E mërkurë, 12.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Çdo e mirë e këtij vendi ka ardhur si rezultat i bashkëpunimit të autoriteteve vendore me Vashingtonin dhe Brukselin.
Fjalimi i liderit Ali Ahmeti në Kongresin tematik të BDI-së


Të nderuar mysafir të lartë nga vendet e ndryshme të Bashkimit Evropian dhe Vashingtoni, të nderuar mysafir nga vendi dhe rajoni, të nderuar përfaqësues të mediave, të nderuar delegat, deputet, ministra, kryetar komunash dhe funksionar të lartë të shtetit,

Në ditëlindjen e dymbëdhjetë të Bashkimit Demokratik për Integrim, më 5 qershor të vitit të kaluar, mbajtëm Kongresin e tretë zgjedhor të partisë, ku miratuam ndryshime statutare, zgjodhëm Këshillin e Përgjithshëm dhe ku ju vendosët që unë të vazhdoj t’i prij familjes tonë të madhe.

Po në këtë kongres, bashkarisht vendosëm që të promovojmë një vlerë të re në ndërtimin e përcaktimeve tona programore nëpërmjet përpilimit të politikave të qëndrueshme që do të lindin si rezultat i analizava të thella dhe debateve thelbësore në të gjitha nivelet.

Dhe këtë, vendosëm që ta bëjmë nëpërmjet të mbajtjes së Kongresit Tematik, me kontributin e miqve tanë që na nderojnë me pjesëmarrjen e tyre të çmuar. Asnjëri nga panelistët tanë të nderuar nuk janë të rastësishëm, por përkundrazi secili bartë me vete një mesazh i cili do t’i ndihmon delegatët në drejtim të përpilimit të Rezolutës përfundimtare të punimeve të këtij Kongresi, i pari i këtij lloji në vend dhe rajon.

Por, si gjithmonë, në opinionin publik paraqiten dilema të cilat unë do të përpiqem që t’i adresoj në fjalën time para jush.
Njëra nga dilemat e para që më bëri përshtypje ishte pyetje se pse vallë duhet që politikat tona t’i ndërtojmë në bashkëpunim me autoritete nga Brukseli dhe Vashingtoni?!

Çdo e mirë e këtij vendi ka ardhur si rezultat i bashkëpunimit të autoriteteve vendore me Vashingtonin dhe Brukselin. Çdo hap i rëndësishëm për këtë vend dhe për rajonin tonë është ndërmarrë në bashkëveprim dhe koordinim me miqtë tanë ndërkombëtar. Çdo sukses i joni është i përbashkët dhe mban firmën tonë po aq edhe sa të miqve tanë.


Më duhet të them shumë sinqerisht para jush që ky bashkëpunim i yni me komunitetin ndërkombëtar, që nga themelimi i BDI - së dhe gjer më ditët e sotme, nuk është i vendosur për arsye se ne jemi më të mirët, se ne jemi më të zgjuarit, apo se ne jemi më të pëlqyerit.

Të nderuar miq, ne dhe komuniteti EuroAtlantik ndajmë të njëjtat vlera, kemi të njëjtin qëllim dhe ne na bashkon interesi i përbashkët, e ky është integrimi i vendit tonë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Kur interesat tona përputhen është më se normale që edhe bashkëpunimi të jetë po ky që ne e kemi patur, e kemi sot dhe do ta kemi edhe nesër.

Për ta realizuar këtë interes të përbashkët që e kemi amanet të mendjeve më të ndritura të Rilindjes sonë kombëtare, trokita në dyert e Shtëpisë së Bardhë, të Kongresit, të Pentagonit, të Departmentit të Shtetit, por edhe të Kombeve të Bashkuara.

Dhe jo vetëm.

Vizitova edhe Berlinin, Vienën, Brukselin, Hagën, Parisin dhe Osllon, pa harruar fqinjët tanë në Athinë, Sofje, por dhe gjithsesi duke vijuar pa asnjë ndërprerje kontaktin tonë të vazhdueshëm me Prishtinën e Tiranën.

Bëmë përpjekje maksimale, përfshirë edhe inicimin e zgjedhjeve të parakohëshme në prill të vitit të kaluar që të përkojnë me zgjedhjet në Bashkimin Evropian si dhe me rrethanat tek fqinjtë tanë, në mënyrë që të krijohen kushte optimale për t’i adresuar çështjet e hapura, pa u shpërqendruar nga procese zgjedhore apo mungesë stabiliteti politik.

Fjalimi i liderit Ali Ahmeti në Kongresin tematik të BDI-së

Ky skenar u plotësua edhe me zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Greqi dhe krijimin e një qeverie stabile në Athinë duke mundësuar në këtë mënyrë të gjitha parakushtet e nevojshme për angazhim.

Edhe përkundër zhvillimeve dramatike në Ukrainë dhe Lindje të Mesme, Maqedonia dhe Ballkani perëndimor u rikthyen fuqishëm në agjendën e Vashingtonit dhe të Brukselit si punë të papërfunduara.

Këtu nuk mund të lë pa përmendur edhe deklaratën e Sekretarit të shtetit amerikan, Xhon Kerri, i cili pa ekuivoke theksoi se Maqedonia është në vijën e kuqe të zjarrit në përplasjet midis interesave Amerikane dhe Evropiane përballë interesave ruse. Por njëkohësisht edhe Ministri i jashtëm rus deklaroi që zgjërimi i NATO- s me vendet e Ballkanit Perëndimir, përfshirë Maqedoninë, paraqet kërrcënim për zonën e interesit rus.

Pas gjitha këtyre zhvillimeve dhe renditjeve të punëve në orar të volitshëm për të vepruar mbi zgjidhjen e çështjes së emrit, në Maqedoni ndodhi kriza politike me të ashtuquajturat bomba.
Por edhe para bombës, e pas bombës, ne, të gjitha punët i kemi bërë në bashkëpunim me Vashingtonin dhe Brukselin, sepse synojmë të integrohemi në NATO dhe BE, andaj dhe partner i kemi ata.

Prandaj, në paraqitjen time të parë publike, rreth situatës së re, kërkova monitorim ndërkombëtar me ekip politik të përforcuar nga ekspertë ligjor dhe të hetuesisë.

Gjithashtu kërkova që asgjë të mos mbetet enigmatike dhe të shuhet kurreshtja e opinionit, andej po e përsëris edhe këtu sot para jush, çdo gjë që ekziston për Bashkimin Demokratik për Integrim, le të del në shesh. Bile, çdo bisedë e imja, qoftë për punë politike, qoftë për punë private, le të publikohet.

Unë, miqtë e mi, nuk bëj politikë me standarde të dyfishta.
Unë, nuk mendoj natën se ç’far sherri të bëj ditën.
Unë, si mendoj, ashtu edhe flas. Si flas, ashtu edhe veproj.
Si kam folur në Shipkovicë, kam folur edhe në Reçicë, si kam folur në Reçicë, kam folur edhe në Shkup, por edhe në Vashington dhe Bruksel.

Qëndrimet dhe politikat tona janë qëndrueshme, shtetformuese dhe transparente. Ne agjendë tjetër nuk kemi.

Nuk zhvillojmë politika konsipirative, sepse dëgjoj skenare nga më të ndryshmet për gjoja bashkëpunime të fshehta me LSDM-në apo VMRO-në për këtë apo për atë çështje.

Jo, asnjëherë s’kemi punuar ndryshe nga ajo se si kemi folur dhe kështu do të mbetet edhe në të ardhmën, sepse ne, të vetmin partner strategjik e kemi popullin dhe i detyrohemi vetëm atij.
Prandaj, zgjidhjen e krizës aktuale politike e shohim në vendosjen e menjëhershme të dialogut politik midis palëve me ndërmjetësim politik të Bashkimit Evropian në bashkëpunim me Vashingtonin me agjendë të paracaktuar dhe të këmbëngulet gjer në zbatimin e saj të plotë.

Dialogut politik duhet medoemos t’i bashkangjitet edhe Bashkimi Demokratik për Integrim sepse asnjë zgjidhje për Maqedoninë nuk mund të jetë e qëndrueshme pa pjesëmarrjen e komunitetit të dytë më të madh në vend.

Pa paragjykuar rezultatin e dialogut politik i cili duhet që të rikthen stabilitetin politik në vend, të hap rrugën për zgjidhje institucionale të aferës së përgjimeve, të rivendos demokracinë parlamentare, ne të Bashkimit Demokratik për Integrim, fuqimisht besojmë që ky dialog duhet të prodhojë edhe konsensus kombëtar mbi nevojën e zgjidhjes së çështjes së emrit me kontribut konstruktiv jo vetëm nga të gjitha palët e përfshira, por edhe nga mediat, shoqëria civile, bota akademike.

Kjo do të na hap rrugën që të rikthehemi në agjendën tonë të integrimit EuroAtlantik që e shpalosëm gjatë formimit të koalicionit qeverisës dhe e premtuam para qytetarëve. Kjo është ajo që qytetarët e presin nga ne dhe ne duhet ta tejkalojmë veten duke kërkuar dhe gjetur dritare të reja të mundësive edhe në kohë krize.

Ne duhet që patjetër të rikthehemi në agjendën më të rëndësishme për vendin tonë dhe le të dalim nga kjo krizë më të fuqishëm, me institucione më demokratike, me sundim të barabartë të ligjit, me gjyqësor dhe prokurori plotësisht të pavarur dhe me integritet, me liri të shprehjes dhe të mediave.

Jo njëherë e kam thënë që në Maqedoni ka akoma gjykatës dhe prokuror me ngarkesa etnike dhe fetare. Jo njëherë kam kontestuar kredibilitetin e gjykatës. Dhe unë, siç e thashë, nuk bëj dot politika me standarde të dyfishta.

Atë që e kërkova për rastin Monstra, të njëjtën e kërkoj edhe për krizën aktuale politike. Dhe kjo krizë le të na bëjë më të fortë, lë ta na bën gjyqësorin me të besueshëm, por kjo mund të arrihet vetëm më ndihmën e Brukselit.

Çdo gjykim ose vlerësim nga autoritetet vendore do të jetë i kontestueshëm dhe i papranueshëm për njërën, ose tjetrën palë.

Ne gjithnjë kemi qenë pjesë e zgjidhjes së problemeve dhe sfidave të këtij vendi dhe jo pjesë e problemit.

Ashtu edhe do të mbetet edhe në të ardhmen edhe përkundër kritikave të çastit nga adresa të ndryshme të cilat nuk bartin përgjegjësi institucionale e as që e kanë një popull të tërë mbi supet e tyre.

Pikërisht, ky vizion dhe investim i jonë për stabilitet afatgjatë politik, përballë përfitimeve subjektive politike, na bën objekt të kritikave, por fundi do të tregojë që vlerësimet tona, si gjithnjë, kanë qenë të drejta sepse ne jemi zgjedhur që të udhëheqim dhe jo të udhëhiqemi.

Problemet me të cilat ballafaqohemi mund të zgjidhen vetëm institucionalisht, andaj dhe BDI është pjesë e zgjidhjes institucionale të çështjeve serioze me të cilat ballafaqohemi.

Kur fola për partneritetin me miqtë ndërkombëtar, më kujtohet porosia që shpesh e përcillnin Lordi Robertson dhe Havier Solana në vitin 2001, që të dy miq të mëdhënj të vendit tonë.
Pas arritjes së Marrëveshjes së paqes që ndali luftën e vitit 2001, ata thanë me të drejtë që “Rruga e Maqedonisë për në Bruksel kalon nëpërmjet zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit”.

Dhe vërtet. Falë zbatimit të kësaj Marrëveshjeje, Maqedonia fitoi statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe u gjend në pragun e derës hyrëse të NATO- s.
Fjalimi i liderit Ali Ahmeti në Kongresin tematik të BDI-së

Por, a e përjetojmë të gjithë së bashku njëlloj Marrëveshjen e Ohrit dhe obligimet që dalin nga fryma e kompromisit?
Unë them që JO!

A angazhohemi të gjithë në mënyrë të barabartë për zbatimin e normave të miratuara nga kjo Marrëveshje?
Unë them që JO!

Të marrim vetëm si shembull dallimet që kemi me partitë maqedonase mbi interpretimin e Kushtetutës kur bëhet fjalë për gjuhën shqipe.
Kushtetuta thotë që gjuhën që e përdorin më shumë se 20% e popullatës është gjithashtu gjuhë zyrtare në Maqedoni.

Dhe këtu, nuk ka vend për interpretime të ndryshme, por kjo flet mjaft për gatishmërinë e tyre që ta përqafojnë frymën e Marrëveshjes së Ohrit.

Ne duhet të ndryshojmë dhe t’i largojmë paragjykimet, ndërsa VMRO dhe LSDM duhet që të gjejnë forcën dhe guximshëm të tregojnë lidership për të punuar dhe për të pranuar që Maqedonia e Ohrit, Maqedonia e barabartë, Maqedonia e të gjithëve, është e vetmja Maqedoni edhe e imja, edhe e Nikollës, edhe e Zoranit.


Kjo është fryma që bartë me vete Marrëveshja e Ohrit, frymën e pajtimit, frymën e konsensualitetit dhe pikërisht ky parim i bën të qëndrueshme politikat tona. Në këtë vijë ka nevojë që të vijohet dhe përshpejtohet edhe procesi i risocializimit të ish - ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në frymën e Marrëveshjes së Ohrit.

Vlerën e zhvillimit të demokracisë konsensuale në përputhje me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë u përpoqëm që ta promovojmë në zgjedhjet Presidenciale, sepse konsideruam që demokracia e mirëfilltë konsensuale është mënyra e vetme për t’i adresuar çështjet madhore në shtet, siç janë zgjedhja e Presidentit, miratimi i buxhetit, programi qeveritar dhe çështje të tjera me rëndësi për vendin.

Për fat të keq, kjo ide përparimtare për konsensualitet nuk u arrit në zgjedhjet presidenciale dhe rrjedhimisht, si pasojë e mungesës së konsensusit midis dy komuniteteve shumicë për një pozitë kaq të rëndësishme, konstatuam që Presidenti i shtetit është jolegjitim.

Si pasojë e mungesës së legjitimitet shqiptar, gjykojmë që Presidenti është përjashtues, nuk përfaqëson shqiptarët dhe rrjedhimisht nuk mund të jetë figurë unifikuese për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë.

Pikërisht ky proces konfirmoi përcaktimin tonë që partnerët koalicionues duhet të përcaktohen nga vullneti politik i dy komuniteteve shumicë në vend, shqiptarëve dhe maqedonasve, të shprehur në zgjedhje të lira, fer dhe demokratike.

Fituesit nga dy blloqet politike kanë legjitimitetin dhe përgjegjësinë për ta udhëhequr vendin në frymë konsensuale.
Vetëm kështu mundësohet konsensualiteti dhe përfaqësimi i drejtë në vendimmarrje.

Prandaj, edhe kemi vlerësuar se vota e shqiptarëve më së miri kapitalizohet vetëm nëse është e përqëndruar, ndërsa ndarja e potencialit votues shqiptar në më shumë parti dobëson pozitat shqiptare në pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv si dhe rrezikon pushtetin vendor në komuna të caktuara.

Tri parti shqiptare në Maqedoni janë po aq të dëmshmë sa të paturit e vetëm një partie. Akoma kemi nevojë të jemi më të fortë deri në ndërgjegjësimin e gjithë klasës politike në vend, kur shqiptari do të mbroj të drejtat e bashkëqytetarit të vet maqedonas dhe maqedonasi do të mbroj të drejtat e shqiptarit dhe të gjithë bashkë të punojmë për lirinë e fituar dhe demokratizim të të gjitha institucioneve në të gjitha nivelet.

Në këtë vijë, dua që zëshëm të kundërshtoj ideologjitë dhe projektet e huaja të zbatuara nga eksponent vendor, sepse ato dëmtojnë rëndë indin kombëtar dhe të ardhmen EuroAtlantike të vendit. Këto fryma nuk kanë gjetur streh asnjëherë në gjirin e kombit shqiptar dhe ashtu edhe do të mbetet.

Gjithashtu kemi vlerësuar që pjesëmarrja e qytetarëve tanë në konfliktet e huaja nga motive të ndryshme, është e palejueshme, sepse bie në kundërshtim me përcaktimet tona strategjike kombëtare, por edhe me ligjet vendore.

Nuk e lë dot pa folur edhe për njërin nga prioritetet tona programore e që ka të bëjë me reformat në arsim. Arsimi është një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të shoqërisë, prandaj, të mbetet angazhim i të gjithë kuadrove që me dinjitet të kryejnë detyrat e tyre dhe të mos kërkojnë fajësi, as amnesti për cilësinë e arsimit tek ne, por të përveshim krahët dhe të punojmë.

Bashkimi Demokratik për Integrim ka ndërtuar partneritet me mediat dhe ka dëshmuar respekt të plotë për lirinë e shprehjes, sepse konsiderojmë që mediat janë një pjesë bukur e rëndësishme për edukimin e qytetarëve dhe brezave, transformim dhe emancipim të shoqërisë.

Por, s’ka se si të mos shpreh dëshprim pse kjo kategori që duhet të jetë më unikja, në fakt është më e përçara.

Por njëkohësisht, betejën e tyre për pavarësi nuk mund t’jua zhvilloj as, unë e as Bashkimi Demokratik për Integrim, por ne do të jemi aleat të tyre në ngritjen e zërit kundër imponimit të politikave redaktuese.

Në këto 13 vite kemi bërë shumë, por mua më duket sikur sapo kemi filluar, sepse akoma ka aq shumë punë për t’u bërë dhe neve nuk na mungon përkushtimi, dija dhe guximi.

Akoma punë kemi për të bërë në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe krijimit të mundësive të barabarta, integrimin e diasporës në ekonominë e vendit, sepse ajo paraqet një potencial të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik, por edhe të integrimit ekonomik rajonal, evropian dhe global.

Punë kemi akoma edhe në drejtim të zhvillimit të balancuar lokal dhe rajonal, barazisë sociale, shëndetësisë e arsimit cilësor për të gjithë dhe zvogëlimit të papunësisë.

Por këtu, nuk mund të lë pa përmendur përfundimin e Zonës së Lirë Ekonomike të Tetovës, Kërçovës dhe Strugës me gjithë investimet të paralajmëruara që do të hapin me mijëra vende pune.
Si të lë pa përmendur përfundimin e Korridorit 8 si pjesë e ëndrrave tona dhe përafrimit edhe më të madh me Shqipërinë dhe Kosovën.
Fjalimi i liderit Ali Ahmeti në Kongresin tematik të BDI-së

Po, kemi bërë shumë bashkë, por edhe më shumë punë kemi para nesh.

Andaj dhe nga ky Kongres, i ftojmë në partneritet të gjitha forcat progresive shoqërore që ndajnë vlerat e njëjta që të na bashkangjiten në përpjekjet tona për një shoqëri tolerante, demokratike, me siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm, me marrëdhënie të shëndosha ndëretnike, me marrëdhënie të mira ndërfqinjësore dhe për tejkalim të çështjeve të hapura, për integrim të plotë në NATO dhe fillim të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian si dhe me zhvillim të qëndrueshëm ekonomik e mirëqenie shoqërore.

Ftoj njëkohësisht të gjitha organet partiake dhe çdo anëtar të Bashkimit Demokratik për Integrim që të lartësojmë unitetin mbrendapartiak, të vijojmë ndërtimin e partneritet me komunitetin ndërkombëtar drejt anëtarësimit në NATO dhe BE si dhe të vijojmë me punë të palodhshme në drejtim të zbatimit të plotë të frymës së Marrëveshjes së Ohrit dhe realizimit të barabarësisë së plotë si dhe të vazhdojmë me llogaridhënie në takime të rregullta me qytetarët.
Unë ju siguroj që Bashkimi Demokratik për Integrim nuk do të rresht së punuari në drejtim të realizimit të zotimeve zgjedhore, programore dhe kombëtare në përputhje me besimin dhe interesat e popullit shqiptar në Maqedoni.

Këtij Kongresi i uroj punë të mbarë dhe shpreh falënderime për të gjithë mysafirët që na kanë nderuar me pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre, jo vetëm për sot, por në të gjitha vitet e pas luftës.
Ndërsa në fund, ashtu siç edhe e fillova, do ta mbyll në bashkëpunim me miqtë tanë ndërkombëtar. Dua që bashkarisht të nderojmë një plak të urtë dhe të mençur, një njeri që dha shumë për Maqedoninë.
Të dashur delegatë, më lejoni t’i propozoj këtij Kongresi që ta miraton propozimin tim për ta shpallur Ambasadorin Nikolas Bigman anëtar nderi të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe kërkoj që ky propozim të miratohet me duartokitjet e juaja për kontributin jo vetëm të Ambasadorit Bigman, por edhe të të gjithë miqve ndërkombëtar në këto vite.

Ju faleminderit!
Ali Ahmeti
Kryetar,
në Shkup,
më 29 mars të vitit 2015
Bashkimi Demokratik për Integrim

Publikuar: 29.03.2015 | 18:45
Lexuar: 1041 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime