Përveç Pjetër Bogdanit, Nexhat Agollit, Josif Bagerit, marrëveshja politike midis VMRO e BDI, parashikon edhe vendosjen e pesë figurave shqiptare të jetës kulturore afër Urës Syri. Sivjet procedurat parashikojnë vendosjen e një përmendore shqiptare
Fitim KRYEZIU
Brenda këtij viti sipas gjitha gjasave do të vendoset njëra nga tre figurat shqiptare si rrjedhojë e projektit qeveritar Shkupi 2014, derisa dy të tjerë do të vendosen në vazhdimësi dhe ngelen për vitin tjetër. Pra, bëhet fjalë për personalitetet shqiptar, si Pjetër Bogdani, Nexhat Agolli dhe Josif Bageri.
Autoritetet nuk precizojnë se cila nga figurat do vendoset i pari, derisa kjo ide që sheshi të reflektojë karakterin multietnik doli nga marrëveshja që bërën partnerët e koalicionit, pas reagimeve të shumta të faktorit politik shqiptar. Madje, Marrëveshja politike midis VMRO e BDI, parashikon edhe vendosjen e pesë figurave shqiptare të jetës kulturore afër Urës Syri.
Partnerët e koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI, prej në fillim kanë biseduar për mundësinë që në sheshin e Shkupit të ketë edhe figura shqiptare. Ndërsa, njëra prej tre figurave shqiptare të cilat janë të planifikuar të vendosen në sheshin e qytetit, me siguri se do të jetë gati gjatë këtij viti, ka thënë zëdhënësi i qeverisë Shefik Duraku.
Sipas tij, figura tjera shqiptare do të ketë edhe në pjesët jashtë sheshit, por edhe te muzeu i Luftës Nacional Çlirimtare.
Ndërsa, drejt shqyrtimit të një ideje të tillë pozitivisht janë shprehur edhe nga Komuna Qendër të cilët pohuan se do ti shqyrtojnë të gjitha idetë të cilat do të arrin në drejtim të këtij institucioni.
Ne jemi të gatshëm që në seancat e komunës tonë ti shqyrtojmë të gjitha mundësitë, apo idetë të cilat do të vijnë me emrat e ndryshëm të figurave shqiptare. Disa ide kanë arritë edhe nga disa Organizata joqeveritare shqiptare të cilët presin përgjigje, pra kjo ide, apo iniciativë së shpejti pritet të shqyrtohet në seancat e radhës të Komunës, ka thënë Jovica Ackovski, zëdhënës i Komunës Qendër.
Pëlqimi i cili është arrit në mes BDI dhe VMRO-së, parasheh që mënyrat ligjore të cilat duhet të ndiqen për vendosjen e skulpturave shqiptare të mos ketë pengesa, as nga pushteti qëndror e as nga pushteti lokal, ka thënë deputeti dhe kordinatori i grupit parlamentar të BDI-së Tahir Hani.
Ditë më parë në sheshin e Shkupit u vendosen përmendoret e revolucionarëve Goce Dellçev dhe Dame Gruev. Projektit i këtillë qeveritar kap vlerën prej 200 milionë euro. Një anketë e fundit madje dëshmoi se rreth 75 për qind e qytetarëve të vendit konsiderojnë se projekti Shkupi 2014 ka ndikuar negativisht në përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike në vend.