Specialistë të Bankës Botërore listojnë arsyet kryesore që pengojnë biznesin e huaj të investojë në vendin tonë. Shqipëria ka nivelin më të ulët në rajon për investimet e huaja direkt për frymë.
Pasiguria në çështjet e qeverisjes si dhe zbatimi i ligjit konsiderohet një ndër pengesat kryesore, krahas problemeve me pronën që investitorët marrin në konsideratë para se të investojnë paratë e tyrë ne Shqipëri.
Studimi i kryer nga specialistë të Bankës Botërore në lidhje me mundësitë që ofron vendi ndaj investitorëve si dhe reformat e ndërmarra në këtë sector, raporton për mungesë të theksuar të besimit të tyre tek zbatimi i ligjit si dhe tek politikat e ndërmarra nga ekzekutivi.
Një ndër sektorët që ka pasur zhvillim të konsiderueshëm në vend siç është ndërtimi, mund të konsiderohet një mollë e ndaluar për investitorët e huaj.
Sipas BB-së, ndërtimi është një ndër sektorët në të cilin investitorët e huaj paragjykohen në raport me atë vendas duke shkaktuar një nivel të ulët të investimeve nga jashtë në këtë sektor.
Duke marrë shkas nga kjo, Banka Botëror ka hartuar edhe një grafik me investimet e huaja direkte për frymë për vendet e Europës Jug-Lindore. Përgjatë viteve 2000-2008 investimet e huaja direkte për frymë në Shqipëri kanë qënë në nivelin e 1024 dollarëve, ndërkohë që të gjithë vendet e rajonit renditen më lart se ne.
Kështu, Serbia gjatë kësaj periudhe ka patur mesatarisht 2000 dollarë për frymë investime të huaja, Bonje Hercegovina 1600 dollarë, Kroacia mbi 4000 dollarë, Maqedonia 1268 dollarë dhe Mali i Zi 3800 dollarë. Në renditjen e bërë nga Banka Botërore, vendi ynë le pas shtete si Armenia e cila patur 980 dollarë për frymë investime të huaja direkte, Ukrainën me 840 dollarë, Moldavinë me 560 dollarë dhe Bjellorusinë me 550 dollarë.
Krahas zbatimit të ligjit, problem tjetër që pengon investimet e huaja në vend renditen edhe problemet që hasen gjithnjë me pronësinë e tokës. Në lidhje me këtë, muajt e fundit qeveria ka ndëmarrë disa masa ligjore duke favorizuar investitorët e huaj nëse ata do të përballen me probleme të tilla në të ardhmen. Studimi vëren ekzistencën e ligjeve që rregullojnë pronësinë mbi tokën, por ata nuk zbatohen duke i lënë vendin shkeljeve.
Shembulli merret në procedurat që ndiqen për regjistrimin e pronave. Në studime përmenden vonesat që hasen në këtë proces për shkak të mungesës së koordinimit midis autoriteteve shtetërore. "Pasiguria mbi të drejtat e pronësisë redukton investimet dhe kreditë", - thekson Roland Klark, specialist për politikat tregtare pranë Bankës Botërore.
Më tej ai u ndal edhe tek niveli i lartë i informalitetit në ndërtime duke theksuar se një pjesë e madhe e tyre janë të parregullta nga ana juridike e cila është një pengesë e madhe për kreditimin. Në raport përmendet edhe kostoja e lartë e telefonisë së levizshme, e cila gjithashtu lidhet me problemet me pronat.
Po ashtu, respektimi i vendimeve të gjykatave shihet nga Banka Botërore si një tjetër arsye e shkallës së ulët te investimeve të huaja në vend.
Edhe pse mund të merren vendime, shkalla e zbatimit nuk është në nivelet e duhura për shkak të mungesës së besimit si edhe të autoritetit të këtij sistemi në publik.
Ajo që është ngritur me të madhe edhe nga biznesi vendas që ka të bëjë me zbatimin e sistemit të referencave, etiketohet si një pengesë serioze për zhvillimin e biznesit edhe nga specialistët e Bankës Botërore.
"Vjelja e taksave përmes pagave të referencës dhe të punësuarve të referencës redukton ndikimin e reformave në sistemin e taksave", - vijoi Klark duke shtuar se pasiguria, sidomos e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme rrit mundësinë që këto të jenë të interesuara që të marrin një fitim sa më të lartë në një kohë sa më të shkurtër duke mos bërë investime afatgjata. E. Senja
Burimet e pasigurisë - Taksat
Humbjet për shkak të mitmarrjeve dhe rryshfetit
Ndryshimet në strukturën e tregut
Ndryshimet në ligje dhe rregullore apo në zbatimin e tyre
Niveli i zbatimit të ligjit
Konkurrenca e pandershme
E drejta e pronësisë
/shekulli/