Vitin e parë të fillimit të ndërtimit të autostradës do të punësohet një numër i caktuar punonjësish, ndërsa varësisht prej ndërtimit të segmenteve të autostradës do të rritet edhe numri i të punësuarve, ka thënë Xhevdet Pozhari, zëdhënës në MTPT.
Dhjetë kompanitë vendore kanë nënshkruar kontrata me konzorciumin Bechtel-Enka si kontraktuese të brendshme për ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdar. Ato do ti kryejnë punët në ndërtimin e kampeve, gërmimin, shpërthimin, pastrimin e materialeve si dhe ndërtimin e infrastrukturës së brendshme në kampe.
Sipas kontratës së nënshkruar nga Bechtel Enka dhe Ministria e Transportit dhe Post-Telekomunikacionit (MTPT), parashihet që 40 për qind e kompanive vendore të jenë pjesëmarrëse në ndërtimin e autostradës. Sa i përket numrit të punësuarve në projekt, zyrtarët e MTPT-së thonë se në kontratën në mes kësaj të fundit dhe kompanisë Bechtel-Enka, parashihet të punësohen 4000 mijë punonjës lokalë përbrenda periudhës ndërtuese të autostradës.
Vitin e parë të fillimit të ndërtimit të autostradës do të punësohet një numër i caktuar punonjësish, ndërsa varësisht prej ndërtimit të segmenteve të autostradës do të rritet edhe numri i të punësuarve, ka thënë Xhevdet Pozhari, zëdhënës në MTPT.
Ai ka theksuar se kompania ndërtuese Bechtel-Enka, kërkon nga kompanitë vendore plotësimin e kushteve të larta të punës. MTPT-ja, sipas tij, kërkon nga kompania Bechtel-Enka që të respektohet pjesa e kontratës me kompanitë vendore, ku përfshihet 40 për qind të pjesëmarrjes së tyre në ndërtim të autostradës.
Kjo konsiderohet një prej pikave më të rëndësishme, apo arritja më e suksesshme që MTPT-ja ka arritur gjatë negociimit me kompaninë Bechtel-Enka , ka thënë ai.
Ai ka bërë të ditur se në pjesën e kontratës, e cila është e favorshme për vendin, sipas tij, është edhe mundësia e shkëputjes së saj, nëse kompania kalon koston e paraparë të ndërtimit të
segmenteve të autostradës. Pozhari ka thënë se është hera e parë që në Kosovë nënshkruhet kontratë për ndërtim segment pas segmenti.
Ndërtimi i autostradës me segmente është e rëndësishme për mosdëmtimin e buxhetit të Kosovës, ka thënë ai. Ndërsa sa i përket caktimit të kryerjeve të punës nga kompanitë vendore gjatë ndërtimit të autostradës, sipas Pozharit një gjë të tillë e përcakton kompania Bechtel-Enka, e cila bën përzgjedhjen e kompanive vendore.
Ela Ruçi, zëdhënëse e kompanisë Bechtel-Enka, ka thënë për gazetën Zëri se është nënshkruar kontratë me 10 kompani ndërtuese vendore, të cilat do të jenë pjesë e ndërtimit të autostradës Vërmicë-Merdar.
Ajo ka shpjeguar se sipas kontratës, kompanitë vendore punët do ti kryejnë në ndërtimin e kampit, pastrimin e mbeturinave, përzgjidhet kompania që bënë shpërthimet, gërmimet, do të bëjnë nivelimin dhe ndërtimin e infrastrukturës së brendshme në kamp.
Po ashtu, sipas saj, kompanive vendore do tu përcaktohet puna për betonimin e impiantit të trarëve të urave. Këto janë disa nga fushat të cilat tashmë në fillim do ti mbulojnë kompanitë vendore. Puna nuk ka të bëjë vetëm me ndërtim, por me infrastrukturën rrugore, duke filluar me kanalizime, pastrime, etj, ka thënë ajo.
Sipas saj tashmë janë duke u kryer punët në ndërtimin e kampeve dhe në gërmimin e trasesë së rrugës. Është duke u ndërtuar impianti për prodhimin e trarëve, kampi për dizajnimin e urave dhe veprave të artit, ka thënë ajo.
Ajo ka shtuar se si pjesë e kontratës kompanitë vendore duhet ti përmbahen standardeve të larta, duke filluar nga siguria në punë, kualiteti i lartë i punës dhe respektimi i afateve për kryerjen e punëve. Ndërsa sa i përket numrit të punonjësve në ndërtimin e autostradës, sipas saj, punësimi bëhet sipas fazave të ndërtimit të saj.