E martė, 22.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Llaçi e betoni me të cilin ngrihen muret dhe shtetet e tiranëve, është gatuar me gjakun e shtetasve; Gjithkush duhet të përpiqet të mos ndërtohen kësi pallatesh me këtë përzjerje çnjerëzore.
Miranda HAXHIA: Mein Kampf-i i Ramiz Alisė





Miranda HAXHIA

Mania e fundit e diktatorëve është të shkruajnë kujtimet e tyre, jetën e tyre, por pa përjashtim, të gjithë harrojnë se ajo jetë është e jetuar, duke shkelur mbi gjakun dhe sakrificën e një populli të tërë. Diktatori është i pari në regjimin diktatorial që preferon kutërbimin e despotizmit ndaj murtajës së anarkisë, shkruan Ambrose Bierce te "Fjalori i djallit", në vitin 1911. Një shekull më pas, nuk ka ndryshuar asnjë presje nga ky përkufizim i denjë për Ramiz Alinë, autorin e librit "Jeta ime", libër që, në librari, pas një publiciteti të denjë doli që kushtonte 1.200 lekë. Sa shumë për peshën e letrës! Se fjala është nën çmim! Kush e bleu apo do ta blejë atë libër, kjo nuk ka rëndësi.

Kujtdo që i bie në dorë, Alia i është borxhli. Sepse na risjell një traumë, të cilën duam prej 20 vjetësh ta zhdukim-nostalgjinë për një regjim totalitar; Sepse është një vështrim dështak i historisë shqiptare. Ky libër është një qerthull i helmët dhe mashtrues për çdokënd që kthen kokën pas e kërkon të dijë se nga kemi ardhur e ku po shkojmë. Ajo që dhemb është se libri në fjalë është një shuplakë e hidhur, është një tallje dhe fyerje për gjithë shtresën e ish-të përndjekurve politikë, e gjithë atyre që vuajtën tmerret e një diktature. Libri është kutërbim i denjë për murtajën komuniste dhe është fyerje dhe shpërfillje edhe për atë njeriun e thjeshtë që mbajti një tesër partie e që besoi në dukjen, edhe për dhjetra e qindra nëna që jetuan tmerrin e dënimit të bijëve të tyre.

Libri në fjalë është një shumësi personazhesh që kanë etiketën e njohur "shokë", ose "armiq të partisë". Mes tyre gëlon ajo baltë e keqe që e trazuar nga dora e Alisë, kundërmon gjak, vuajtje, shëmti dhe fishekzjarre të stisura suksesi të tij, apo gjeneratës së tij, kupolës që u përçudnua, duke ngrënë njëri- tjetrin.

Ramiz Alia rrëfen-Jeta ime - sipas stilit me të cilin u shkruajt Historia e Partisë së Punës për gjatë gjithë kohës së socializmit. Për këtë arsye, ai nuk është libër, por propagandë e qartë për riciklimin e një dogme të dështuar. Libri është ndërtuar enkas për të sfiduar demokracinë e vërtetë që po përpiqemi të ndërtojmë.

Jetojmë në kohën kur liria e botimit dhe e mendimit është e pacënueshme. Por kur kjo liri cënohet në vet moralin e këtij koncepti, kur kjo liri dhunohet, duke krijuar një psikologji të fortë ricikluese, atëherë nuk bëhet fjalë më për "Jetën e R.Alisë", por për shëmtinë e shfaqjes së një filozofie negative, gjë për të cilën nuk duam ta gëlltisim.

Në libër flitet për armiq të partisë, për armiq të regjimit, për urrejtje dhe për nostalgji ndaj asaj kohe. Në libër dëgjohet një lloj kërcënimi mes radhëve që deshifrohet thjesht, ne jemi ende në pushtet, edhe pse gëlojmë si minjtë e gjirizave poshtë, në katakombet ku ne jetojmë, por që (sipas tyre) ato janë kanalet ku duhet të kalojë jeta e gjithë shqiptarëve.

Gjuha mashtruese e lajkatare, është e vetmja gjuhë me të cilën mund të shfaqet një ish-diktator e R.Alia nuk përjashtohet nga kjo. Sepse rrëfen atë që do dhe shmang atë që, jo se nuk guxon ta rrëfejë, por si pasojë e sindromës së njohur që një gënjeshtër e përsëritur, bëhet e vërtetë, sa harrohet origjina nga doli. Alia apo cilido që ka shkruar librin e tij beson se ka shkruar biblën e komunizmit!

Ramiz Alia në fakt me botimin e këtij libri i ka bërë një shërbim të madh vetes së vet, sepse ka nxjerrë lakuriq gjithë atë farsë që u instalua ditë pas dite, vrasje pas vrasjeje, dënim pas dënimi. Armiq që dalin në çdo faqe libri, parti që udhëhiqet nga frika e përndiqet nga armiqtë, një lloj paranoje për të gjetur, sulmuar, dënuar, gjykuar, rigjykuar dhe përcjellë urrejtje e përçmim e përpjeket e dështuara për të rrëfyer një Shqipëri të lumtur e të begatë, po aq sa rrobaqepësit mashtrues rrëfenin rrobat e reja të mbretit.

Llaçi e betoni me të cilin ngrihen muret dhe shtetet e tiranëve, është gatuar me gjakun e shtetasve; Gjithkush duhet të përpiqet të mos ndërtohen kësi pallatesh me këtë përzjerje çnjerëzore.

Në librin e Alisë, përmes gjithë kapitujve, lexuesi i kujdesshëm e analitik kupton se si u kujdes Partia e Punës, vetë udhëheqja e diktatori që të shthureshin traditat dhe zakonet më të mira të shqiptarëve.

Shthurja e traditës, e dokeve e zakoneve është vdekjeprurëse për vendet, por është shumë më e dobishme për tiranitë dhe monarkitë absolute. Mjafton vetëm kjo të gjykohet natyra dhe ndryshimi midis këtyre dy lloj qeverisjeve. Si e justifikon Alia shkatërrimin e mikëpritjes së shqiptarëve dhe zvetënimin e këtij virtyti, kur ndërtuan ligje që ndëshkonin me burg këdo që strehonte një të dënuar, të arratisur apo kundërshtar të diktaturës? Si e justifikon Alia në librin e tij që në varrimin e njerëzve, nuk duhej të merrnin pjesë të tjerë, nëse familja e të vdekurit ishte e dënuar apo me "njollë në biografi"? a ka ndodhur që shqiptarët të mos përcjellin në varr një vajzë të re, pse ligji komunist i ndalonte? Ku shkoi e drejta themelore e shprehjes së mendimit, ku shkoi tradita e kuvendeve të mençura e domethënëse të shqiptarëve, kur mblidheshin burrat e flisnin për hallet e tyre? Ku shkoi besa e shqiptarëve, kur në çdo tre njerëz, njëri bënte spiunin, i justifikuar se po i shërbente Partisë? Cilën histori duhet të lexojë fëmija i palindur ende? Atë që shkroi gjaku i mijëra e mijëra njerëzve të zhdukur, të vrarë, torturuar, internuar e dëbuar, apo këtë lloj historie që shkruhet sipas modelit që ajo kohë la - morali pa moral. Po të keni ndjekur shkrimin, do të kuptoni se nuk kam përmendur gjëkund emrin e E.Hoxhës.

Sepse kjo lloj literature që u publikua, është një siamez i gjithë atyre veprave të ish-diktatorit Hoxha. Xhaxhai im ishte partizan, ishte komunist, por veprat e E.Hoxhës i përdori dy dimra për të bërë zjarr atje në fshatin e tij e shkriu kockat me kapakët e kuq. Babai im ishte komunist, por librat e Hoxhës i hodhi në lumë që t'i hante llumi e balta. Jo se nuk i çmon librat, përkundrazi, sepse e do shumë kulturën! Nëse ka vend që i mban librat e këtij lloji, janë xhepat e shumë adhuruesve të vegjël të asaj kohe që gjallojnë në radhët e Partisë Socialiste. Është e drejta e tyre, po aq sa ishte e gjermanëve që mbanin librat e Hitlerit në kamare si ogure të vdekjes!!!

Nëse flasim për librin "Jeta ime" të R.Alisë, të mos harrojmë se figura e këtij personazhi është e ngjashme me atë sekt zvarranikësh që deshi të fluturonte, por si e shpjegon zoologjia, jo të gjithë zvarranikët fluturuan, fati i të tjerëve është të vijojnë traditën e llojit të zvarranikëve-të zvarriten.

***

Ndërkohë, unë po filloj të shfletoj nga e para librin me tregime të Mitrush Kutelit. Ah, edhe Mitrushi vuajti burgun dhe përndjekjen! Këtë nuk e mëson në librat e llojit të zvarranikëve!

Publikuar: 11.06.2010 | 13:20
Lexuar: 799 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime