sotme është vazhdim i të shkuarës, mospërfshirja e saj në shkrimin e historisë, do të vijojë të mbetet ende pretendim.

Për 40 vjet me radhë, Enver Hoxha sundoi mizorisht me dorë të hekurt. Në mënyrë të vazhdueshme vrau, burgosi dhe syrgjynosi në internim elitën intelektuale shqiptare; luftoi zërin demokratik dhe çdo mendim ndryshe; vetizoloi Shqipërinë, duke e ndarë nga bota e qytetëruar; ndërpreu lidhjet me shtete të zhvilluara dhe demokratike, në emër të një kauze, që synonte mbajtjen dhe mbrojtjen e pushtetit të tij gjakatar, duke u hedhur me radhë dhe sipas interesit të ngushtë personal për mbajtje pushteti, në prehrin e shteteve komuniste e diktatoriale të kohës. Ai e fshiu tërësisht klasën e mesme, duke krijuar një klasë të vetme, atë të të varfërve, që drejtohej e shfrytëzohej nga pronarët e rinj komunistë të vendit. Fundosi ekonomikisht deri në skaj popullin shqiptar, përmes një ekonomie të centralizuar, duke i marrë fshatarit çdo pronë dhe duke i ndaluar, qoftë edhe një pëllëmbë tokë bahçe, për të mbjellë për nevoja të tij apo të rriste dy pula në oborr; rrënoi qytetarin dhe intelektualin, duke i ndaluar të mendonin me mendjen e tyre dhe duke ju kufizuar liritë; mbylli kultet fetare, duke shpallur me ligj ateizmin, duke kthyer besimin nga personal te Zoti, në shtetëror te partia; zbatoi me dorë te hekurt diktaturën e proletariatit, nëpërmjet Sigurimit të Shtetit, duke krijuar terror në popull, frikë, pasiguri dhe mungesë besimi për jetën; vrau dhjetëra njerëz në kufi, për “fajin” e vetëm pse ata donin lirinë; etj.

Edhe pse përgjatë diktaturës u ndërtuan shkolla, spitale, rrugë apo u krye elektrifikimi i vendet, matja e arritjeve bëhet mbi kritere vlerësimi, të cilat mbështeten mbi bazë mundësish dhe potencialish që kishte vendi. Duke qenë se ato ishin të shumta, edhe arritjet vlerësohen në proporcion me to.

Të pastrojë dhe të zhveshi figurën e Enver Hoxhës nga të pavërtetat, se tashmë ajo është e qartë në dritën e diellit, si një individ, që punoi kundër vendit të tij; si një diktator që dëmtoi popullin e tij; si një pseudointelektual që shkatërroi në palcë intelektualizmin dhe kulturën; si shkatërruesi i lirisë së shqiptarëve; si drejtuesi i një mekanizmi të tërë politik dhe policor që vranë, burgosën e internuan zërat e lirë duke i mbytur ata që në brendësi; si një demon, që veç të mira nuk i ka sjellë këtij vendi.

Së fundi, Enver Hoxhës populli dhe historia i dha atë që meritonte. Ashtu siç ai tërhoqi zvarrë padrejtësisht për dekada popullin dhe kombin shqiptar, ashtu ai u tërhoq zvarrë, në 20 shkurtin 1991 rrugëve të Tiranës. Historia është nga të paktat gjëra, që asnjëherë nuk harron të shfaqi të vërtetën, sado e hidhur të jetë dhe sado kokë të kërkojë. Të kërkosh të ridimensionosh apo të rikthesh në kujtesën e shqiptarëve, për rehabilitim figurën më të urryer në historinë shqiptare, të shekullit të XX, është e turpshme. Kjo figurë duhet lënë në analet e historisë, si fatkeqësia më e madhe e këtij kombi në periudhën moderne të tij!

Një njeri i mençur dikur më patë këshilluar: “Mësoje të keqen për t’u mbrojtur prej saj, jo për ta përdorur atë”. Ndaj mendoj se brezat e rinj duhet ta njohin Enver Hoxhën dhe pasojat e pushtetit të tij, si një shembull, që nuk duhet kthyer kurrë në Shqipëri.

Publikuar: 16.12.2014 | 23:13
Lexuar: 1225 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime