Sot në një mbledhje të veçantë, me votim të fshehtë, në raundin e parë zgjedhor, Bordi i Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL), ia dha besimin Prof.dr. Zamir Dikës, që në katër vitet e ardhshme ta drejtojë Universitetin.
Në një mbledhje të veçantë, me votim të fshehtë, në raundin e parë zgjedhor, Bordi i Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL), ia dha besimin Prof.dr. Zamir Dikës, që në katër vitet e ardhshme ta drejtojë Universitetin.
Në një njoftim të lëshuar nga ky universitet, thuhet se rektori i ri, vjen në këtë detyrë pas përfundimit të mandatit të rektorit të parë të UEJL, akademik Alajdin Abazi, i cili dy mandate radhazi e udhëhoqi me sukses këtë institucion unik të arsimit të lartë në Maqedoni.
Rektori i ri u zgjodh me një shumicë të numrit të përgjithshëm të votave të anëtarëve të Bordit, ndërsa procedura zgjedhore u realizua në përputhje me Statutin e UEJL.
Konkursi për rektor të ri të UEJL ka qenë i hapur deri më 26 shkurt të këtij viti, duke përfshirë edhe disa kërkesa thelbësore për këtë pozitë: thirrje akademike - profesor ordinar të pranuar nga shteti, përvojë menaxheriale (sipas mundësisë të jetë fituar në universitet), entuziazëm për zhvillimin e misionit të dallueshëm të UEJL dhe duke u dhënë përparësi kandidatëve që i njohin gjuhët që përdoren në nivel të Universitetit si: gjuhën shqipe, maqedonase dhe angleze.