Papërgjegjësia e profesorëve të Universitetit të Prishtinës për të mbajtur orët, është e madhe. Ata marrin deri në 1 mijë euro rrogë në muaj, por 80 për qind e tyre mungojnë. Ka nga ata që brenda muajit nuk shkojnë asnjëherë. Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në UP publikon monitorimin profesorëve në tri fakultete.
Emrat e tyre figurojnë në listat e rrogave si profesorë të Universitetit të Prishtinës. Pagat që marrin nuk janë të vogla. Pa asnjë bonus, rrogat e tyre arrijnë deri 1 mijë euro, por duket se u mungon ndërgjegjja dhe përgjegjësia për ti merituar ato. Një hulumtim i qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje brenda UP-së, i bërë në tri fakultete të këtij universiteti dhe përfshin muajin maj, pasqyron neglizhencën e më shumë se 80 për qind të profesorëve për të mbajtur orët e tyre.
Në Fakultetin Ekonomik, nga 57 profesorë, janë vetëm 7 që nuk kanë munguar asnjëherë brenda muajit maj. Në Fakultetin Juridik, nga 24 profesorë, vetëm 3 e kanë respektuar kontratën e nënshkruar dhe nuk kanë munguar. Gjendja e njëjtë është edhe në Fakultetin Filozofik. Sipas të dhënave të prezantuara nga Vetëvendosja, nga 78 profesorë, vetëm 18 nuk kanë munguar.
Por Enver Hasani, Bedri Peci dhe Arsim Bajrami, të tre këta ligjërues në Fakultetin Juridik, janë profesorët që brenda muajit maj nuk kanë mbajtur asnjë orë mësim.
Në Fakultetin Filozofik, lista me ata që nuk kanë shkuar në asnjë orë ligjërata brenda këtij muaji, sipas monitorimit të Vetëvendosjes, është edhe më e gjatë. Suzana Qapriqi, Nita Luci, Nail Ipqiu, ass.L.Kryeziu, N.Behxheti, Bujar Dugolli, S.Bytyqi, A.Drancolli, janë profesorët që kanë rrafsh 100 për qind mungesa.
Në Fakultetin Ekonomik, lista me emra të profesorëve që kanë munguar është gjithashtu shumë e gjatë, por për dallim nga dy të parët, në të nuk ka profesorë që kanë munguar plotësisht.
Profesoresha që ka munguar më së shumti në këtë fakultet, sipas këtij monitorimi, është Hykmete Bajrami me 87.50 për qind, e pasuar nga një numër i madh kolegësh të saj që kanë munguar më së paku, deri 6.25 për qind.
Sipas Vetëvendosjes, grupi vëzhgues përbëhet nga 15 persona dhe rezultatet janë shumë të sakta, ngase puna e aktivistëve vëzhgues ka qenë e drejtpërdrejtë. Ky monitorim ka nisur pas ankesave të shumta të studentëve. Një numër profesorësh që punojnë edhe në vende të tjera të punës, shumicën e orëve të planifikuara nuk i mbajnë me rregull, madje disa prej tyre nuk duken për kohë të gjata në fakultetet ku ata do të duhej të ligjëronin, thuhet në sqarimin kësaj lëvizjeje.
Përveç mungesave, ky monitorim pasqyron edhe shumë shkelje të tjera që bëjnë profesorët e këtyre tri fakulteteve të vëzhguara në periudhën kohore të muajit maj.
Gjatë monitorimit, në këto tri fakultete është vërejtur se te shumica e profesorëve është shprehi e përhershme që ata të vonohen për ligjëratat e planifikuara. Në disa raste, vonesat kanë zgjatur 40 minuta të plotë, por studentët kanë pritur dhe i kanë mbajtur ligjëratat e vonuara, thuhet më tej në këtë monitorim, i cili është i pari i këtij lloji që bëhet.
Një fakt tjetër që është vërejtur sipas Vetëvendosjes, është grumbullimi i 2, 3 apo më shumë grupeve në një orë të vetme. Kjo ka bërë që në disa raste, në një vend të jenë 200 e më shumë studentë, që as për së afërmi nuk i plotëson kushtet minimale, shkruan në këtë monitorim. Por sipas këtij monitorimi, duket se janë edhe disa profesorë të cilët kanë vendosur të mos bëjnë mungesa, edhe pse numri i tyre krahasuar me ata që mungojnë është shumë i vogël. Përveç mungesave, Vetëvendosja ka publikuar edhe emrat e profesorëve që mbajnë më shumë se një vend të punës.
Profesorët e këtyre tre fakulteteve që mbajnë më shumë se një vend të punës, sipas hulumtimit të Lëvizjes Vetëvendosje, janë:
Në Fakultetin Ekonomik
Besim Beqaj - Kolegji FAMA, Ministër i Integrimeve
Valentina Toqi- Kolegji AAB
Driton Balaj- Kolegji FAMA
Justina Pula- Ministre e Energjetikes, Universiteti Internacional i Prishtinës
Nexhat Muhaxherri- Universiteti Internacional i Prishtinës
Mrika Kotorri- AUK, Universiteti Internacional i Prishtinës
Visar Rrustemi- Posta dhe Telekomi i Kosoves
Nail Reshidi- Universiteti ILIRIA
Fakulteti Filozofik
Anton Berishaj- AAB RiInvest, Kolegji FAMA
Krist Shtufi- Kolegji Fama
Nait Vrenezi- ushtrues detyre i Entit të Statistikave të Kosovës
Astrit Salihu- këshilltar i kryeministrit
Blerim Latifi- këshilltar politik i kryeministrit
Nita Luci- AUK
Enver Hoxhaj- ministër i Arsimit
Fakulteti Juridik
Bedri Peci - Kolegji FAMA
Enver Hasani - kryetar i Gjykatës Kushtetuese
Hajredin Kuqi - zv.kryeministër
Haki Demolli - ministër i Drejtësisë
/express/