Thuajse dhjetë vjet pas largimit nga Kremlini, Mikhail Gorbaçov fajëson veten për reformimin e shpejtë që i bëri Bashkimit Sovjetik. Sipas tij, shpejtësia ndikoi shumë në problemet që pasuan dhe vazhdojnë edhe sot.
Kanë kaluar 19 vjet që kur Mikhail Gorbaçov njoftoi dorëheqjen si President i Bashkimit Sovjetik dhe me të, edhe shpërbërjen e vetë perandorisë së madhe bolshevike. Por, edhe pas gjithë këtyre viteve dhe pas gjithçkaje që ka ndodhur, brenda Rusisë dhe në arenën ndërkombëtare, ai vazhdon që të dalë herë pas here në media dhe të bëhet faktor. Sigurisht që tashmë, pamja e tij e jashtme nuk është ajo e dy dhjetëvjeçarëve më parë. Trupi i është rënduar dhe flokët i janë thinjur plotësisht. Lëvizjet i ka më të ngadalta, sepse mosha tashmë ka avancuar.
Sa shumë kanë ndryshuar gjërat dhe bota që kur ai la pushtetin, pas kalimit të një drame familjare. Foros është pika turistike në Krime, ku ai u vendos në arrest shtëpie. Sot, ky vend i përket Ukrainës. Nga ajo periudhë, presidentët rusë që pasuan Gorbaçovin e kanë ndryshuar vendin e preferuar të pushimeve, duke zgjedhur një resort më të sigurt në Sochi.
Po ta shohësh me vëmendje, ai ka ende atë vështrimin e butë dhe miqësor që karakterizonte në pamje të jashtme të gjithë liderët e epokës komuniste në Bashkimin Sovjetik. Sepse ata, në njëfarë mënyre, konsideroheshin si baballarë shpirtërorë të kombit dhe pamja e jashtme në këtë drejtim ishte shumë e rëndësishme. Ish-ministri i Jashtëm, Andrej Gromiko, i cili sot nuk jeton më, nuk e kishte gabim kur e etiketonte Gorbaçovin si njeri të pajisur me një buzëqeshje të butë, por me dhëmbë të hekurt. Dhe si për të vërtetuar këtë, Gorbaçovi është i vetmi ish-lider i Bashkimit Sovjetik që ka ende një lloj ndikimi në vend. Pas ikjes nga Presidenca, ai u përball me vdekjen e gruas së tij, Raisa, me të cilën ishte shumë i lidhur dhe për nder të saj, çeli edhe një fondacion që merret me financimin e kërkimeve shkencore për gjetjen e kurave për kancerin te të miturit.
Një nga qëllimet e tij është ngritja e një klinike në Shën Peterburg, në të cilën mund të qëndrojnë dhe të marrin mjekimet e duhura 80 pacientë të vegjël menjëherë. Kjo klinikë do të ndihmojë me çmime të arsyeshme edhe fëmijët që nuk kanë mundësi që të paguajnë shuma të mëdha parash, për shkak të situatës ekonomike të prindërve të tyre. Vetë Raisa vdiq nga leucemia në vitin 1999 dhe u përfol gjatë ndërsa i shoqi ishte në pushtet për futjen e mënyrave perëndimore në rolin gati simbolik të zonjave të para sovjetike.
Ajo kishte një gardërobë të rafinuar dhe ishte gjithmonë përkrah të shoqit në takimet zyrtare, ndërkohë që paraardhëset e saj nuk shfaqeshin fare përkrah burrave të tyre. Por ajo u shqua edhe për mbështetjen që i dha vullnetarizmit në një vend komunist, ku një gjë e tillë konsiderohej e padobishme, duke qenë se shteti supozohej që të plotësonte të gjitha nevojat e njerëzve. Ajo u përqendrua te fëmijët dhe rritja e mirë e tyre, veçanërisht fëmijët, familjet e të cilëve kishin më pak mundësi financiare.
Ata u takuan për herë të parë në Universitetin e Moskës dhe që nga ajo kohë, u bënë një nga çiftet më të pandarë. Gjithçka e bënin bashkë dhe kështu vazhduan derisa vdekja i ndau. Shembulli i tyre ishte relativisht i rrallë, në një vend që karakterizohet nga martesat në moshë të hershme dhe divorcet e shpeshta, madje edhe gjatë epokës së komunizmit. Por, pas ikjes së Gorbaçovit nga kreu i qeverisjes, Raisa u sëmur dhe vuajti gjatë, derisa më në fund sëmundja i mori jetën.
Gorbaçovi, i mësuar me të shoqen dhe i dashuruar pas saj deri në fund, u godit rëndë nga një humbje e tillë dhe nuk u martua, për të gjetur qetësi vetëm pranë së bijës dhe nipërve të tij. Ky vit është i pasur me data të shënuara për Gorbaçovin. Është 25-vjetori i ardhjes së tij në pushtet, si lider i Bashkimit Sovjetik dhe arkitekt i Perestrojkës, 30- vjetori i pranimit të tij në Byronë Politike, një nga organet më të lartë të qeverisjes së Bashkimit Sovjetik dhe 10-vjetori i marrjes së çmimit Nobel për paqen.
Një nga pyetjet që çdokush me pak njohuri për të shkuarën dhe të tashmen e Gorbaçobvit do ti bënte ish-liderit të fundit të Bashkimit Sovjetik është se në çmënyrë ai arriti që të ndryshonte nga një komunist në një demokrat. Unë jam një demokrat. Një demokrat-social do të thosha, shprehet Gorbaçovi, i cili pjesën më të madhe të kohës e kalon tashmë në Londër. Ai u bë pjesë e Partisë Komuniste që kur ishte në bankat e shkollës dhe në atë kohë e konsideronte komunizmin si rrymën e vetme më përparimtare dhe progresiste të botës. Kur i propozuan për herë të parë që të bëhej pjesë e partisë, Gorbaçovi i kishte kërkuar të atit një mendim në lidhje me këtë dhe ai ia kishte dhënë bekimin e tij. Megjithatë, në atë kohë, isha një njeri tjetër nga ai që jam sot.
Kjo mund të jetë e vërtetë, por gjithsesi, një nga vetitë të cilat vazhdojnë që ta karakterizojnë, është entuziazmi me të cilin merr çdo lloj veprimtarie apo pune që vendos të kryejë. Ngjitja e tij në shkallët e pushtetit, sipas Gorbaçovit, nuk ka qenë aspak e vështirë dhe e ndërlikuar. Fillimisht hyra tek Komsomol (rinia e partisë) dhe më pas që andej kalova në politikën e ashtuquajtur e madhe, derisa pak nga pak, arrita në majë, vazhdon Gorbaçov. Si shumë reformatorë rusë, Gorbaçovi e konsideron fillimin e ndryshimit në linjën e deriatëhershme të qeverisjes së Hrushovit dhe këndvështrimi ndryshe që pati ai për të paprekshmin e deriatëhershëm, Stalin. Me kalimin e kohës, ai dhe të tjerë e kuptuam se nuk bëhej fjalë për ndryshimin e një njeriu, por të një sistemi të tërë.
Këto ishin përfundimet në të cilat mbërriti kur erdhi në krye të Kremlinit, si kryetar shteti në vitin 1985. Sot Gorbaçovi thotë se preferon social-demokracinë për shkak të aftësisë që ka për të bërë bashkë kapitalizmin dhe prioritetet sociale. Ndryshe nga e kaluara, sot, ai është shumë më pak kritik ndaj kapitalizmit. Veron si stimul dhe ajo çka është arritur nga ky sistem nuk duhet që të hidhet poshtë, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Për Gorbaçovin, betejat që iu desh të luftonte për të vënë në zbatim Perestrojkën dhe Glasnost me konservatorët që ishin në pushtet, po më pas, dhe beteja e fundit me Boris Jelcinin janë shumë të rëndësishme në aspektin historik, për shkak se përbëjnë zanafillën e ndryshimeve që sollën epokën në të cilën ndodhet Rusia e sotme.
Ai nuk mund tia falë kurrë Jelcinit, jo vetëm për kokëfortësinë për të gjetur një kompromis për të shpëtuar nga kolapsi i menjëhershëm Bashkimin Sovjetik, por edhe për kaosin që mbizotëronte në pikëpamjet e tij. Sipas Gorbaçovit, kjo ishte arsyeja që Jelcini e la vendin në duart e pamëshirshme të kapitalizmit të egër, të kapitalizmit të xhunglës dhe sigurisht që një veprim i tillë pati pasoja të rënda për vendin. Por për sa i përket shembjes së Bashkimit Sovjetik, Gorbaçovi fajëson edhe veten. Në fund ai thotë: Ne, duke iu referuar një grushti reformatorësh në Kremlinin e fillimviteve 90, duhet që ta kishim parandaluar shembjen e Bashkimit Sovjetik, në atë mënyrë që ndodhi. Sot, më shumë se kurrë, fajësoj veten për mosndalimin e kësaj gjëje. Ne kërkuam zgjedhje të lira, kryem një pjesë të reformave politike, u përpoqëm që të ndërtonim një Parlament modern.
Gorbaçovi mund të bëjë autokritika dhe ndërkohë është shumë i ndërgjegjshëm për kritikat që bëhen vazhdimisht në adresë të tij. Njerëzit më kanë kritikuar shpesh, ashpër për vendimin e shpërbërjes së shpejtë, por në përgjithësi mendoj se të gjithë nxituam, jo vetëm unë.
Një vend me historinë tonë duhet që të kishte ndjekur një rrugë evolutive, pra më graduale në këtë ndryshim shumë të madh që ndodhi brenda një dite. Unë mendoja në atë kohë se reformat do të kishin dashur 20 ose edhe 30 vite të tjera që të ishin kryer. Por në atë kohë, gjakrat ishin nxehur shumë dhe mbizotëronin pasionet dhe jo gjakftohtësia te mendjet e atyre që ndodheshin në pushtet dhe konkretisht të atyre që e morën në dorë pas kësaj pushtetin. Të gjithë donin shkatërrimin, ecjen përpara me çdo kusht dhe për një kohë sa më të shkurtër, vazhdon Gorbaçovi. Po a bie ai në një mendje me mendimin e sotëm të Kryeministrit Putin, i cili shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik e konsideron si një nga katastrofat më të mëdha të shekullit të kaluar? Unë mendoj se kjo gjuhë është paksa ekstreme, por shkatërrimi, shpërbërja e Bashkimit Sovjetik është diçka për të cilën ia vlen që të diskutohet.
Në fakt, Bashkimi Sovjetik ishte një perandori e vërtetë në kuptimin klasik të kësaj fjale. Ne kishim 20% të popullsisë myslimane, si dhe komunitete të tjera që përfaqësonin të gjitha llojet e feve, ndaj qoftë edhe në këtë këndvështrim, shpërbërja nuk ishte aspak e lehtë dhe një falë goje. Sot ai e konsideron shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik si një fatkeqësi. A është ai i zhgënjyer nga rrjedha që morën ngjarjet dhe nga progresi i ngadaltë i modernizimit të Rusisë? Jo, nuk është kjo që më zhgënjen. Jam i zhgënjyer me mënyrën se si Jelcini zgjodhi terapinë e shokut në vend të rrugës evolucioniste për ndryshimin e sistemit. Sipas tij, Rusia është ende në një tranzicion drejt demokracisë dhe shumë gjëra ende nuk janë të vendosura, apo janë zgjidhur në mënyrë të gabuar.
Për Putinin, ai mendon se mandati i tij i parë ishte pozitiv në krahasim me arritjet e paraardhësit të tij, Jelcin. Një nga zhgënjimet e tjera që Gorbaçovi ka është në lidhje me rolin e Perëndimit, apo të atyre që ai i konsideronte si miq dhe partnerë. Ai kujton takimin e G7 në korrik të vitit 1991, në Londër, në të cilin ai ishte në pozicionin e lypësit që shtrinte dorën për ndihmë ekonomike. Vetë Theçer tha se vendi im duhej ndihmuar, ndërkohë që Andreoti pranoi, Bush, Kohl dhe Kryeministri japonez thanë jo
Sot, Gorbaçovi ka ende shumë çështje me të cilat merret, si çështjet e ekologjisë dhe forumet e politikës globale, si dhe partinë e re politike, Partia Demokratike e Rusisë. Sipas tij, Perëndimi vazhdon ende që të bëjë gabime me Rusinë, jo vetëm me ambicien për të shtrirë NATO-n në kufijtë rusë, por edhe me mungesën e një sistemi sigurie transatlantik, në të cilin të bëjë pjesë edhe Rusia. (gazeta shqip)