E shtunë, 17.11.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Burrat janë në shumicë në këtë tubim në Dresden, këtë e kupton kushdo, që hedh sytë mes 18 mijë pjesëmarrësve të Pegida-s.
Biondja e Pegida-s
Ndërkohë që numri i shqiptarëve- nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Serbia- që kërkojnë azil në Gjermani shtohet ndjeshëm, në këtë vend po rritet frikshëm një lëvizje anti- islamike dhe anti- emigracion. Lëvizja quhet Pegida dhe ka lindur në Dresden.

Mbrëmë mbajtën tubimin e radhës. Në krye të turmës, një grua bionde, e cila lëshon shkrepëtima kundër industrisë së azilit. Por kush është fytyra e re e Pegida-s, pyet Spiegel

Burrat janë në shumicë në këtë tubim në Dresden, këtë e kupton kushdo, që hedh sytë mes 18 mijë pjesëmarrësve të Pegida-s.

Por në skenë megjithatë mikrofonin e rrëmben një grua, e cila nis të flasë. Ajo është një përjashtim në këtë ambient, por Kathrin Oertel është fytyra e re e lëvizjes së protestës.

Që Pegida do të bëhet më femërore, më e zbutur në retorikë dhe në reagim, kjo nuk mund të thuhet.

Protestat në Dresden po rriten, kështu po shtohet edhe vetëbesimi.

“Në e ftojmë kryeministrin e Saksonisë, Stanislaw Tillich, që të mbajë një fjalim këtu në demonstratë,” thërret Oertel dhe shton me bujari: “Ai e ka një shans, që të flasë lirshëm këtu”.

Për Kathrin Oertel dihen pak gjëra. Edhe pse është zëdhënëse e Pegida-s prej disa javësh, ajo flet shumë rrallë. Sidomos për shtypin, për të cilin bën seleksionime. “Nga Spiegel Online? Jo”, refuzon Ortel dhe largohet pa thënë asnjë fjalë tjetër.

Oertel, 36 vjeç, me flokë me onde të verdha, së bashku me Lutz Bachmann dhe dhjetë të tjerë, organizon mitingjet e Pegida-s.

Në skenë ajo i përshëndet përkrahësit me një puthje në faqe dhe me përqafim.

Me një pallto të zezë, ajo dirigjon ndihmësit.

“Mos i vendos ato drita aty, imagjinojeni vetë”.

Ajo po kryen detyrat e shefit të Pegida-s, Lutz Bachmann, që shfaqet për pak minuta të hënën, shkëmben një puthje dhe nuk flet. Që kur mediat kanë raportuar për të kaluarën kriminale të Bachmann, biondja energjike është vënë në lëvizje.

Të hënën në mbrëmje ajo nis të lexojë fjalimin e saj në një fletë. Ka ardhur pak më herët se të tjerët. Në dorëshkrimin e saj vendos të ndryshojë disa pasazhe.

Më pas në skenë sulmon kancelaren gjermane, Angela Merkel, e cila kritikoi Pegida-n në fjalimin e fundvitit.

“E drejta jonë për lirinë e shprehjes është kufizuar”.

Turma nis të bëjë “buuu”, “turp”, “tradhtarë, tradhtarë”.

Oertel buzëqesh.

Ajo shton: “Interesat kombëtare duhet të jenë në radhë të parë”.

Turma entuziazmohet.

Ndryshe nga organizatorët e tjerë të Pegida-s, ajo nuk lëviz shumë para kamerave. Për radion Mitteldeutschen ajo ka dhënë një intervistë të rrallë- jo e vetme, por me bashkëorganizatorin Rene Jahn.

Me vetulla të mbledhura dhe me një xhaketë me gjurmë leopardi, ajo ulet në studio dhe thotë gjëra të tilla si kjo: “Në jug të Francës ka më shumë xhami se kisha”.

Ajo dhe kolegët e saj kritikojnë politikën e azilit të qeverisë dhe islamizimin e pretenduar.

Kur gazeta “Sueddeutsche Zeitung” e përballi atë me shifrat për numrin e vogël të myslimanëve në Saksoni, ajo u përgjigj: “Statistikat nuk janë të sakta. Ka shumë ilegalë në këtë vend”.

Ajo ka shkuar në shkollë së bashku me Bachmann në qytetin e vogël Coswig. Ajo jeton akoma aty.

Kur flet, mund të dëgjosh theksin e saj.

Organizatorët e Pegida-s e njohin prej vitesh, janë miq. Por ajo nuk kujdeset vetëm për intervistat, por edhe për financat.

Në lëvizjen e krijuar më 19 dhjetor 2014, ajo shërben si përgjegjëse për thesarin dhe është zgjedhur në këtë detyrë me 10 vota.

Në Facebook pëlqen faqe të tilla si “Guximi për të vërtetën”, “Thilo Sarrazin”, “Dalje nga NATO”, “Kundër abuzimit me azilin”.

Të hënën ajo foli për një industri azili, e cila i intereson politikës për para.

Por ajo e di shumë mirë se sa e vështirë është të mbash nën kontroll një turmë të zemëruar prej mijëra njerëzish.

Zëri i saj ngjiret kur ajo u thërret me mikrofon një grupi prej 150 huliganësh, që duan të turren në qendër.

“Ju lutem, kthehuni, po na dëmtoni lëvizjen,” u thotë ajo.

Ajo përpiqet që të qetësojë protestuesit.

“Kjo është një lëvizje pa dhunë”.

Ka duartrokitje, por janë të dobëta. Më të forta bëhen kur Oertel premton: “Herën tjetër do shkojmë në qendër”.

Publikuar: 06.01.2015 | 17:11
Lexuar: 973 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime