Institucionet dhe kompanitë janë duke pritur që të vijë e hëna për kur është paralajmëruar se do të vazhdojë livrimi i gazit natyror nga Rusia për Evropë dhe për Ballkanin.
Kreu i shoqërisë Gazprom, Aleksei Miller, në një mbledhje me presidentin rus Dimitri Medvedev, paralajmëroi firmosjen e një dokumenti që garanton kalimin e gazit rus, përmes gaz-përcjellësit të Ukrainës, drejt vendeve anëtare të BE-së dhe furnizimi i tyre, mund të rinis menjëherë.
Miller është takuar edhe numrin 'një' të Naftogazit, kompanisë ukrainase që bën shpërndarjen e gazit rus. Ujërat nisën të lëviznin pas kritikave të tjera të Komisionit Evropian i cili kërkoi rifillimin e menjëhershëm të livrimit të gazit rus drejt Evropës.
Jo vetëm aq, por KE-ja në bazë të marrëveshjes së arritur, është e vendosur për të çuar deri në fund historinë e mosmarrëveshjeve mes vendeve, duke dërguar vëzhgues evropianë në Ukrainë e Moskë. Gazi u ndërpre që prej 1 janarit për gjithë vendet anëtare të Evropës, përfshi edhe Turqinë dhe Maqedoninë. Kievi thoshte se GazPromi rus ndali gazin me urdhër të kryeministrit Putin, ndërsa Moska thoshte se Kievi mbylli rubinetet, pasi Gazpromi kërkoi kamata për faturat e papaguara dhe gazin e shitur. Por nga kontesti dy palësh, pësuan dhjetëra vende që furnizohen me gazin rus.
Ndersa edhe ne Maqedoni keto dite pritet te stabilizohet problemi me gazin njoftoi Alsat-M, duke iu referuar Ministrit te Ekonomise Fatmir Besimit.
Në Ministrinë e Ekonomisë thonë se presin që gazi të vijë brenda disa ditëve. Ministri i Ekonomisë, Fatmir Besimi, konfirmoi se kompanitë GAZPROM dhe NAFTAGAZ u morën vesh dhe se në çdo moment duhet që të fillojë procedura për dërgimin e gazit. Megjithatë, definitivisht të shpresojmë se kriza do të përballohet dhe se do të nevojiten disa ditë, pasi për këtë duhen përgatitje teknike.
Nëse Rusia sot e lëshon gazin, për shkak të tubacioneve të zbrazët do të nevojiten të paktën tri ditë që ai të arrijë deri në Maqedoni dhe të normalizohet gjendja dhe puna e kompanive. Kriza përfundoi pasi u arrit marrëveshja që euro-vëzhguesit të shkojnë në Ukrainë dhe ta vlerësojnë gjendjen në terren dhe ta kontrollojnë rrjedhjen e gazit. Prej kompanisë GAZPROM paralajmëruan se menjëherë pas arritjes së vëzhguesve të BE-së, do të fillojnë përgatitjet për dërgimin e sërishëm për çka nevojiten 12 deri 24 orë përgatitje.
Prej kompanisë NAFTAGAZ thonë se iu nevojiten 36 orë pasi ta marrin gazin nga Rusia që të mund ta dërgojnë këtë burim energjetik deri të vendet evropiane dhe deri në Ballkan. Ky lajm i gëzoi firmat MAKSTIL dhe fabrikën e tubave "11 Tetori" nga Kumanova që u goditën më së shumti nga kriza. Ato kanë informata se prej të hënës do të kenë gaz natyror.
Kompanitë MAKSTIL dhe "11 Tetori" mbetën pa punë për shkak të pamundësisë që të kalojnë të punojnë me mazut. Në MAKSTIL tashmë tri ditë janë shuar furrat dhe në ditë shënojnë humbje nga 150 mijë euro. Vetëm po mirëmbahen sistemet në minimum në mënyrë që të mos shkaktohet avaria. Rreth 20 firma të tjera që e shfrytëzojnë gazin më sukses e kanë kaluar punën me përdorimin e mazutit.