E mërkurë, 21.11.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Një shëmti pa parti dhe krejt jashtë sferës së logjikës demokratike së shumicës absolute të shqiptarëve, të cilët kanë zgjedhur këtë sistem ku kemi vendosur të jetojmë.
Sulmi kundër Tahirit, sulm kundër shtetit








Nga Artur Zheji

“Fjalët e tepërta janë fukarallëk!”, thuhet në popull. Dhe ky është rasti që kjo fjalë e urtë shqiptare të kujtohet. Sepse, sulmi kundër ministrit të Brendshëm, i drejtpërdrejtë qoftë dhe, edhe më tmerr akoma, me objektiv të tërthortë pjesëtarët e familjes, është një krim i shëmtuar, të cilin kushdo që e dënon, vendos një tullë në ngrehinën e shkatërruar të Shtetit Shqiptar.

Dhe madje, ndryshe nga çfarë keqkëshillohet, nuk humbet, por përkundrazi fiton kredite publike. Sepse shëmtia e një atentati me tritol është një shëmti trasversale.

Një shëmti pa parti dhe krejt jashtë sferës së logjikës demokratike së shumicës absolute të shqiptarëve, të cilët kanë zgjedhur këtë sistem ku kemi vendosur të jetojmë.

Pavarësisht se si quhet ministri, e pra, edhe pavarësisht se çfarë përkatësie partiake ka, dhe pavarësisht se në cilin formacion politik gjindet, kjo që ka ndodhur 48 orët e fundit është e rëndë dhe kombëtarisht e papranueshme. Dhe këto shpërthime tritoli, vendosur hajdutçe mbas mesnate, nuk mund të interpretohen ndryshe: veçse si një krim kundër shtetit.

Një krim kundër të gjithëve.

Në këto raste, në të gjithë botën e qytetëruar ku dhe aspirojmë, kryesisht me fjalë të bëjmë pjesë, mllefet dhe kundërshtitë politike lihen mënjanë dhe nuk është as turp dhe as politikisht dëmtuese për askënd të shprehë hapur dhe pa doreza një distancim të qartë nga ky krim. Dhe të shprehë një solidaritet shtetar ndaj ministrit të lënduar. Ndaj presionit të tipit mafioz, ndaj kërcënimit me tritol. Një tritol që shpërtheu dhe foli me gjuhën e ndjelljes së vdekjes.

Nuk është aspak korrekte, për këdo qoftë, që të fshihet në këto orë pas indiferencës apo mungesës së shtirur të vëmendjes dhe të mos shprehet hapur për këtë.

Pse, çfarë presim ne apo ata?

Që të hidhet në erë Ministri i Brendshëm, apo familjarë të tij? Mjerisht ka në politikë nga ata, që nuk do të trishtoheshin fare për këtë. Porse, përtej ndjeshmërisë personale, përtej për njeriun Saimir Tahiri dhe familjen e tij, këto akte, kriminalisht të guximshme, janë akte ndaj sigurisë të të gjithëve ne. Realisht shumë më të pambrojtur se sa Saimir Tahiri.

Dhe akoma më keq akoma. Si munden të hidhen në tregun e konsumit mediatik, si të ishte një fishekzjarr dhjetori, hipoteza zymtake dhe pa asnjë provë, për vetë-tritolizim të mazhorancës për efekte elektorale? Kur zgjedhjet janë krejt larg dhe kur një akuzë e tillë kaq e rëndë, kërkon edhe prova proporcionalisht të rënda?

Të shkojë tundimi për kapital politik deri këtu? Personalisht mendoj se “deri këtu”, do të thotë të kesh mbërritur vërtet në kufijtë e absurdit. Dhe në kufijtë e absurdit, ka anarki, konflikt dhe Jo Shtet. Në të vërtetë, ne jemi tashmë mësuar edhe me këtë, Joshtetin, dhe kjo e mësuar është po aq mëkatare se sa vënia e tritolit.

Sepse nuk ka inkurajim më të madh se sa kjo gjendje dhe ky debat, pa vullnet shtetformues se sa ky! Sepse tritolvënësi i pardjeshëm, shikon sigurisht edhe ai Tv dhe lexon edhe ai gazeta, edhe atë ndjenjë frike që kap cilindo që kryen një krim të këtyre përmasave, e ka qetësuar, tek ka lexuar ftohtësinë apo mosdënimin publik të njëzëshëm dhe të përbashkët të të gjithë politikës shqiptare, ndaj këtyre atentateve thelbësisht kundër shtetit. Dhe përpos parave që ka numëruar tritolvënësi, ka bërë ndoshta edhe telefonatën e radhës, në pritje të detyrës së radhës, për tritolvënien e radhës.

Dramatike apo jo?!

Sepse kur guxojnë kundër Saimir Tahirit, Ministër i Brendshëm, legalisht i zgjedhur, nga një Kuvend legalisht i votuar nga shqiptarët dhe pjesë e një kabineti qeveritar legalisht dhe konstitucionalisht në pushtet, çfarë mund të ndodhë dhe çfarë ndodh për qytetarin e thjeshtë apo sipërmarrësin që nuk paguan “Gjobën”?

Tritolo-terapi me shumicë? Çfarë mjerimi! (MAPO)

Publikuar: 13.02.2015 | 11:56
Lexuar: 1099 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime