E diel, 9.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Pushtimi i padrejtë dhe dështak i Irakut nga SHBA-të ka shkaktuar rritjen e reagimeve të këtij rajoni kundrejt Uashingtonit dhe Perëndimit në përgjithësi.
Politika e kohëve të fundit në Lindjen e Mesme





Autor: Prof. dr. Ramazan Gozen*

Në historinë dhe politikën e kohëve të fundit në Lindje të Mesme spikasin katër probleme: 1. Dështimi i Pranverës Arabe; 2. Vijimi i konfliktit arabo-izraelit; 3. Zhvillimet rreth programit bërthamor të Iranit; 4. Procesi i Zgjidhjes me qendër Turqinë.

Padyshim që në lidhje me Lindjen e Mesme, e cila formohet nga një hapësirë gjeografike mjaft e gjerë dhe një popullsi e madhe, mund të bëhen vlerësime të ndryshme mbi baza teorike dhe të zhvillimeve konkrete. Por, sido që të jetë, të gjitha analizat mbështeten në këto katër probleme. Natyrisht, këtu nuk duhen neglizhuar as aktorët politikë të Lindjes së Mesme. Ndërkohë që aktorët e nivelit global të rajonit janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia, Evropa dhe Kina; aktorët kryesorë të nivelit rajonal janë Turqia, Irani, Arabia Saudite, Egjipti, Izraeli dhe Katari. Duhet të theksojmë këtu se historia dhe politika e periudhave të fundit në Lindje të Mesme trajtësohet pikërisht nga shtetet e sipërcituara. Krahas këtyre, ia vlen të përmenden gjithashtu aktorë joshtetërorë si Vëllazëria Myslimane, Hamasi, qeverisja rajonale kurde në veri të Irakut, lobi ndërkombëtar izraelit dhe ISIS-i; megjithatë është e pamundur të thuhet se këta aktorë veprojnë në mënyrë të pavarur nga shtetet. Në këtë mënyrë mund të përmbledhim zhvillimin e historisë dhe politikës së Lindjes së Mesme gjatë kohëve të fundit në kontekstin e aktorëve në fjalë.

Thelbi i politikës së kohëve të fundit në Lindje të Mesme formohet nga pushtimi i Irakut nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2003 dhe zhvillimeve e mëpasshme. Pushtimi i padrejtë dhe dështak i Irakut nga SHBA-të ka shkaktuar rritjen e reagimeve të këtij rajoni kundrejt Uashingtonit dhe Perëndimit në përgjithësi. Reagimet në fjalë janë vërejtur pjesërisht në politikat shtetërore radikale dhe hera-herës në qëndrimet e popujve. Si shembull për këtë mund të japim nismat e Iranit për të zotëruar kapacitete bërthamore dhe rritja e influencës së tij; por edhe kryengritjet popullore kundër regjimeve në vendet arabe. Këtyre mund t’ju shtojmë fare lehtë copëtimin faktik të Irakut, ngritjen e lëvizjes politike kurde, përshkallëzimin e terrorit të PKK-së dhe shtimin e akteve të Hamasit kundër Izraelit. Si rrjedhim, problemet kryesore të rajonit në dekadën e parë të shekullit të 21-të ishin: Shtrirja e influencës ushtarake, teknologjike dhe politike të Iranit në Irak, Liban dhe Palestinë; shqetësimi i Turqisë dhe Irakut nga politika dhe terrori kurd; vazhdimi i pazgjidhshmërisë së problemit palestinez; përhapja e organizatës terroriste Al-Kaida, me qendër Afganistanin, në Irak dhe vende të tjera të rajonit. Shkurtimisht, andej nga fundi i vitit 2010, Lindja e Mesme ishte kthyer tashmë në një fushë beteje ndërmjet SHBA-ve e aleatëve të saj në njërin krah dhe Iranit të mbështetur nga Rusia e Kina me aleatët e tyre në krahun tjetër.

Pas zgjedhjes së ish-senatorit të Ilinois, Barack Obama, në postin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitin 2009, u përjetuan dy zhvillime kritike pozitive, madje të tilla sa mund ta ristrukturonin rajonin kryekëput. Së pari, Turqia dhe SHBA-të nisën të bashkëpunojnë në kuadër të programit të Partneritetit Model për zgjidhjen e të gjitha problemeve rajonale me rrugën e paqes dhe stabilitetit. Në këtë suazë, qeveria Erdogan bëri disa hapa shumë të rëndësishme dhe historike në drejtim të paqes. Erdogani dhe Obama jetësuan nisma mjaft pozitive për zgjidhjen e problemeve në Irak, Siri, Palestinë, Liban, madje dhe ndërmjet Armenisë e Azerbajxhanit. Rezultati i parë i kënaqshëm i këtyre nismave ishte gjallërimi i shpresës për zgjidhjen e problemit në lidhje me programin bërthamor iranian, për rivendosjen e stabilitetit në Irak dhe për sheshimin e konfliktit izraelito-palestinez në kornizën e rregullave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Kurse zhvillimi i dytë kritik nën presidencën Obama ishte fillimi i Pranverës Arabe. Procesi i demokratizimit paqësor dhe të qëndrueshëm, që nisi në Tunizi, u përhap edhe në Egjipt. Esenca e filozofisë së Pranverës Arabe ishte realizimi i idealeve të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe të tranzicionit paqësor e të qëndrueshëm në të gjithë rajonin. Në fakt, kjo ishte shkëndija e procesit të ndriçimit rajonal. Shpresohej që në Lindjen e Mesme, madje dhe në të gjithë botën islame, të mundësohej përparim dhe modernizim ashtu si në vendet e Evropës Lindore e Qendrore pas Luftës së Ftohtë. Nga ky aspekt, ekzistonte mundësia që në rajon të çelte një pranverë politike.

Mirëpo këto shpresa dhe mundësi të Pranverës Arabe jo vetëm që nuk u përhapën në vendet e tjera të rajonit, por u shuan edhe në ato të origjinës. Etapat e procesit të Pranverës Arabe në Libi dhe Siri u përlyen me gjak. Kadafi në Libi u rrëzua vetëm pas një ndërhyrjeje ndërkombëtare dhe të armatosur; por në vend të tij nuk u instalua dot një qeveri dhe regjim i shëndoshë. Problemet themelore në këtë rast janë polarizimet dhe përplasjet ndërmjet forcave ushtarake lokale. Ndërsa kriza në Siri luajti një rol më shkatërrues dhe pengues. Lufta midis opozitës siriane dhe regjimit të Esadit u bë skenë e ndërhyrjeve të jashtme dhe luftës civile. Kaosi në Siri ndikoi negativisht jo vetëm brenda vendit, por edhe shtetet përreth. Në krye të tyre renditet puçi ushtarak në Egjipt, që mundësoi rrëzimin e Mursit, i cili ishte zgjedhur me rrugë demokratike. Libia, Siria dhe Egjipti janë shembuj, që kanë ndryshuar tërësisht rrjedhën e Pranverës Arabe dhe e kanë shtyrë rajonin drejt një situate më të errët sesa ajo e kaluara. Më shumë nga zhvillimet e lartpërmendura janë prekur problemi palestinez dhe divergjenca në marrëdhëniet SHBA-Turqi. Një përmasë e rëndësishme e kësaj është “Vetmia e Çmuar” e politikës së jashtme turke, sipas një autoriteti zyrtar.

Dy proceset pozitive, që i kanë mbetur Lindjes së Mesme në fundvitin 2014 dhe fillimin e 2015-s, janë negociatat bërthamore ndërmjet Iranit dhe grupit P5+1, si dhe Procesi i Zgjidhjes në Turqi. Teksa sesia e zhvillimeve tek të tjerat është e paqartë, këto dy procese duken më shpresëdhënëse në vitin 2015. Edhe pse nuk kanë lidhje të drejtpërdrejta me njëra-tjetrën, përmbyllja me sukses e këtyre dy proceseve mund të prodhojë efekte pozitive edhe për Irakun, Sirinë, Gjirin dhe Palestinën. Si rezultat i këtyre ka shumë gjasa të zgjidhen gjithashtu problemet në Siri dhe ato në lidhje me organizatën terroriste ISIS.

*Pedagog i degës së Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë Universitetit “Marmara” në Stamboll

Publikuar: 16.01.2015 | 17:54
Lexuar: 1690 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime