Kompania shtetërore ruse "Gazprom" në tërësi e ndërpreu dërgesën për Bullgarinë, Greqinë, Turqinë, Rumaninë, Kroacinë, ndërsa në mënyrë të konsiderueshme është zvogëluar për Hungarinë, Austrinë, Bosnjë e Hercegovinën dhe Çekinë.
Vendet nga rajoni do të dërgojnë protestë zyrtare për ndërprerjen e dërgesës së gazit natyror
Në koordinim me vendet nga rajoni, Maqedonia do të dërgojë protestë zyrtare deri te Rusia dhe Ukraina për shkak të ndërprerjes së dërgesës së gazit natyror për Ballkanin, u vendos në takimin e Qeverisë dhe biznes-bashkësisë. Në takimin që u mbajt dje pasdite, është arritur marrëveshje që nëse ka nevojë Qeveria në mënyrë plotësuese të importojë mazut për nevojat e "Ngrohtores", e cila mazutin e shfrytëzon si alternativë për gazin.
Tranziti i gazit natyror rus për vendet e rajonit ballkanik dhe Turqinë është ndërprerë dje në mëngjes në ora 4:30 minuta. Dërgesa është ndërprerë për shkak të kontestit të Moskës dhe Kievit për çmimin e energjensit. Kompania shtetërore ruse "Gazprom" në tërësi e ndërpreu dërgesën për Bullgarinë, Greqinë, Turqinë, Rumaninë, Kroacinë, ndërsa në mënyrë të konsiderueshme është zvogëluar për Hungarinë, Austrinë, Bosnjë e Hercegovinën dhe Çekinë.
Si pasojë e kësaj, filloi rënia e presionit në pjesën e gazpërçuesit në Maqedoni, e pastaj edhe ndërprerje e plotë e dërgesës së gazit natyror për konsumatorët në Maqedoni.
Sipas ministrit të Ekonomisë Fatmir Besimi, ndërprerja e dërgesës së gazit natyror rus nuk do të ketë pasoja serioze për shkak se ky energjens pak përdoret në shtet. "Kemi njoftim zyrtar nga 'Naftgaz Ukrainë' se ndërpritet dërgesa e gazit për Maqedoninë për shkak të mosmarrëveshjes me Gazprom-Rusi dhe kjo mundet të ketë, krahas atyre ekonomike, edhe implikacione politike. Mendojmë se Maqedonia është konsumator i vogël i gazit natyror, pra implikacionet do të ishin me këto dimensione", deklaroi Besimi për MIA-n.
Në disa vitet e fundit kjo është përleshja e gjashtë ruso-ukrainase rreth gazit. Këtë herë kjo shpërtheu pasi "Gazprom" kërkoi shtrenjtim të gazit, që Kievi nuk e pranon, duke vlerësuar se çmimi është më i madh se sa duhet. Moska e ndërpreu dërgesën e gazit për Ukrainën për shkak se Qeveria e atjeshme nuk i ka shlyer të gjitha borxhet nga viti i kaluar. Qeveria në Kiev megjithatë pohon se kjo nuk është e saktë dhe se tërë llogaria është paguar që prej para vitit të ri. mi