E martë, 11.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Kryeministrit Renzi, që shkoi në Bruksel duke synuar gjëra të mëdha (edhe pse nuk dihet me saktësi se çfarë), i është dashur të mjaftohet me thuajse asgjë.
Belbëzimi i egoistëve të Europës









Nga Ernesto Galli della Loggia

A mund të imagjinohet një provë egoizmi dhe palëvizshmërie miope më e tmerrshme se ajo që u shfaq nga Bashkimi Europian, që u mblodh të enjten në Bruksel për të diskutuar zgjidhjen përballë valës migruese që po përmbyset në brigjet jugore të kontinentit tonë?

E vendosur përbri një sfide gjeopolitike të karakterit epokal, për karshi fatkeqësive dhe problemeve të çdo lloji që prodhon kjo e fundit, e vetmja gjë në fakt që diti të shpikë Bashkimi qe ajo për të dërguar ca anije të tjera në Mesdhe dhe për të dhënë ca dyshka apo kacidhe më shumë për operacionin “Triton”. Me pak fjalë, duke u shtirur se po bëhet diçka me qëllim që të mos bëhet asgjë.

Në belbëzimin e saj dhe në arritjen e saj për t’u bërë bisht rregullisht të gjitha sfidave vendimtare që mund ta shtynin të bënte një hov cilësor përpara drejt ekzistencës si subjekt politik, Europa është kthyer tashmë në diçka të sikletshme. Mungesa e udhëheqësisë dhe e vizionit rrezikon ta shndërrojë në një organizëm gjithnjë e më pengues për gjërat e lehta dhe gjithnjë e më të kotë për ato të vështira. Një zbrazëti e mbushur me egoizma kombëtarë që zgjat për sa kohë këto nuk bezdisen.

Nga ana tjetër nuk është dukur më pak joefikase ditët e kaluara edhe sjellja e qeverisë italiane. Kryeministrit Renzi, që shkoi në Bruksel duke synuar gjëra të mëdha (edhe pse nuk dihet me saktësi se çfarë), i është dashur të mjaftohet me thuajse asgjë. Fakti është se për të marrë qoftë edhe vetëm pjesërisht atë që dëshirohet nga një kasafortë si Brukseli, duhet përplasur gishti mbi tryezë. I gjithë vendi do ta kishte mbështetur një kryeministër që do të kishte mbajtur një fjalim të tipit: “Të dashur zotërinj, Italia nuk ka ndërmend të shohë qindra njerëz që mbyten në det pa e lëvizur gishtin.

Kështu që ne do të bëjmë gjithçka për të shpëtuar numrin më të madh të mundshëm të emigrantëve. Por kjo kushton, kushton shumë. Por duke qenë se nuk jemi vendi i florinjtë, dhe burimet tona janë të kufizuara, dijeni se në rast se ju nuk bëni asgjë më shumë se thuajse asgjëja që propozoni se do të bëni, atëherë në afatin e radhës Italia do të jetë e detyruar me shumë keqardhje ta ndërpresë çdo lloj financimi, edhe atë të zakonshëm, për Bashkimin dhe për veprimtaritë e tij”.

Por ja që nuk u dëgjua asgjë e tillë. Natyrisht, një gjë është të qortosh Civati-n apo t’i shkulësh veshët Camusso-s, dhe një tjetër gjë të përballesh me turinjtë e varur me Kameronin dhe Merkelin. Dhe kështu që na u desh të kënaqeshim me një bakshish të shoqëruar me një të rrahur miqësore të shpatullave.

Kështu që priten ditë shumë të vështira në horizont për Italinë. Por për të gjithë Europën po afrohet në periudhën afatshkurtër ose afatgjatë takimi me një katastrofë të paralajmëruar, ajo me një trysni të papërballueshme demografike e Jugut të botës, e cila, për sa kohë vazhdon të injorohet, rrezikon në mënyrë të pashmangshme të marrë trajtat e një kolapsi gjeopolitik të mirëfilltë.

Nuk është e vërtetë se nuk mund të bëhet asgjë. Nëse Europa do të ekzistonte, nëse do të kishte një udhëheqje të vërtetë politike që të zotëronte autoritet dhe vizion, mund të bënte shumë, kryesisht përballë migrimeve që nxiten nga shkaqet ekonomike. Së bashku me një marrëveshje bazë me Organizatën e Bashkimit Afrikan, çdo vend europian (vetëm ose së bashku me një tjetër) mund të lidhte për shembull me një shtet të atij kontinenti një binjakëzim të mirëfilltë: marrëdhënie të posaçme ndihme dhe bashkëpunimi për të favorizuar zhvillimin; të jetë i autorizuar të adresojë investime të privilegjuara në fushën ekonomike dhe turistike; të përcaktojë me të marrëveshje doganore të posaçme për të favorizuar prodhimin dhe eksportet; të hapë qendra kulturore, të dërgojë “misione” të çdo lloji për të përmirësuar aparatet shkollore, mjekësore, gjyqësore dhe policinë; të presë studentët më të mirë me bursa studimi; dhe ndoshta edhe të hapë “kampe përgatitjeje” punësimi, gjuhësore dhe “antropologjiko-kulturore”, të adresuara për ata që e kanë vendosur gjithsesi të largohen nga vendi i tyre.

Sigurisht, kjo do të kushtonte dhe nuk do të ishte e lehtë. Ndoshta do të kishte edhe rreziqe. Por janë pikërisht këto gjërat që bën politika dhe që vetëm politika di t’i bëjë. Të paktën politika që nuk i lan duart, por ajo që imagjinon, që guxon, që vepron.

Corriere della Sera

Publikuar: 27.04.2015 | 15:02
Lexuar: 842 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime