E premte, 10.02.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Tashmë 38 vjeçar, Berisha i lindur në Brestofc të Suharekës ka filluar misionin e tij në shkurt të vitit të kaluar, në njëvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Misionari i njohjes pėrmes qiellit








I mbushen sytë lot, teksa kujton arsyen e fillimit të një misioni të shenjtë për Kosovën. Me një këmishë në kollaren e së cilës gjendet shenja që simbolizon aterrimin e aeroplanit në pistë, piloti shqiptaro-amerikan Xhejms Berisha kujton udhëtimet e vitit të fundit me aeroplanin e tij personal në botën latine, me të vetmin qëllim, që të shtohet numri i shteteve që e njohin Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.

Tashmë 38 vjeçar, Berisha i lindur në Brestofc të Suharekës ka filluar misionin e tij në shkurt të vitit të kaluar, në njëvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Me aeroplanin e blerë rreth 40 mijë dollarë amerikanë, Xhejmsi, ka bërë udhëtimin e parë për misionin e shenjtë, më 25 maj të vitit të kaluar. Kishte ateruar së pari në Meksikë, për t’i përshkuar brenda një viti edhe 33 shtete të tjera, në tri kontinente.

Duke udhëtuar me aeroplanin në të cilën shkruan në gjuhen angleze dhe spanjolle: “Ju lutem ta njihni pavarësinë e Kosovës”, Berisha thotë se ka vuajtur shumë, ka mbetur edhe pa të holla së paku për t’u ushqyer, por edhe se ka mësuar shumë.

“Misioni ka qenë kompleks dhe shumë më i vështirë se që kam menduar. Kam mësuar shumë gjëra, kam vuajtur shumë për shkak se nuk ka qenë lehtë, tërë këtë e kam bërë për popullin tim, sepse e meriton”, thotë ai.

Xhejmsi ka lindur në Kosovë dhe në moshën 15 vjeçare kishte shkuar tek daja i tij në Zvicër. Në këtë vend ishte shkolluar dhe kishte marrë licencën për pilot. Kishte shkuar në Amerikë dhe në shtete të ndryshme të këtij kontinenti ka punuar për vite të tëra si pilot.

Në Amerikë, Xhejmsi e kishte ndërruar edhe emrin. Nga prindërit kishte qenë i pagëzuar si Milazim, por sulmet e 11 shtatorit 2001 në kullat binjake në Nju-Jork për myslimanët kishin krijuar telashe e aq më tepër për një djalosh të ri që profesionin e ka pilot.

“E kam një koleg që e ka pasur një emër të ngjashëm, FBI-ja tri herë i ka shkuar në shtëpi. Unë që t’i largohem politikës amerikane, më mirë e ndërrova emrin dhe e ktheva në amerikan”, thotë ai, i cili tashmë posedon të gjithë licencat e pilotit, qoftë për instruktor, qoftë për të gjithë llojet e aeroplanëve.

“Qe 17 vjet jam nëpër qiell. Karrige më të mirë se në aeroplan nuk ekziston. Një ulëse që e ndryshon pamjen çdo sekondë, ku ka ulëse më të mirë”, shprehet piloti shqiptar.

Thotë se e ka vetëm shtëpinë e nënës në Brestofc dhe se nuk ka shtëpi të veten. Me gjithë vitet e kaluara jashtë Kosovës, Xhejms tregon se asnjëherë nuk ka dashur të lidhet për një vend dhe arsye e vetme mbetet dashuria e tij e madhe për popullin e Kosovës.

Afërsia e madhe me vendin ku është lindur dhe vuajtjet që ka kaluar populli i Kosovës nga regjimi serb, kanë bërë që ky 38-vjeçar të fillojë fluturimin mbi vendet latine për t’ua bërë me dije shteteve të ndryshme, “hej edhe ne ekzistojmë”.

“Vuajtjet dhe lotët e popullit tim, largimi i 850 mijë njerëzve nga Kosova, vrasja e babait tim në kodër të fshatit dhe e 67 personave në fshatin tim, tragjedia e Reçakut dhe lloj- lloj vuajtjesh të tjera që i kam dëgjuar e përjetuar, më kanë “futur” në këtë rrugë. Kam qenë në gjendje të shkoj edhe në galaktikën më të lartë vetëm për t’i treguar botës që ne ekzistojmë, ne jemi njerëz të shkolluar, ne kemi tradita...”, tregon Xhejms Berisha, i cili për tërë këto që ka përjetuar është duke e shkruar një libër.

Ai thotë se në fillim kishte për qëllim që përmes medieve të arrinte deri te misioni që ia kishte filluar, por më vonë ai kishte ndërruar “strategjinë”.

“Në gjysmën e parë të shteteve, vetëm përmes medieve jam munduar që të loboj, por në gjysmën tjetër jam ndalur e kam shkuar nëpër Ministri të Punëve të Jashtme dhe jam
takuar me ministra e zyrtarë të vendeve të ndryshme, me të vetmin qëllim- lobimin për njohjen e shtetit të Kosovës”, tregon ai për përjetimet e tij në një vjet mision.

Ndonëse pavarësia e Kosovës është shpallur në shkurt të 2008-ës, shqiptaro-amerikani tregon se në disa vende nuk e kishte pasur aspak të lehtë të kërkonte njohjen e shtetit më të ri në botë.

“Deri para pesë-gjashtë muajve qeveria jonë nuk ka bërë asgjë, shkova në shtetin e Surianam-it dhe një zyrtare e Ministrisë së Punëve të Jashtme për divizionin e Evropës më tha se nuk kam asgjë për shtetin tënd, asnjë letër, asgjë”, tregon Xhejmsi.

Në disa vende, misionari i njohjes së pavarësisë së Kosovës përmes qiellit kishte dëgjuar “rrëfime” të ndryshme të zyrtarëve madje edhe interne dhe problemeve mes shteteve që i kanë, në qoftë se e njohin pavarësinë e Kosovës.

Në shtetin e vogël të Paraguait i kishin thënë se përkrahin Kosovën, dhe si shtet i vogël i kishin thënë se përkrahin çdo herë vendet e vogla.

“Në Ministrinë e Jashtme në Paraguaj më thanë që ne jemi shtet i vogël dhe i përkrahim çdo herë shtetet e vogla, por se 65 e ekonomisë sonë kryesore të mishit, eksportohet në Rusi dhe më tha që po ta pranojmë Kosovën, krijohet problem i madh”, tregon ai.

Në 34 shtetet kishte përjetuar mjaft gjëra. E lobimi në Kuba i kishte dalë problem. Aeroplanin e Xhejmsit me targa amerikane nuk e kishin lejuar të shkoj në atë vend. “E kam blerë një biletë komerciale dhe kam shkuar”, tregon ai.

Në tërë këto udhëtime, Xhejms kishte qenë i vetëm si pilot. Me vete në disa vende kishte pasur edhe një përkthyese dhe një kameraman shqiptar që e kishte shoqëruar çdo kund.

Misionin e kishte nisur nga kursimet e veta për të pasuar ndihma e komunitetit në Amerikë. Bazuar në udhëtimet, ai ka shpenzuar shumë, por nuk tregon se sa janë shpenzimet e tij përgjatë kësaj periudhe. Vetëm tregon se nuk e ka marrë asnjë cent nga institucionet e Kosovës.

“Familjarët më kanë ndihmuar shumë. Kur mbeta në rrugë me 12 cent në xhep e kam telefonuar dajën tim. Ai më ka ndihmuar shumë. Mi dërgonin 500 apo 1000 euro dhe pas dy tri ditësh iu lypsha prapë”, thotë Berisha.

Me gjithë vuajtjet që ka përjetuar dhe mësimin që e ka marrë ai nuk mendon ta përfundoj me kaq misionin e tij. Me miqtë që ka në Kosovë, janë në hartim të projektit për të kërkuar fonde.

“Po të jetë mundësia që të shkoj në hanë, mars, jupiter apo edhe në galaktikën më të largët do të shkoj por sa i përket aspektit financiar më nuk mundem”, thotë ai. “Një shtet më shumë të na pranoj, unë e shoh si zhvillim ekonomik”.

Pa alternator

Dy orë para se të arrinte në Islandë, aeroplani i Xhejmsit kishte mbetur pa alternator. Tregon se e ka shfrytëzuar baterinë rezervë vetëm për të bartur karburantin rezervë në rezervuar, ndërsa kishte ndalur instrumentet për të kursyer rrymën.

“I kam fikë të gjitha instrumentet, të gjitha dritat, jam bërë si UFO vetëm të shkoj me kompas. 089 ishte drejtimi për Islandë të cilin as sot nuk e harroj”, thotë ai.

Mjetet e komunikimit tregon se i ka ndezur vetëm një minutë, e më pas i ka ndalur, kohë sa është marrë vesh me kontrollorin. Pas shumë peripecive, Xhejms kishte ndërruar aeroportin për të ateruar në një aeroport që ishte 15 minuta më afër. E përshkruan mjaft emocionues momentin kur ka parë tokën.

“Nuk shifsha asgjë, shi, terr. Fola me kontrollorin në aeroport dhe më tha shko 10 mila ajrore drejt, 160 metra teposhtë dhe e sheh tokën. Kur e pashë tokën e zotit, shpëtova sepse e dita që edhe po të rrëzohet aeroplani, ai do të prishet, por vet shpëtoj”, tregon ai.

I përlotur në Kosovë

Pas dy vjetësh, Xhejms është kthyer të dielën në Kosovë. Ai nuk e di as vetë se sa do të rri në vendlindjen e tij. Para se të ateronte në Kosovë, kontrollori i ka folur shqip, çka e kishte emocionuar shumë. Nga largësia kishte parë kodrën prej nga serbët ia kanë vrarë babën.

/zëri/

Publikuar: 07.06.2010 | 15:01
Lexuar: 376 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime