E premte, 14.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Nëse në shumë raste këto nuk janë luftëra si ato të dikurshmet, është e natyrshme që kombet të jenë të paqarta në përballjen me to dhe të shfaqen të gjitha dobësitë e një hapësire që është bërë globale, pa ekzistencën e një rendi global.
Armët e ndryshkura të shteteve të vjetra







Nga Sabino Cassese, Corriere della Sera

Erëra luftërash në kufijtë dhe në zemër të Europës. Konflikte në të cilat ndeshen shtete, në Veri; konflikte që lindin nga mungesa apo nga brishtësia e shteteve, në Jug.

Zgjidhje që nga njëra anë shfaqin bashkëpunimin jo të plotë europian; ndërsa nga ana tjetër konflikte për të cilat kërkohet një bashkëpunim edhe më i gjerë, ndërkombëtar. Luftëra të luftuara nga njëra anë dhe sulme terroriste nga ana tjetër.

Konflikteve antike u shtohen konfliktet e reja, që e ndryshojnë paradigmën tradicionale, atë të një kombi të armatosur që është në luftë me një tjetër komb të armatosur (ose koalicione shtetesh në kampe të kundërta). Ndryshojnë skenat e konflikteve, protagonistët, metodat dhe vetë natyra e konflikteve.

Skena në Libi dhe nëpër territoret irakiane dhe siriane të pushtuara nga ISIS, është ajo e shteteve të dështuara apo të brishta, ku ballafaqohen grupe joshtetërore, ose për pushtimin e një territori, ose për të sulmuar në territore të tjera.

Protagonistët nuk janë vetëm shtetet. Hyjnë në lojë Kombet e Bashkuara, të cilat ishin që më parë të angazhuara në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme në 16 operacione për ruajtjen e paqes, me thuajse 130 mijë persona dhe një kosto prej rreth 8 miliardë dollarësh çdo vit; Organizata për sigurinë dhe bashkëpunimin europian, e angazhuar që më parë në shumë vende të Europës Qendrore me thuajse 3 mijë persona dhe me një kosto prej thuajse 150 milionë eurosh në vit; Bashkimi Europian, protagonist i dobët, sepse ka kompetenca të pakta në fushën ushtarake; së fundi “Shteti Islamik”, që në të vërtetë është një formë joshtetërore e pushtetit publik, që është zhvilluar në territorin e shteteve të tjera (Siri dhe Irak), por me synime ndërkombëtare.

Pa harruar se ndryshon natyra e konfliktit dhe bëhet e vështirë të dallosh mes kryengritësish dhe armiqsh e ndërmjet operacioneve luftarake dhe operacioneve policore, gjë të cilën e dinë mirë amerikanët që kur presidenti Bush ndërmori të ashtuquajturën war on terror, e cilësuar si luftë, por që nuk i drejtohej një Shtet-kombi armik, por një organizate të llojit terrorist me lidhje globale.

Nëse në shumë raste këto nuk janë luftëra si ato të dikurshmet, është e natyrshme që kombet të jenë të paqarta në përballjen me to dhe të shfaqen të gjitha dobësitë e një hapësire që është bërë globale, pa ekzistencën e një rendi global.

Në radhë të parë, në territoret e paqeverisura, a duhet kërkuar që të jetë gjithnjë OKB-ja që t’i rindërtojë njësitë shtetërore, dhe a është e pranueshme kjo formë shtetformimi nga lart? Së dyti, deri kur do të jetë e mundur që një gjigant ekonomik dhe politik si BE-ja të vazhdojë të jetë një xhuxh nga pikëpamja ushtarake, nën peshën e dështimit të largët të Komunitetit europian të mbrojtjes (1950-1954), për të shmangur që kur ka zhurmë armësh, sikurse pak ditë më parë në Minsk, fjala t’iu kalojë shteteve të përveçme? Së treti, si do të lidhet refuzimi kushtetues ndaj luftës (kujtoj se neni 11 i Kushtetutës italiane thotë se “Italia e refuzon luftën si instrument sulmi ndaj lirisë të popujve të tjerë dhe si mjet të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve ndërkombëtare”) me nevojën për të kryer operacione luftarake në mbrojtje të sigurisë, ku kufiri mes policisë dhe luftës dhe mes mosmarrëveshjes ndërkombëtare dhe konfliktit të brendshëm është shumë i paqartë?

Së fundi, si t’iu bëhet ballë veprimeve terroriste apo luftarake që kryhen nëpërmjet organizatash të përmasave globale, kur shtetet janë ende të rregulluara kryesisht mbi baza kombëtare?

Përgjigjja ndaj këtyre pyetjeve ka ardhur duke u pjekur gjatë viteve të fundit në komunitetin ndërkombëtar. Ose OKB-ja, ose sistemet e aleancave rajonale (sikurse është propozuar së fundmi nga Henry Kissinger në librin e tij “World Order”) duhet të jenë garantueset supreme të formimeve shtetërore të dobëta, duke i kontrolluar dhe duke i mbështetur, në mënyrë që forcat e tyre të brendshme të mos përhapen, duke çuar rrëmuja dhe terror nëpër territore të tjera.

Ka ardhur momenti që Bashkimi Europian të bëhet një pushtet publik po aq i fortë në fushën ushtarake saç është në fushën ekonomike dhe politike. Në axhendën e komunitetit ndërkombëtar duhet shkruar në mënyrë të përhershme kompetenca për të kryer aksione policie ndërkombëtare, një funksion pjesërisht luftarak, pjesërisht i orientuar drejt ruajtjes së sigurisë dhe të rendit. Së fundmi, edhe përtej kufijve kombëtarë ka nevojë për më shumë bashkim. Nëse problemet janë globale (dhe të tillë janë terrorizmi dhe mosmarrëveshjet për zonat e influencës), nuk ka sesi edhe zgjidhjet të mos jenë globale. (Mapo)

Publikuar: 20.02.2015 | 18:44
Lexuar: 820 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime