E mërkurë, 21.11.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

"Kjo është në interes jo vetëm të dy vendeve tona por edhe në interes të qytetarëve dhe kontribuon në bashkëpunimin ekonomik midis Kosovës dhe Maqedonisë", thotë Jahjaga.
Jahjaga i vlerëson si shumë të mira marrëdhëniet Maqedoni-Kosovë
Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga në një intervistë dhenë gazetarit Seladin Xhezairi për TV Art Tetovë i vlerëson si shumë të mira marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe Kosovës duke theksuar se të dyja vendet punojnë për të njëjtën agjendë dhe ajo është agjenda drejt Bashkimit Evropian.

“Marrëdhëniet midis vendeve tona janë jashtëzakonisht të mira. Ne kemi, raporte shumë të mira fqinjësore dhe miqësore si dhe një thellim jashtëzakonisht të madh edhe në aspektin ekonomik. Edhe Kosova edhe Maqedonia kanë një agjendë të intensifikuar për proceset e integrimit jo vetëm të atij evropian por edhe në organizatat e tjera", thotë Jahjaga duke shtuar se të dyja vendet kanë se çfarë të mësojnë nga njëra-tjetra duke shkëmbyer përvoja të ndërsjellta.

Lidhur me fushat në të cilat duhet thelluar bashkëpunimi Maqedoni -Kosovë, Jahjaga thotë se ka ende shumë punë për të bërë në këtë drejtim, duke përmendur këtu jo vetëm lëvizjen e lirë të qytetarëve, por edhe intensifikimin e shkëmbimit tregtar midis dy vendeve.

"Kjo është në interes jo vetëm të dy vendeve tona por edhe në interes të qytetarëve dhe kontribuon në bashkëpunimin ekonomik midis Kosovës dhe Maqedonisë", thotë Jahjaga.

Presidentja e Kosovës, thekson se shembuj të tillë të bashkëpunimit gjithsesi do të kontribuojnë në ndryshimin e botëkuptimit të vendeve të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Në kuadër të bashkëpunimit të frytshëm midis dy vendeve në Intervistën e saj presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga paralajmëroi edhe vizitën e presidentit Gjorge Ivanov në Prishtinë.

"Unë e vlerësojë veprimin politik të shqiptarëve në Maqedoni, gjithashtu e vlerësojë angazhimin dhe përkushtueshmërinë e tyre për realizimin e të gjitha të drejtave të obligimeve, të them, në kuadër të këtij shteti, dhe unë konsideroj se zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit, e cila jo vetëm që e ka mbështetjen e fuqishme ndërkombëtare por ka edhe garanci të fuqishme ndërkombëtare, do të kontribuojë për integrimin e mëtejshëm të shqiptarëve në jetën institucionale dhe shoqërore në vend", theksoi Jahjaga.

Lidhur me deklaratën e kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe reagimet negative nga Beogradi dhe Brukseli për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës, Jahjaga me komentin se nuk mund të komentojë deklarata të dikujt tjetër. Sipas saj e vetmja agjendë e cila do t'i bashkojë të gjithë popujt dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor është ajo e Bashkimit Evropian.

"Ajo që them unë për ardhmërinë jo vetëm për disa shtete të kësaj pjese të Evropës, por për gjithë këtë rajon, është në drejtim të integrimeve evropiane dhe euroatlantike", tha Jahjaga.

Duke folur për kërcënimet e ekstremizmit islamik dhe pjesëmarrjen e qytetarëve të Kosovës në përleshjen e armatosur në Siri, Jahjaga paralajmëroi se Kosova as nuk ka qenë dhe as nuk do të jetë fole e aktiviteteve të tilla të individëve të tillë.

"Çështja e paraqitjes së ekstremizmit dhe radikalizmit është kërcënim jo vetëm për Kosovën, jo vetëm për Maqedonië, jo vetëm për Bosnjë e Hercegovinën dhe pjesën e Ballkanit Perëndimor, por është kërcënim global dhe çdo ditë shndërrohet në rrezik të madh për të gjitha vendet në të gjithë botën", thotë Jahjaga duke përmendur se Kosova është shembull jo vetëm për rajonin por edhe për të gjithë botën.

Jahjaga përmendi se vitin e kaluar, Kosova kishte një seri të operacioneve dhe falë punës profesionale të mekanizmit policor dhe të institucioneve zbuluese, gjyqësisë dhe prokurorisë solli para drejtësisë individët të cilët kanë qenë pjesë e këtyre aktiviteteve ilegale.

Lidhur me këtë presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga në intervistën për televizionin TV-art Tetovë, përmendi edhe aprovimin e ligjit nga ana e Kosovës, i cili parashikon dënim me burg në kohëzgjatje prej 15 viteve, për individët të cilët bëhen pjesë e këtyre aktiviteteve.

Publikuar: 09.04.2015 | 11:52
Lexuar: 974 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime