E premte, 14.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Brenda kësaj të fundit ka disa enklava të vogla, kryesisht me izraelitë ateistë të shtresës së mesme që mbështesin partitë e së majtës. Të gjithë së bashku ata përbënë vetëm 15% të votave.
Netanjahu preku frikën kryesore të izraelitëve








Nga Anshel Pfeffer

Ka tri qytete të Jerusalemit. Është qyteti palestinez, që nuk mori pjesë në votimet e fundit. Është qyteti i hebrenjve ultra-ortodoksë, të cilët votuan (ose hoqën dorë nga një gjë e tillë) me urdhër të rabinëve. Dhe më pas është qyteti i partisë, Likud dhe të grupeve të tjera të djathta.

Brenda kësaj të fundit ka disa enklava të vogla, kryesisht me izraelitë ateistë të shtresës së mesme që mbështesin partitë e së majtës. Të gjithë së bashku ata përbënë vetëm 15% të votave.

Një ditë pas votimeve, në një kafe të njërës prej këtyre enklavave, ata u ulën përreth kapuçinove të tyre duke pyetur veten se si ndodhi. “Thjesht nuk mund ta kuptoj se përse dikush që është në rregull nga trutë voton sërish për Bibi-n”, u ankua një instruktor joge. “Shoh shifrat dhe nuk ka asnjë kuptim”, u përgjigj një mikja e tij, një montazhiere filmash. “Gjithë ata njerëz u gënjyen nga mashtrimet e tij të vjetra”.

Përjashta, një automjet i vogël i mbuluar nga posterat e Netanjahut ecte ngadalë nëpër rrugë. Drejtuesi, në delir nga gëzimi i rezultateve të fundit, thërriste me një altoparlant: “Faleminderit që votuat të gjithë djathtas”, pa e vrarë mendjen nga vështrimet kërcënuese të atyre që e shihnin nga brenda lokalit.

Ata e lejuan veten të besonin sërish se Izraeli po “hynte në shina”, por këto shpresa u venitën nga sondazhet e ditëve të fundit që treguan se Beniamin Netanjahu bëri një kthesë dhe e mbylli boshllëkun që e ndante nga lideri i Bashkimit Sionist, Izak Herzog. Dhe disa orë më pas mbërriti befasia e dytë, kur nga rezultatet paraprake doli se Netanjahu ishte në epërsi me një marzh të konsiderueshëm. Nga dolën gjithë këta përkrahës?

Dhe vetëm pak ditë më parë, pikërisht në këtë enklavë, gjithçka dukej e mundur.

Një grup burrash rreth të 30-tave ishin duke pirë në një pub aty pranë, duke diskutuar për politikë. Ata ishin të gjithë nga familje që kanë votuar në mënyrë të pandryshueshme për Likud që kur kanë emigruar në Izrael në vitet ’50. Kësaj here do të jetë ndryshe. “Nuk mund të qëndrojë dikush në pushtet kaq gjatë”, tha dikush prej tyre për Netanjahun. “Gjithçka kalbëzohet dhe korruptohet”. “Bibi e ka humbur fillin e problemeve të njerëzve të zakonshëm dhe megjithatë dëshiron vetëm të na trembë me përralla lidhur me Iranin dhe palestinezët”, tha dikush tjetër.

Ata kishin planifikuar të votonin për Kulanu, një parti e re e qendrës, e drejtuar nga një ish-ministër i Likudit, i cili ishte shkëputur nga Netanjahu, që i mëshoi një platforme të reformës ekonomike dhe sociale dhe që pritej në prag të zgjedhjeve t’i bashkohej koalicionit të udhëhequr nga Herzogu. Ata thanë se shumë prej miqve dhe të afërmve të tyre kishin planifikuar të bënin të njëjtën gjë – një kampion qytetarësh që anketuesit kishin pikasur se do ta braktiste Likudin dhe do ta vinte në rrezik rizgjedhjen e Netanjahut. Disfata e tij u duk e mundur, për të mos thënë e mundshme.

Të nesërmen në mëngjes, 48 orë përpara hapjes së votimeve, në një tren për në Jerusalem, duke kryer udhëtimin e gjatë që nga Tel Avivi, pasagjerët, kryesisht ushtarë dhe policë që po ktheheshin nëpër bazat e tyre pas një jave pushimi, ishin duke folur për zgjedhjet. “Nuk dua të votoj Bibin, ai ka shumë kohë që është vërdallë, por tani ekziston rreziku që të vijë e majta në pushtet, kështu që jemi të detyruar të votojmë Bibin”, qe një arsyetim që e dëgjova të përsëritej në disa raste brenda trenit.

Izraelitët ndiheshin me të vërtetë të lodhur nga Netanjahu. Sondazh pas sondazhi shumica prej tyre u përgjigjën se ata do të parapëlqenin të ndryshonin dhe më shumë vota ishin taksur për partitë që ishin kritike me politikat e tij dhe liderët e të cilave nëse do të gjenin një rrugë për t’u ulur së bashku në të njëjtën qeveri, do ta kishin zëvendësuar me kënaqësi atë.

Kështu që, si ia doli Netanjahu që gjashtë ditët e fundit të fushatës të bindte mbi 250 000 votues që të ndërronin mendje dhe të votonin për Likudin? Përse dështuan kaq mizërisht rivalët e tij në mobilizimin dhe shndërrimin e ndjenjës anti-Netanjahu në një forcë politike koherente dhe të bashkuar?

Netanjahu i fitoi zgjedhjet sepse ia doli me sukses të krijonte një frikë të thellë dhe irracionale nga e majta. Një e majtë e cila është mjaft e vetëkënaqur, shumë kozmopolite, shumë ateiste dhe me një mungesë të theksuar të një shtylle kurrizore ideologjike që të ngrejë interesat e Izraelit.

Strategjia cinike e Netanjahut ditën e zgjedhjeve, kur ai paralajmëroi me një mesazh personal në faqen e tij në Facebook për “dyndjen arabe” nëpër qendrat e votimit, i drejtohej më tepër frikës se e majta qe e paaftë të vinte vetë në pushtet dhe do të manipulohej lehtë nga forcat e jashtme, sesa prej racizmit të votuesve të tij të mundshëm. Ai i paralajmëroi ata se nëse votonin për dikë tjetër, hebrenjtë nuk do ta kishin më në dorë kontrollin e trojeve të tyre.

Një intervistë të dielën me një gazetë të vogël të përjavshme, që lexohet më shumë nga besimtarët, në të cilën dukej sikur Netanjahu e përjashtoi mundësinë për të cilën kishte rënë gjithnjë dakord të krijimit të një shteti palestinez, bëri xhiron e botës. Ajo qe arsyeja e një tjetër krize ndërkombëtare në marrëdhëniet e tij me komunitetin botëror.

Shumica e izraelitëve, sipas sondazheve, vazhdojnë ta mbështesin në parim zgjidhjen e dy shteteve, por një gjë e tillë duket shumë e largët. Shqetësimet e tyre janë të tjera. A do të jenë në gjendje të blejnë një apartament? A do të jenë të mjaftueshme të ardhurat e tyre mujore apo do t’iu duhet ta zgjerojnë overdraftin? Çfarë perspektive zhvillimi do të kenë përpara fëmijët e tyre?

Netanjahu u duk se i përqendroi zgjedhjet te vendosmëria e tij për t’ia ndaluar Iranit krijimin e armëve bërthamore. Kjo strategji e metë desh i kushtoi atij mandatin e katërt. Kundërshtarët e tij, shumica prej të cilëve e mbështesin zgjidhjen e dy shteteve, as që e përmendën fare, duke u përqendruar te rritja e kostos së jetesës, dhe gjashtë ditë përpara se izraelitët të shkonin të votonin, ky qëndrim u duk se do të fitonte.

Netanjahu, në flluskën e tij të vogël të privilegjit dhe servilizmit, qe në prag të humbjes së zgjedhjeve. Por ai ia doli të zgjonte frikën kryesore të elektoratit të tij lidhur me fatin e tyre. Qe një taktikë destruktive që përfitoi nga racizmi dhe injoranca dhe e izoloi pozicionin diplomatik të Izraelit në komunitetin ndërkombëtar. Ai i fitoi zgjedhjet, por e ka ndarë Izraelin si kurrë më parë.

The Guardian

Publikuar: 24.03.2015 | 11:50
Lexuar: 845 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime