Pas reagimit të Demokracisë së Re për largimin e mbi 40 të punësuarve në fondin pensional, sot ka reaguar edhe partia demokratike shqiptare.
Partia e Thaçit pyeti nëse largimet dhe degradimet e të punësuarve shqiptar në administratë të cilët janë punësuar në kohën e qeverisjes së PDSH janë në frymën e Marrëveshjes së Ohrit.
Sipas tyre largimet e fundit janë bërë pa pretekst dhe me një qëllim të vetëm, degradimin e shqiptarëve.
"Sikur BDI-së nuk i mjaftoi që largoi nga puna shqiptarët nga policia, posta, fondi i rrugëve, ministria e ekologjisë, ministria e kulturës, drejtoria e të hyrave publike etj, ata menjëherë pas festave largojnë nga puna 47 shqiptarë nga fondi pensional. Largimi i këtyre të fundit është bërë pa pretekst dhe me të vetmin qëllim degradimin e shoqërisë shqiptare në Maqedoni. Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm për mos aftësinë e BDI-së, për servilizmin e saj, por nuk duhet të harrojmë se e gjithë kjo ka një emër-Nikolla Gruevski", tha zëdhënës i PDSH-së, Adriatik Imeri.
Nga partia e Thaçit kanë akuzuar edhe ndaj reagimit të Demokracisë së Re e cila është adresuar vetëm ndaj BDI duke u frikësuar të fajësojnë edhe kryeministrin Nikolla Gruevski.
"Neve na habit fakti se një filiale e Nikolla Gruevskit me kryetar shqiptar, Demokracia e re shpreh keqardhje për largimin e të punësuarve nga fondi pensional dhe akuzon vetëm partinë shqiptare në pushtet BDI-në ndërsa harron të akuzoj edhe partinë amë VMRO-DPMNE-në", shtoi zëdhënësi Imeri.
Akuzat e tilla një ditë më parë për Alsat, drejtori i fondit pensional Hisni Jakupi i quajti të pabaza pasi siç tha ai, punëtorëve të larguar u ka skaduar kontrata e punës.
Gjyltene Rexhallari