Arrestimi i zotit Kurti u bë në bazë të një fletarresti të lëshuar nga një gjykatës i Misionit të Bashkimit Evropian për Policinë e Drejtësinë dhe ai pasoi dështimin disa herë me radhë të policisë për zbatimin e fletarrestimit.
Gjykimi i udhëheqësit të Lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti po i afrohet përmbylljes, pas një séance gjatë ditës së hënë në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.
Pala e akuzës ka hequr dorë nga dy nga tri akuzat për zotin Kurti.
Albin Kurti ka deklaruar në gjykatë se nuk e njeh gjyqin e misionit evropian për sundimin e ligjit.
Seanca
Pas paraqitjes së tre dëshmitarëve në gjykimin ndaj zotit Kurti, në orët e vona të pasdites, ka rifilluar seanca e gjatë gjyqësore me paraqitjen e fjalëve përfundimtare të palës akuzuese dhe asaj të mbrojtjes.
Prokurori publik gjatë ditës ka hequr dorë edhe nga akuza e dytë për zotin Kurti, duke e qëndruar pranë akuzës së vetme asaj për pengim të personave zyrtarë në detyrë.
Seanca gjyqësore ndaj zotit Kurti filloi heret në mëngjes, pasi u soll në sallën e gjykimit i përcjellë nga forca të mëdha të policisë së Kosovës.
Ai u arrestua dy ditë më parë në selinë e Lëvizjes që drejton, pas një ndërhyrjeje të dhunshme të policisë, pak kohë pasi paralajmëroi pjesëmarrjen në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2011.
Zoti Kurti, që doli për herë të parë në gjykatë, tha se nuk e njihte atë dhe se do të pranonte të paraqitej vetëm para një gjykate vendase.
Ai tha se do ta kufizonte komunikimin me gjykatën e drejtuar nga misioni i EULEX-it.
Arrestimi i zotit Kurti u bë në bazë të një fletarresti të lëshuar nga një gjykatës i Misionit të Bashkimit Evropian për Policinë e Drejtësinë dhe ai pasoi dështimin disa herë me radhë të policisë për zbatimin e fletarrestimit.
Zoti Kurti ka refuzuar të paraqitet në procesin gjyqësor kundër tij që ka të bëjë me ngjarjet e 10 shkurtit të vitit 2007 kur dy persona humbën jetën gjatë ndërhyrjes së policisë për të shpërndarë një protestë të kësaj lëvizjeje.
Ai akuzohet si pjesëmarrës në një turmë që ka kryer vepra penale dhe ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e punëve zyrtare, si dhe për thirrje për rezistencë.
Një numër organizatash joqeveritare kanë mbledhur mbi 170 mijë nënshkrime me kërkesën për të pezulluar procesin ndaj zotit Kurti.