E enjte, 13.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Në thelb, islami synon një botë të bazuar mbi urdhrat, ndalimet dhe këshillat, që burojnë nga Kurani Famëlartë dhe hadithet e suneti i Profetit Muhamed.
Vallë cili islam, cili qytetërim?!
Pyetja “Vallë cili islam, cili qytetërim?!”, ashtu si dhe ajo “Vallë cili Perëndim, cila Evropë?!”, synon të nxjerrë në pah një analizë konceptuale.

Sikurse nocionet “Perëndim” dhe “Evropë” janë përballur me përkufizime dhe zbatime të ndryshme, e njëjta gjë vlen edhe për konceptet “islam” dhe “qytetërimi islam”. Për sa i përket pyetjes “çfarë është islami dhe si është bota, që ai ideon?”, mund të jepen më shumë se një përgjigje. Një shembull shumë të thjeshtë dhe aktual për këtë formojnë aktet e terrorit dhe dhuna në emër të islamit nga disa persona dhe organizata si ISIS, Boko Haram e Al-Kaida, që prej myslimani kanë vetëm kartën e identitetit. Ekzistenca e këtyre lloj organizatave dhe personave është e vështirë të mohohet edhe nga aspekti historik. Sepse nuk mund të mos kemi në konsideratë ekstremistë e shekullit të 11-të si Hassan-i Sabbah dhe hashashinët (Assassins), apo harixhitët (Kharijites), që kanë vrarë Hz. Aliun, nipin dhe dhëndrin e Profetit Muhamed (s.a.v.), njëherësh Kalifin e 4-t të islamit. Natyrisht që asnjëra prej këtyre nuk mund të përgjithësohen me tërësinë e fesë islame, historisë së saj dhe myslimanëve. Sepse këto organizata dhe aktet e tyre jo vetëm që nuk përvetësohen nga shumica dërrmuese e myslimanëve, por ato mohohen hapurazi edhe nga dijetarët islamë, të cilët në çdo rast theksojnë se ato nuk i përkasin aspak islamit.

Në thelb, islami synon një botë të bazuar mbi urdhrat, ndalimet dhe këshillat, që burojnë nga Kurani Famëlartë dhe hadithet e suneti i Profetit Muhamed. Synimi i fesë islame është që myslimanët ta organizojnë jetën e tyre në këtë kuadër. Myslimanët dhe të gjithë njerëzit janë të lirë t’i zbatojnë ose jo këto urdhra, ndalime dhe këshilla. “Në fe nuk ka detyrim”, thuhet në një prej ajeteve të Kuranit Fisnik. Nga ana tjetër, çështja e interpretimit dhe mënyrës së aplikimit të tyre ka qenë gjithnjë nën kompetencën e dijetarëve dhe specialistëve të islamit. Mirëpo, duke qenë se pas vdekjes së Profetit Muhamed nuk kishte më një autoritet të vetëm për interpretimin e fjalës hyjnore, janë formuar ekole të ndryshme në lidhje me islamin.

Po t’i hedhim një vështrim të përgjithshëm historisë së filozofisë dhe qytetërimit 15-shekullor islam, do të vëmë re se fillimisht kanë dalë në skenë dy shkolla të mëdha, sunizmi dhe shi’izmi. Por ndarja në fraksione nuk është mjaftuar me kaq, pasi me kalimin e kohës edhe vet sunizmi me shi’izmin janë ndarë në nënekole të reja. Brenda sunizmit janë formuar rryma si harixhitët, racionalistët (mutezile), fikhistët, misticistët dhe selefistët; ndërsa brenda shi’izmit spikasin ekole si 12 imamët, ismailitët, zejditët dhe xhaferitët. Krahas këtyre shkollave në lidhje me filozofinë, implementimin dhe politikën e islamit, gjatë modernizimit të 200 viteve të fundit janë zhvilluar edhe perceptime të reja.

Arsyeja kryesore e formimit të perceptimeve të reja brenda modernizimit ka të bëjë me humbjet dhe dobësitë e vendeve myslimane përballë fuqizimit dhe përhapjes së botës perëndimore. Vendet islame kanë mbetur prapa në shumë këndvështrime përballë Perëndimit, që është fuqizuar falë kërkimeve shkencore dhe politikave ndërkombëtare. Territoret e vendeve myslimane janë pushtuar nga shtetet perëndimore, kultura islame është degjeneruar përballë Perëndimit, strukturat ekonomiko-sociale të tyre janë shkrirë dhe më e rëndësishmja, vendet myslimane janë përçarë mes tyre dhe brendapërbrenda vetvetes. Për të mbrojtur ekzistencën e vendeve islame përballë këtyre humbjeve dhe për të mundësuar rifuqizimin e tyre, janë formuluar ide të ndryshme. Këto ide, që janë shpalosur nga intelektualë myslimanë të udhëhequr nga Xhemaledin Afgani (Sayyid Jamal ad-Din al-Afghani ose Sayyid Jamal ad-Din Asadabadi) dhe nga grupe të ndryshme fetare, mund të ndahen në tri kategori.

E para formohet nga intelektualët dhe grupet moderniste. Këta mbrojnë idenë se vendet myslimane duhet të përshtaten me modernizimin fillimisht për të mbijetuar dhe pastaj për t’u fuqizuar përballë botës perëndimore. Mendimtarë dhe udhëheqës si neo-otomanët, Valiu Mehmet Ali Pashai i Egjiptit dhe së fundmi Mustafa Kemal Ataturku, që në fakt janë të gjithë nga periudha e Perandorisë Osmane, ishin përkrahës të këtij mendimi. Modernistët pretendojnë se myslimanët duhet t’i rinovojnë burimet origjinale të islamit në kuadrin e zhvillimeve moderne. Një pjesë e rëndësishme e modernistëve janë përpjekur të modernizohen nëpërmjet partive dhe lëvizjeve politike, ndërsa pjesa tjetër ka mbrojtur modernizimin civil, social dhe kulturor.

E dyta përbëhet nga filozofët dhe lëvizjet tradicionale, që janë të mendimit se fuqizimi i myslimanëve është i mundur vetëm duke iu rikthyer origjinës, pra duke zbatuar më mirë urdhrat, ndalimet dhe këshillat e Kuranit Fisnik dhe sunetin e Profetit Muhamed. Përkrahës të këtij mendimi janë ekole si Vëllazëria Myslimane, e themeluar nga Hasan al-Banna në Egjipt.

E treta formohet nga reaksionistët, të cilët supozojnë se shpëtimi i myslimanëve nga Perëndimi mund të realizohet vetëm duke luftuar kundër perëndimorëve. Mirëpo rreth sesisë së kësaj lufte kundër perëndimit ekzistojnë shumë ide të ndryshme. Përveç filozofëve dhe politikanëve si Sayyid Qutbi, Maududi dhe Homeini, të cilët mbrojnë idenë se lufta duhet të jetë politike dhe ideologjike; ka edhe nga ata, që këmbëngulin se lufta duhet të kryhet me metoda ushtarake dhe dhunë.

Por, përballë akteve të frikshme të organizatave terroriste si Al-Kaida, ISIS dhe Boko Haram, që janë formuar viteve të fundit, duket si tepër i zakonshëm madje dhe qasja reaksioniste. Sepse këto organizata janë struktura të porsakrijuara dhe të pashembullta në fenë, traditën, historinë dhe qytetërimin islam. Veprat, ideologjitë dhe aktet e këtyre organizatave nuk përputhen aspak me besimin islam dhe traditën e tij 15-shekullore. Për shembull; ekzekutimet, që ISIS-i u bën pengjeve, me prerje koke, ose me djegie për së gjalli, nuk bëjnë pjesë në asnjë mënyrë në jurisprudencën islame. Është fare e qartë se këto nuk kanë ndonjë të përbashkët me traditën dhe mesazhin e islamit për mëshirë. Myslimanët, që e njohin filozofinë, mesazhin dhe traditën e islamit, e kundërshtojnë dhe përjashtojnë katërçipërisht një reaksion të tillë. Sipas sondazheve ndërkombëtare, organizatat terroriste si ISIS-i nuk mund të gjejnë një terren ligjor brenda botës islame prej rreth 1,7 miliardë individësh. Këto organizata shfaqen jo nga drita origjinale e Kuranit Famëlartë dhe sunetit të Profetit Muhamed, por nga shfrytëzimi i burimeve fetare për interesa dhe marrëdhënie politike të errëta. Ato qëndrojnë plotësisht jashtë islamit.

Autor: Prof. dr. Ramazan Gozen
Pedagog i degës së Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë Universitetit “Marmara” në Stamboll

TRT

Publikuar: 22.02.2015 | 12:50
Lexuar: 1195 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime