Jo rastësisht në Sarajevë është arritur kompromis - samiti t'i përngjajë më shumë një takimi të thjeshtë joformal të ministrave të punëve të jashtme, pa fotografi të përbashkët zyrtare, pa flamuj kombëtarë, pa emra të vendeve pjesëmarrëse, pa deklaratë të përbashkët.
Vendet e Ballkanit Perëndimor druajnë për ardhmërinë e tyre evropiane, shkruan botimi i sotëm i gazetës pariziene "Le Mond" në artikullin kushtuar samitit të Sarajevës. Gazeta konsideron se samiti, i cili mbahet dhjetë vjet pas samitit në Zagreb ka për qëllim ta konfirmojë parimin se të gjitha vendet e rajonit do të integrohen në BE, por paraprakisht pa u konfirmuar afati për integrimin e tyre.
"Pas krizës greke, në kontinent 'po fryn erë e keqe'. Deri sa qeveritë gjithnjë e më shumë paralajmërojnë masa të kursimit buxhetor, më askush nuk jep deklarata optimiste për procesin e ri të zgjerimit të BE-së", kështu "Le Mond" e përshkruan kontekstin në të cilin mbahet samiti BE-Ballkani Perëndimor.
Kjo nismë e kryesimit spanjoll me BE-në, sipas gazetës është pritur me skepticizëm prej disa vendeve-anëtare të BE-së. "Le Mond" posaçërisht përqëndrohet në përgatitjet e vështira shumëjavore me qëllim që në të njejtën tryezë të ulen përfaqësuesit e Serbisë dhe Kosovës.
Jo rastësisht në Sarajevë është arritur kompromis - samiti t'i përngjajë më shumë një takimi të thjeshtë joformal të ministrave të punëve të jashtme, pa fotografi të përbashkët zyrtare, pa flamuj kombëtarë, pa emra të vendeve pjesëmarrëse, pa deklaratë të përbashkët.
Në rend dite në Sarajevë, sipas "Le Mond", është e mundur të gjindet edhe "konflikti midis Athinës dhe Shkupit lidhur me emrin e Maqedonisë".
Prej vitit 1991, Greqia e bllokon njohjen ndërkombëtare të fqinjit të saj, duke konsideruar se emri Maqedoni i përket trashëgimisë së saj kulturore dhe historike. Maqedonia, siç përkujton "Le Mond", është bllokuar nga ky konflikt në procesin e saj të integrimit evropian